Xhaçka: Kjo ministri duhet të shkëlqejë në çdo drejtim, është shëmbëlltyra e shtetit shqiptar

I nderuar Kryeministër,
I dashur Genti,
Thonë që fillimi i vitit është një moment shumë i mirë për të nisur projekte të reja. Por ka projekte e projekte dhe kjo detyrë që më është besuar këtë fillimviti është padyshim një sfidë e jashtëzakonshme për mua.
Por, duke qenë që edhe unë, ashtu si shumë qytetarë shqiptarë e qytetarë nga mbarë bota, e shoh 2021 si një vit shprese pas një viti plot vështirësi e dramë si ky që lamë pas, jam optimiste.
Kryeministër dua të të falënderoj nga zemra për besimin e madh që treguat tek unë duke më besuar këtë detyrë në një vit kaq të rëndësishëm për politikën e jashtme të Shqipërisë.
Por dua të falënderoj shumë edhe Gentin. Kam shumë respekt për punën e bërë nga paraardhësit e mi, e posaçërisht për punën e bërë nga Genti në kushte aspak të lehta si pasojë e pengesës së krijuar artificialisht në dekretimin e tij.  Por, edhe në aspektin personal, i detyrohem një falënderim shumë të posaçëm për kordialitetin dhe profesionalizmin që ka treguar gjatë këtyre ditëve duke koordinuar transferimin e detyrës.
Kryeministër, Genti, nuk do të jetë e lehtë, t’ju zëvendësoj të dyve njëheri në drejtimin e politikës së jashtme!
Nga ana tjetër, jam shumë e vetëdijshme, që puna që ju keni bërë, e bën punën time këtu më të lehtë.
Sepse nuk do të më duhet të rishpik rrotën apo të nis çdo gjë nga zero. Përkundrazi.
Megjithatë një gjë dua ta bëj shumë të qartë. Puna nuk është asnjëherë mjaft dhe unë nuk do të mjaftohem me atë që është bërë apo që vartësit e mi janë mësuar të bëjnë. Unë dua më shumë, nga të gjithë, duke nisur nga vetja ime.
Dhe parimi im në drejtimin e dikasterit është sa më lart në pozicion aq më shumë energji dhe orë pune në dispozicion të institucionit nga secili e secila.
Aq sa eksperienca e madhe është një aset i vyer në një institucion si ky, po aq rutina është një problem i madh kur duhen kapërcyer barriera të reja e duhen bërë punë të reja, siç është edhe puna me integrimin europian për shembull. Dhe në këtë drejtim, që është edhe prioriteti ynë nr. 1, jam e kënaqur që puna ka qenë intensive. Kryenegociatori duhet të marrë jo vetëm përgjegjësinë që e ka marrë, po edhe mbështetjen e plotë nga zinxhiri i punës me integrimin në këtë ministri, duke u koordinuar prej tij dhe duke u përgjigjur para tij.
Nga ana tjetër rritja sasiore e cilësore përmes digjitalizimit të shërbimeve për shqiptarët jashtë atdheut duhet të vazhdojë me ritme të larta. Askush nuk duhet të ndjehet i lënë pasdore dhe ndodhitë e zvarritjes së qytetarëve para disa kohësh në konsullatën tonë në Selanik apo në ambasadën tonë në Athinë, jo vetëm nuk duhet të përsëriten po duhet të mos harrohen asnjëherë si mësim i madh për shërbimin tonë konsullor.
Unë do të krijoj menjëherë një grup pune me ambasadorët me më shumë përvojë për të piketuar një sërë hapash të mëtejshëm në reformimin e shërbimit tonë diplomatik dhe do t’ju ftoj të gjithëve të jepni idetë tuaja.
Nga kryeministri kam mësuar se asnjëherë nuk është mjaft ajo që bëjmë dhe se gjithnjë ka më shumë për të përmirësuar se sa për t’u kënaqur me atë që kemi bërë. Ndaj besoj fort se kjo ministri duhet te shkëlqejë ne çdo drejtim, sepse është shëmbëlltyra e shtetit shqiptar ne sytë e të huajve dhe të shqiptarëve jashtë kufijve.
Shkëlqimi i Shqipërisë në krye të OSBE është një mësim i madh për sa shumë mund të bëjmë nëse organizohemi si duhet, nëse koordinohemi si duhet, nëse performojmë si duhet. I njëjtë duhet të jetë edhe shkëlqimi në Këshillin e Sigurimit, ku Shqipëria do të ulet për herë të parë në historinë e saj pas një viti dhe siç kuptoj  nuk kemi më asnjë ditë për të humbur me përgatitjet për të shkëlqyer në atë mision kaq të vështirë, delikat e historik për Shqipërinë në OKB.
Jam e bindur se kush ka pasionin e punës dhe ambicien për ta çuar punën më tej, do të jetë në habitatin e duhur me mua në drejtimin e ministrisë. Ndërsa kush nuk e ka pasionin e mjaftueshëm dhe ndjehet i vetëkënaqur apo i pamotivuar për të bërë më shumë, duhet ta gjejë pa humbur kohë edhe pasionin edhe motivimin.
Për mua është një nder i madh të jem në këtë detyrë dhe është po kaq edhe një borxh i madh ndaj kryeministrit që më propozoi, parlamentit që më votëbesoi e patjetër, të gjithë qytetarëve që e kanë besuar këtë shumicë qeverisëse.
Këtë borxh do të përpiqem me gjithe fuqitë e mia ta shlyej me punën e me rezultatet e punës së këtij institucioni. Ju lutem përulësisht të gjithë drejtuesve e punonjësve të institucionit, si edhe të gjithë pjesëtarëve të nderuar të rrjetit të shërbimit tonë të jashtëm, të bëjnë më të mirën e tyre.
Dera ime do të jetë e hapur për gjithkënd që ka një ide, kërkesë apo ankesë, për këdoqoftë e për çfarëdoqoftë, por njëkohësisht edhe vendimmarrja ime do të jetë e vendosur për të mos toleruar asnjë zvarritje, pengesë a vonesë të shkaktuar subjektivisht.
Ju uroj të gjithëve gëzuar e mbarësi në këtë vit që sapo ka nisur dhe suksesi i përbashkët qoftë çdo ditë udhërrëfyesi i përpjekjes sonë në shërbim të punëve të jashtme e të integrimit europian të Shqipërisë.

Adresa

Plateia “Arch.Spyridonas” ,13, Odos “Anastasiou Zini”,
12, T.K. 45444, Ioannina, Greece

Tel / Fax

Tel. +30 26510 21330 +30 26510 22636
Fax. +30 26510 37768
Nr. i emergjences: +306971533398

E-MAIL

consulate.ioanina@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00