Lënia e shtetësisë

Lënia e shtetësisë shqiptare bëhet me dekret të Presidentit të Republikës, ndërsa përpunimi i kërkesës për lënien e shtetësisë bëhet nga Ministria e Brendshme.

Shtetasi që dëshiron të heqë dorë nga shtetësia shqiptare duhet detyrimisht të ketë siguruar më parë premtimin e shtetësisë gjermane.

Aplikimi për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare është individual, pra bëhet nga vetë personi që kërkon të heqë shtetësinë ose nga një person i afërm i autorizuar me prokurë. Përjashtim lidhur me këtë bëjnë të miturit deri në moshën 14 vjeç, për të cilët aplikojnë prindërit e tyre. Kurse për fëmijët e moshës 14 deri 18 vjeç, aplikimi është individual, por duhet shoqëruar nga deklaratat noteriale e të dy prindërve (e cila bëhet në Konsullatë). Në rast se fëmija ka vetëm një prind ose ka një kujdestar, aplikimit i bashkëlidhen dokumentet që konfirmojnë kujdestarinë mbi fëmijën.

 

Autoritetet që pranojnë kërkesën për lënie shtetësie

Kërkesa për lënien e shtetësisë mund të bëhet:

-direkt në komisariatin e policisë në Shqipëri në zonën ku figuron i regjistruar shtetasi;

-ose direkt nëpërmjet Konsullatës.

 

Kërkesa për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtme:

1. Kërkesë e shtetasit shqiptar drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, me anë të së cilës paraqiten arsyet e kërkesës për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare. Kërkesa duhet të përmbajë identitetin e plotë të kërkuesit (emër, mbiemër, datëlindje, vendlindje, shtetësi), adresën e saktë të vendbanimit të tij të përhershëm dhe adresën (si dhe nr. tel.) ku pret informim për ecurinë e kërkesës së tij. Kërkesa nënshkruhet me emër, mbiemër e firmë nga kërkuesi;

2. Premtim i shtetësisë gjermane (Einbürgerungszusicherung), i vulosur me Apostille nga zyrat gjermane (Bezirksregierung ose Regierungspräsidium ose Landesverwaltungsamt);

3. Dokument që vërteton vendbanimin (Erweiterte Meldebescheinigung), i vulosur me vulë Apostile nga zyrat gjermane (Bezirksregierung ose Regierungspräsidium ose Landesverwaltungsamt);

4. Certifikatë lindje shqiptare. Personat që kanë lindur në Gjermani, duhet gjithashtu te marrin nje Ekstrakt Lindje (Auszug aus dem Geburtseintrag ) nga Zyra e Gjendjes Civile ne Gjermani, i vulosur me vulë apostile nga autoritetet gjermane;

5. Certifikatë familjare shqiptare;

6. Vërtetim i gjendjes Gjyqësore (Dëshmi penaliteti) në Shqipëri;

7. Vërtetim nga Gjykata e Rrethit në Shqipëri, që nuk ka procese gjykimi të hapura;

8. Vërtetim nga Prokuroria e Rrethit në Shqipëri, që nuk ka hetime në proces;

9. Vërtetim nga Zyra e Përmbarimit në Shqipëri, që nuk ka detyrime financiare;

10. Vërtetim nga Kryetari i Njësisë Administrative në Shqipëri, për regjistrimin si banor i njësisë;

11. Certifikatë  martese e aplikantit, (nëse është i martuar), në Shqipëri. Ose nëse martesa është bërë Gjermani, duhet të merret Certifikata e martesës (Heiratsurkunde) në vendin ku është lidhur martesa, e vulosur me Vulë Apostile nga zyrat gjermane;

12. Për fëmijët 14 deri 18 vjeç duhet një deklaratë noteriale e të dy prindërve, ku të shprehet pëlqimi i tyre për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare. Deklarata mund të bëhet në Konsullatë, tek noteri gjerman, por i vulosur më pas me Vulë Apostile ose tek noteri shqiptar. 

