Cakaj reformë në shërbimin konsullor në Greqi: Pritja për aplikime, nga disa muaj, sot realizohet në 5 ditë

Në një reagim në facebook, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka informuar mbi mbarëvajtjen e punës në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Athinë dhe në Konsullatën e Përgjithshme në Selanik, duke theksuar se situata në këto dy përfaqësi ka ndryshuar rrënjësisht në të mirë të të gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Greqi.

Sikurse thekson Kryediplomati, nuk ka më radhë të gjata, as pritje me muaj për të marrë datën e takimit për aplikimet për pasaportë e kartë identiteti, por takimi për aplikim tani caktohet brenda vetëm 5 ditëve dhe pasaporta apo karta e identitetit merret brenda 3 javëve.

“Përkundër rrethanave të rënduara nga COVID-19, ky ndryshim është mundësuar nga një varg masash të ndërmarra nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e falë një pune sistematike deri mbi 14 orë në ditë nga ekipet në shërbim në Athinë e Selanik, që prej muajit korrik.” – u shpreh Ministri në detyrë Cakaj.

Më tej, Cakaj bëri me dije se nga muaji gusht e deri më sot, në Athinë e Selanik janë dhënë mbi 40.000 pasaporta e karta identiteti, afërsisht 150% më shumë krahasuar me pjesën pararendëse të të njëjtit vit.

Gjithashtu, një informacion tepër i rëndësishëm, i dhënë prej Kryediplomatit, për shqiptarët që jetojnë në ishujt e Greqisë, ishte fakti se për herë të parë skuadra mobile konsullore do të zbarkojë në Kretë dhe në Rodos, për të ofruar shërbimet e nevojshme për gjithë shqiptarët që jetojnë në ishuj.

“Përderisa mbetet ende për të bërë, ne do të vazhdojmë punën e pakursyer për të ndërlidhur objektivat madhore të politikës së jashtme me shqetësimet ditore të qytetarëve shqiptarë.”- përfundoi Cakaj reagimin e tij

Adresa

Plateia “Arch.Spyridonas” ,13, Odos “Anastasiou Zini”,
12, T.K. 45444, Ioannina, Greece

Tel / Fax

Tel. +30 26510 21330 +30 26510 22636
Fax. +30 26510 37768
Nr. i emergjences: +306971533398

E-MAIL

consulate.ioanina@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00