Punimet e ditës së dytë të Konferencës së Ambasadorëve, nisën me panelin “Stabiliteti dhe sfidat aktuale në rajonin e Evropës Juglindore”, të moderuar nga gazetari Baton Haxhiu.
Pjesëmarrësit në panel: Mimi Kodheli, Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme; Bujar Osmani, ish-MPJ i Maqedonisë së Veriut; Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal; Ardian Haçkaj, Drejtori i Kërkimeve në Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim, diskutuan rreth forcimit të rolit të Shqipërisë si nxitëse e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.
Ish-MPJ i Maqedonisë së Veriut theksoi se faza politike e integrimit duhet të ketë një nënshtytje rajonale.
“Në vitin 2002, në Maqedoni kanë qenë vetëm 0.2% shqiptarë. Ka pasur vetëm një shkollë të vetme shqipe, por më pas Maqedonia bëri ndryshime në parim. Maqedonia duhej të bashkëpunonte me Shqipërinë për ta ndihmuar në integrim dhe pozicioni i Shqipërisë në këtë aspekt ka qenë korrekt”, tha ai.
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, u shpreh se një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në situatën e rajonit ka qenë edhe faza e zgjatur e stanjacionit.
Majlinda Bregu: “Rajoni sot ka një ndërgjegjësim të ri. Nëse para 6 vitesh më pak se gjysma e qytetarëve të rajonit mendonin se kishin nevojë të bashkëpunonin me njëri-tjetrin, sot 82% prej tyre besojnë se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm. Kjo do të thotë që koncepti i fqinjësisë së mirë është gjithashtu një nga kushtet kryesore të integrimit evropian për pjesën dërrmuese të popullsisë”, tha ajo.