Martesat

Martesat dhe regjistrimi i akteve martesore

 

Martesat, kur të paktën njëri nga bashkëshortët e ardhshëm është me shtetësi shqiptare e me qëndrim të rregullt në Gjermani, mund të lidhen në zyrën e gjendjes civile në Gjermani, në zyrën e gjendjes civile në Shqipëri, ku bashkëshorti shqiptar figuron i regjistruar ose në Konsullatën e Përgjithshme në Mynih.

Martesat në zyrat e gjendjes civile në Gjermani apo kryhen vetëm kur bashkëshortët kanë qëndrim të rregullt në Gjermani.

Për martesat që do të lidhen në Shqipëri, rekomandojmë që më parë të merret kontakt me zyrën e gjendjes civile për të sqaruar më hollësisht formalitetet.

 

A. Lidhja e martesës në Konsullatë

Dokumentacioni i nevojshëm kur bashkëshortët e ardhshëm janë me shtetësi shqiptare:

1. Certifikatë për lidhje martese (marrë në gjendjen civile përkatëse në Shqipëri dhe e legalizuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme Tiranë);

2. Kopje e kartës së identitetit;

3. Pasaportë biometrike dhe dokumente të rregullta qëndrimi në Gjermani (p.sh. leje qëndrimi).

 

Dokumentacioni i nevojshëm kur njëri nga bashkëshortët është i huaj:

1. Leje martese e vërtetuar (beglaubigt) sipas rastit në zyrën përkatëse në Landesverwaltungsamt, Bezirksamt, Regierungspräsidium ose Polizeidirektion. Në rast se shtetasi nuk është gjerman, leja e martesës duhet të vërtetohet nga ambasada përkatëse e vendit të huaj;

2. Certifikatë lindje e vërtetuar (beglaubigt) ose pajisur me vulën Apostille; 

3. Pasaportë gjermane ose me lejen përkatëse të qëndrimit të rregullt në Gjermani.

Dokumentet për lidhje martese kanë afat vlefshmërie deri në 3 muaj.

 

Paraqitja personale dhe dëshmitarët

Për lidhjen e martesës është e nevojshme prania personale e dy bashkëshortëve. Ata duhet të shoqërohen secili me nga një dëshmitar, të cilët duhet të kenë me vete dokumente identifikimi dhe  të jenë me qëndrim të rregullt në Gjermani.

 

Lëshimi i aktit martesor

Lidhja e martesës në Ambasadë konfirmohet me aktin martesor. Tarifa e lëshimit të aktit është 30€. Kjo shumë duhet të derdhet paraprakisht në llogarinë bankare të ambasadës.

 

B. Lidhja e martesës në Gjermani

 

Për dokumentacionin dhe formalitetet e tjera që kërkohen nga zyrat gjermane ju rekomandojmë të kontaktoni me to dhe të sqaroheni për procedurat. Dokumenti kryesor që kërkohet për martesat është certifikata për lidhje martesore (Ehefähigkeitszeugnis) nga zyra e gjendjes civile në Shqipëri.

Për lëshimin e certifikatës për lidhje martesore, zyra e gjendjes civile në Shqipëri kërkon dokumentet e mëposhtme të bashkëshortit/es gjerman/e:

1. Çertifikatë lindje internacionale;

2. Dokument që vërteton banimin në Gjermani (Erweiterte Meldebescheinigung);

Duhet të kihet parasysh që dokumentet nuk duhet të jenë më të vjetra se 3 muaj. 

Për marrjen e dokumenteve të nevojshme në Zyrën e Gjendjes Civile në Shqipëri shtetasi/shtetasja shqiptar/e mund të paraqitet vetë zyrën e gjendjes civile atje ose mund të autorizojë me prokurë një njeri të afërm. Konsullata nuk mund të sigurojë për ju dokumente të zyrës së gjendjes civile si certifikata, leje martese, etj.

Pas marrjes së dokumenteve nga zyrat shqiptare, ata duhet të apostilohen në Ministrinë e Punëve të Jashtme në mënyrë që të jenë të vlefshme për t’u përdorur për lidhjen e martesës pranë zyrave Gjermane.

 

Regjistrimi i martesave në zyrat e gjendjes civile në Shqipëri

Regjistrimi i martesave të lidhura pranë zyrave gjermane të gjendjes civile mund të bëhet drejtpërdrejt prej vetë të interesuarave në zyrat përkatëse të gjendjes civile në Shqipëri. Por ky veprim mund të kryhet dhe përmes Konsullatës.

Nëse regjistrimin doni që ta bëni vetë, atëherë ju nevojitet që të apostilloni ne zyrat gjermane te landeve çertifikatëne martesës në origjinal dhe ta merrni atë me vete për tu paraqitur në zyrën përkatëse të gjendjes civile në Shqipëri. Nëse do të vendosni që regjistrimi të kryhet përmes Konsullatës, do të paraqisni certifikatën e martesës në origjinal të apostiluar (Apostille Stempel) sipas rastit në zyrën përkatëse në Landesverwaltungsamt, Bezirksamt, Regierungspräsidium ose Polizeidirektion. Bashkë me certifikatën duhet të jepni edhe adresën e zyrës së gjendjes civile në Shqipëri, ku figuroni të regjistruar. 

Për veprimin e regjistrimit të martesës nëpërmjet Konsullatës paguhet tarifa e Vërtetimit të Përkthimit prej (10€) në llogarinë e Konsullatës për shërbimet konsullore.

Procedura e regjistrimit nëpërmjet Konsullatës kryhet me anë të postës dhe nuk ka nevojë për paraqitje personale. Zarfi që dërgohet në Konsullatë duhet të përmbajë një kërkesë të shkruar nga ju, certifikatën e martesës, kopjen e pasaportes ose kartes se identitetit, dëshminë e pagesës .

Lënia paregjistruar e martesës nuk lejon ndryshimin e gjendjes tuaj civile në Shqipëri. Për pasojë nuk mund të kryeni veprime të tjera që kanë lidhje me këtë ndryshim, si p.sh. regjistrimin e fëmijëve.

 

C. Lidhja e martesës në Shqipëri

 

Dokumentet që duhet të paraqiten në zyrën e gjendjes civile në Shqipëri nga shtetasi/ja gjerman/e janë:

1. Certifikatë për lidhje martese (Ehefähigkeitszeugnis);

2. Certifikatë lindje (Geburtsurkunde);

3. Dokument që vërteton banimin në Gjermani (Meldebescheinigung).

Të gjithë dokumentet e mësipërme duhet të mos jenë më të vjetra se 3 muaj dhe duhet të jenë me vule Apostille nga zyrat e landeve gjermane

Adresa

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë
München / Germany
Ehrenbreitsteiner strasse 28, 2 OG, 80993 München

Tel / Fax

Tel:+49 (0) 8992284522
+49 (0) 8992284524
Fax: +49 (0) 8992284523
Raste emergjente nr.
Tel: +4915237913997​

Orari zyrtar

E Hënë - e Premte
09:00-14:00