Ministrja Xhaçka pret homologun e Maqedonisë së Veriut: Janë përmbushur kushtet për miratimin e kornizës negociuese

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mirëpriti në një takim homologun e saj, Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin.

Ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria bashkë me Maqedoninë e Veriut i kanë plotësuar kushtet për miratimin e kornizës negociuese, si dhe për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare.

“Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse ne, pjesa dërrmuese e popullsive tona, besojmë tek perspektiva evropiane. Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare, në një moment që vlerësimi objektiv, teknik nga ana e Këshillit dhe vendimi i tij në mars 2020 ka qenë pozitiv”, tha ministrja në deklaratën e përbashkët për shtyp.

Kryediplomatja Xhaçka vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar atë si vendimtar në proceset euro-atlantike dhe si një urë lidhëse miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve.

Në fjalën e tij, ministri Osmani u shpreh i hapur për bashkëpunim të ndërsjelltë mes dy vendeve, duke theksuar se kjo do të sjellë një impuls të ri në rajonin e Ballkanit. Gjithashtu, ai u shpreh entuziast për firmosjen e marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e diasporës si dhe bashkëpunimin tre palësh Shqipëri-Maqedoni e Veriut-Bullgari.

Ardhja e Ministrit Osmani në Tiranë shënon vizitën e parë të një Ministri të Jashtëm në Shqipëri, që prej ardhjes së Ministres Xhaçka në krye të MEPJ.

Adresa

Plateia “Arch.Spyridonas” ,13, Odos “Anastasiou Zini”,
12, T.K. 45444, Ioannina, Greece

Tel / Fax

Tel. +30 26510 21330 +30 26510 22636
Fax. +30 26510 37768
Nr. i emergjences: +306971533398

E-MAIL

consulate.ioanina@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00