Nis programi i Akademisë Diplomatike Kombëtare/ Cakaj: Do të jetë i hapur edhe për shqiptarët që jetojnë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Serbi

Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, informoi mbi nisjen e programit të Akademisë Diplomatike Kombëtare.

Ky program synon jo vetëm edukimin e përgjithshëm të diplomatëve të së nesërmes, por edhe rritjen e njohurive të diplomatëve për historinë e politikës së jashtme të Shqipërisë.

Përtej ligjëratave të pasura për historinë e diplomacisë shqiptare që prej orëve të para të shtetit shqiptar, aty, sikurse bën me dije Kryediplomati Cakaj, do të ketë edhe shtjellime të hollësishme për politikën e sotme të Shqipërisë në rajon, procesin e integrimit evropian e politikat e Shqipërisë në organizata shumëpalëshe nga OSBE, NATO e deri tek Kombet e Bashkuara.

Prandaj, ky program paraqet një mundësi të vlefshme për të gjithë të rinjtë që mendojnë t’i bashkohen rrugës së diplomacisë, politikës së jashtme e marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Në frymën e përpjekjeve tona për t’i afruar e bashkuar shqiptarët sa më shumë, ky program do të jetë i hapur edhe për shqiptarët që jetojnë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Serbi. Fillimisht do të veprojmë online, e më pas do të takohemi bashkërisht në Tiranë, për të mbyllur fazën e parë të programit, në Nëntorin e festës kombëtare të flamurit kuq e zi.”- përfundoi Cakaj reagimin e tij.

Për çdo detaj rreth aplikimit, të gjithë të interesuarit mund të drejtohen tek link: https://bit.ly/2FXptck

Adresa

Plateia “Arch.Spyridonas” ,13, Odos “Anastasiou Zini”,
12, T.K. 45444, Ioannina, Greece

Tel / Fax

Tel. +30 26510 21330 +30 26510 22636
Fax. +30 26510 37768
Nr. i emergjences: +306971533398

E-MAIL

consulate.ioanina@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00