Me rastin e Ditës së Mbrojtjes së të Dhënave, Shqipëria nënshkruan Konventën e Tromsø dhe Konventën 108+ për mbrojtjen e të dhënave personale.

Më 28 janar 2022, Ambasadori Dastid KORESHI, Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Këshillin e Evropës, nënshkroi në zyrën e Bjørn Berge, Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm, Konventën e Këshillit të Evropës për Aksesin në Dokumentet Zyrtare (CETS Nr. 205), e njohur gjithashtu si Konventa e Tromsø, duke e çuar numrin e nënshkrimeve në 20.

Kjo Konventë është instrumenti i parë ligjor ndërkombëtar detyrues që njeh të drejtën e përgjithshme të aksesit në dokumentet zyrtare të zotëruara nga autoritetet publike. Traktati përbën një moment historik në promovimin e qeverisjes demokratike, hapjes, demokracisë pjesëmarrëse dhe në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të tjera themelore të njeriut.

Po ashtu, Ambasadori KORESHI, nënshkroi edhe Protokollin ndryshues të Konventës për Mbrojtjen e Individëve në lidhje me Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale (CETS Nr. 223), e njohur si Konventa 108+, duke e çuar numrin e nënshkrimeve në 44.

Ky protokoll synon të modernizojë dhe përmirësojë Konventën 108, i vetmi instrument ndërkombëtar detyrues me rëndësi globale në këtë fushë. Protokolli trajton sfidat e reja për mbrojtjen e privatësisë që rezultojnë nga përdorimi i teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit që janë shfaqur që nga miratimi i Konventës në 1980.

Adresa

Misioni i Përhershëm i Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës
2 rue Waldteufel,
67000 Strasbourg

Tel / Fax

Tel. +33 388 36 02 06
Fax. +33 967 15 02 06
Nr. i emergjences: +33 3 88 36 02 06

E-MAIL

mission.coe@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00