 

Udhëzime

Vërtetimet/dokumentat të rëndituara më lartë: pikat 6, 7, 8, 9,10, të cilat merren në Shqipëri, duhet të jenë patjetër me të dy mbiemrat, pra ate te vajzerise dhe ate pas martese.

- Dokumentet e pikave 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10,11 (11 nëse martesa është lidhur në Shqipëri) merren në institucionet përkatëse në Shqipëri. Këto dokumenta nuk kanë nevojë për vulë apostile;

- Dokumentet e përmendura në pikat 2,3 (4 nëse shtetasi ka lindur në Gjermani dhe 11 nëse martesa është lidhur në Gjermani) merren nga autoritetet gjermane dhe vulosen me Vule Apostile (Apostille Stempel) 

- Kur martesa është bërë në një vend të tretë, dokumenti i pikës 11 duhet marrë nga autoritetet e atij vendi, të pajiset me Apostille (ne ate vend), të përkthehet në shqip nga perkthyes shqiptare i licencuar;

- Fëmijët e lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë duhet të jenë paraprakisht të regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile në Shqipëri;

- Të gjitha dokumentet duhet të jenë në origjinal;

- Në rast se kërkesa për lënien e shtetësisë bëhet nëpërmjet Konsullatës, duhet që në Konsullatë të dorëzohet komplet dokumentacioni i përmendur më lart, përfshirë dokumentet që merren nga i interesuari në zyrat përkatëse në Shqipëri;

- Si afat vlefshmërie i dokumentit të premtimit të shtetësisë gjermane pranohet afati kohor që përmban vetë dokumenti. Përsa i përket dokumenteve të tjera:

1. Kur kërkesa për lënien e shtetësisë bëhet direkt në komisariat nga vetë shtetasi, dokumentet nuk duhet të jenë më të vjetra se tre muaj nga data e lëshimit;

2. Kur kërkesa bëhet nëpërmjet Konsullatës, dokumentet nuk duhet të jenë më të vjetra se tre muaj nga data e lëshimit deri në datën e pranimit të dokumenteve nga Konsullata;

- Dokumentet duhet të jenë në harmoni të plotë me njëri-tjetrin dhe pa gabime e korrigjime;

- Kohëzgjatja e procedurës varion 4 - 6 muaj.

 

Tarifa për veprimet me shtetësinë nëpërmjet Ambasadës

Nëse kërkesa për lënien e shtetësisë bëhet nëpërmjet Konsullatës, aplikuesi bën paraprakisht pagesën prej 30€ (përveç pagesës për legalizimin e dokumenteve) në llogarinë e Konsullatës Mynih për shërbimet konsullore dhe e dorëzon dëshminë e kësaj pagese në Konsullatë së bashku me dokumentet e tjera. Pagesa është e pakthyeshme.

 

Përfundimi i procedurës

Zyra e Presidencës e përcjell si rregull konfirmimin e dekretit për lënien e shtetësisë  drejtpërdrejt tek i interesuari në adresën e dhënë prej tij në Gjermani. Ky veprim shënon edhe përfundimin e procedurës.

Lidhur me konfirmimin e lënies së shtetësisë, nga autoritetet gjermane shpesh kërkohet një vërtetim nga Konsullata. Për këtë duhet që të bëhet kërkesa në Konsullatë, duke paraqitur dokumentin e marrë nga Zyra e Presidencës. Ky vërtetim ka një tarifë konsullore prej 30€, shumë e cila duhet të derdhet paraprakisht në llogarinë e Konsullatës Mynih për shërbimet konsullore. Zarfi që dërgohet në Konsullatë duhet të përmbajë: Dokumentin e Zyrës së Presidencës, dëshminë e pagesës 30€ dhe një zarf me kthim të paguar dhe me adresën e marrësit në të.

Adresa

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë
München / Germany
Ehrenbreitsteiner strasse 28, 2 OG, 80993 München

Tel / Fax

Tel:+49 (0) 8992284522
+49 (0) 8992284524
Fax: +49 (0) 8992284523
Raste emergjente nr.
Tel: +4915237913997​

Orari zyrtar

E Hënë - e Premte
09:00-14:00