Pas 10 ditëve të mbushura plot me aktivitete të shumta kulturore, historike dhe artistike, përmbyllëm sot me sukses programin e shkollës verore “Jam Shqiptar”.
Në ceremoninë përmbyllëse të aktivitetit që u mbajt në MEPJ, me 20 nxënësit e shkollave shqipe në Itali, zv.Ministrja Megi Fino shprehu mirënjohjen dhe përgëzimet e saj për punën dhe përkushtimin e treguar nga të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët.
Ajo theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe vlerësoi programin “Jam Shqiptar” si një nismë të suksesshme në këtë drejtim.
Në përfundim të ceremonisë, u shpërndanë certifikatat “Jam shqiptar”për nxënësit e diasporës pjesëmarrës në këtë program.
Aktiviteti u mbyll me një program të shkurtër artistik dhe kulturor, ku nxënësit shpalosën arritjet e tyre gjatë zhvillimit të shkollës verore, si recitime të poezive të ndryshme të autorëve shqiptarë, këngë dhe valle tradicionale shqiptare.
Ky program u mundësua falë bashkëpunimit të ngushtë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve.
Shteti shqiptar ka qenë dhe do të vijojë të jetë pranë jush për të mbështetur ruajtjen dhe kultivimin e kësaj gjuhe të lashtë, përmes hartimit, botimit dhe shpërndarjes së teksteve të përbashkëta me Kosovën, të gjuhës dhe kulturës shqiptare, digjitalizimin e veprave duke mundësuar aksesin për ju dhe çdo moshatar tuajin kudo në botë, si dhe bashkëveprimin e ngushtë me shoqatat shqiptare aktive me kontribut në ngritjen e shkollave shqipe.