Fitimi i shtetësie

Fitimi i shtetësisë

A)  Fitimi i shtetësisë me lindje

Çdo fëmijë që lind jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare e fiton vetiu shtetësinë shqiptare.

Prindërit e fëmijës duhet të paraqiten në ambasadë për deklarimin e lindjes së fëmijës me dokumentet e nevojshme:

- Certifikatën e lindjes së fëmijës;

- Deklaratën e prindit jo shqiptar për pëlqimin e tij që fëmija të marrë shtetësinë shqiptare.

Të dy këta dokumente duhet të jenë të vertetuar nga autoriteti kompetent i vendit përkatës

B) Fitimi i shtetësisë me natyralizim

Fitimi i shtetësisë me natyralizim bëhet kur i huaji plotëson kushtet e përcaktuara nga ligji për shtetësinë shqiptare:

1. Të ketë mbushur moshën 18 vjeç;

2. Të ketë banuar ligjërisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të vazhdueshme, për jo më pak se 5 vjet;

3. Të ketë banesë dhe të disponoje të ardhura të mjaftueshme;

4. Të mos ketë qenë ndonjëherë i dënuar (në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë vend tjetër) për vepra penale, për të cilat ligji parashikon dënime me jo më pak se 3 vjet heqje lirie. Përjashtime nga ky rregull bëhen në rastet kurvlerësohet se dënimi është dhënë për motive politike.

5. Të ketë njohuri të paktën fillestare të gjuhës shqipe;

6. Me marrjen e shtetësisë të mos preket siguria dhe mbrojtja e Republikës së Shqipërisë.

 

Shënim: Republika e Shqipërisë lejon dyshtetësinë, pra për të fituar shtetësinë shqiptare të huajt nuk janë të detyruar të lënë shtetësinë/shtetësitë e vendeve nga vijnë.

 

Dokumentet e nevojshme për fitimin e shtetësisë me natyralizim:

 

1. Kërkesa e shtetasit të huaj drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Kjo kërkesë duhet të përmbajëidentitetin e plotë të kërkuesit (emër, mbiemër, datëlindje, vendlindje, shtetësi), adresën e saktë të vendbanimit të tijtë përhershëm dhe adresën ku pret informim për ecurinë e aplikimit të tij si dhe arsyet e kërkesës për fitimin e shtetësisë shqiptare. Kërkesa nënshkruhet me emër, mbiemër e firmë nga kërkuesi;

2. Mendimi me shkrim i nëpunësit që pranon dokumentet për nivelin e njohurive të gjuhës shqipe;

3. Certifikata e lindjes, origjinale dhe e legalizuar në ambasadë;

4. Leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë sipas kritereve të ligjit për shtetësinë (fotokopje e noteruar), nëse banon në Shqipëri;

5. Akti i pronësisë së banesës ose kontrata e zënies me qira të banesës (fotokopje e noteruar);

6. Kontrata e punës për të punësuarit ose vërtetimi nga zyra e tatimeve për të vetpunësuarit ose investitorët (fotokopje e noteruar);

7. Dokumente që vërtetojnë disponimin e mjeteve financiare të mjaftueshme për jetesë, si garanci bankare, librezë kursimi, vërtetime zyrtare të ardhurash (fotokopje e noteruar);

8. Dëshmia e penalitetit e marrë në vendin e origjinës dhe në vendin ku kërkuesi ka pasur qëndrim legal për gjashtë muajt e fundit;

9. Dokumenti që vërteton qenien azilant, nëse është i tillë (fotokopje e noteruar);

10. Mendimi me shkrim i komisariatit të policisë vendore për sjelljen dhe qëndrimin e kërkuesit, nëse banon në Republikën e Shqipërisë;

11. Fotografia e aplikuesit, tre copë ( në rast se ka fëmijë të mitur, fotografi për secilin prej tyre);

12. Certifikata (kur është e nevojshme) për të vërtetuar origjinën shqiptare  të kërkuesit, deri në dy shkallë, qoftë dhe nga njëri prind.

 

Tarifa për veprimet me shtetësinë nëpërmjet Konsullatës

Për shërbimet që do të kryhen, aplikuesi bën paraprakisht pagesën prej 30€ në llogarinë e Konsullatës për shërbimet konsullore dhe e dorëzon dëshminë e pagesës së bashku me dokumentet e tjerë. Pagesa është e pakthyeshme.

Adresa

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë
München / Germany
Ehrenbreitsteiner strasse 28, 2 OG, 80993 München

Tel / Fax

Tel:+49 (0) 8992284522
+49 (0) 8992284524
Fax: +49 (0) 8992284523
Raste emergjente nr.
Tel: +4915237913997​

Orari zyrtar

E Hënë - e Premte
09:00-14:00