Takimi virtual me krerët e Komitetit Amerikano-Hebraik/ Cakaj: Mirënjohje për ngritjen e imazhit të Shqipërisë në botë

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim virtual me krerët e Komitetit Amerikano-Hebraik.

“Vlen të theksohet se shprehëm mirënjohjen e pamatë për njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Izraelit.”- u shpreh Cakaj në një reagim në Facebook, lidhur me takimin e zhvilluar.

Kryediplomati Cakaj theksoi se ky është një zhvillim i jashtëzakonshëm historik që hap një horizont krejtësisht të ri me shumë mundësi bashkëpunimi mes dy vendeve.

Më tej, ai shprehu mirënjohjen e pafundme ndaj Komitetit Amerikano-Hebraik për punën e pakursyer për ngritjen e imazhit të Shqipërisë e shqiptarëve kudo në botë.

“Po ashtu, vlerësuam bashkërisht punën që ka bërë Shqipëria në luftën kundër anti-semitizmit, veçanërisht si Kryesi e Radhës e OSBE-së dhe me organizimin e Forumit Ballkanik kundër anti-semitizmit! Populli shqiptar shkëlqen si shembull i vyer në historinë e Evropës, si i vetmi popull që me mbrojtjen, mikpritjen e kujdesin e tij, ka mundësuar që në Shqipëri të ketë më shumë hebrej pas Luftës së Dytë Botërore, sesa para saj.”- vijoi Cakaj.

Gjithashtu, në takim u diskutua mbi rëndësinë e disa projekteve në fushën e sigurisë, arsimit, ekonomisë dhe kulturës mes Shqipërisë dhe Izraelit. Sipas Kryediplomatit, marrëdhënia historike Shqipëri- Izrael duhet të shndërrohet në projekte konkrete të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe institucional.

Në përfundim të reagimit, Cakaj shprehu përkushtimin e Shqipërisë për të thelluar marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin.

Adresa

Plateia “Arch.Spyridonas” ,13, Odos “Anastasiou Zini”,
12, T.K. 45444, Ioannina, Greece

Tel / Fax

Tel. +30 26510 21330 +30 26510 22636
Fax. +30 26510 37768
Nr. i emergjences: +306971533398

E-MAIL

consulate.ioanina@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00