Historiku i krijimit të institucionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të shtetit shqiptar

Krijimi i Institucionit Ministrisë Punëve Jashtme (MPJ) shtetit modern shqiptar daton me krijimin e Qeverisë Përkohshme Vlorës me 4 dhjetor 1912, pak ditë pas deklarimit shkëputjes Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Kryeministri i Qeverisë Përkohshme, Ismail Qemali, mbajti edhe postin e Ministrit Punëve Jashtme deri qershor vitit 1913.

Më pas ky funksion i kaloi Myfit bej Libohovës i cili e ushtroi atë deri fund janarit vitit 1914. MPJ këtë periudhë funksionon si një seksion i Qeverisë Përkohshme, me objektiv kryesor sigurimin e njohjes pavarësisë Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha Konferencën e Ambasadorëve Londër. Për realizuar këtë objektiv u kryen edhe shërbimet e para diplomatike siç ishte dërgata diplomatike e Qeverisë Vlorës Konferencën e Ambasadorëve, e kryesuar nga diplomati personal i kryeministrit Rasih Dino.  

1913-1920

Me vendimin e 29 korrikut 1913, Konferenca e Ambasadorëve të 6 Fuqive te Mëdha në Londër, vendosi që Shqipëria e kufijve që përcaktoi kjo Konferencë, të formohej si “… principatë autonome, sovrane dhe trashëgimore …nën garancinë e të 6 Fuqive. Princi do të caktohet nga të 6 Fuqitë. Çdo lidhje sovraniteti midis Turqisë dhe Shqipërisë përjashtohet….Kontrolli i administratës civile dhe i financave të Shqipërisë i besohet një Komisioni Ndërkombëtar të përbërë nga delegatët e të 6 Fuqive dhe nga një delegat i Shqipërisë”. Deri në mbërritjen e princit, çdo gjë do ti nënshtrohej kontrollit të Komisionit Ndërkombëtar. Në rrethanat e një situate të vështirë të krijuar brenda dhe jashtë vendit, më 15 janar 1914, Ismail Qemali u detyrua ta kalonte pushtetin ne duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Ky Komision u ngarkua nga Konferenca e Ambasadorëve që të përpunonte një projekt për organizimin e hollësishëm të administratës shqiptare. Më 7 mars të vitit 1914 mbërrin në Durrës princi gjerman Wilhem Wieddi. Princi i Shqipërisë emëroi më 17 mars 1914 “Qeverinë definitive”. Kryeministri i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme i shtetit të ri shqiptar të njohur zyrtarisht, ishte Turhan Pashë Përmeti, ish-ambasador i Perandorisë Osmane në San Petersburg. Turhan Pasha qëndroi si ministër i jashtëm deri më 28 maj 1914, më pas u zëvendësua nga Prenk Bibë Doda dhe ky i fundit, mbas korrikut u pasua nga Mehmed Konica. Meqenëse Italia dhe Austro-Hungaria ishin autorët e formulës për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, kapiten Castoldi, oficer Italian, ishte “i komanduar” pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme për misionet diplomatike. Ai bashkë me diplomatin austriak Buchberger formuan kabinetin politik të princit. Përfaqësimi i parë diplomatik zyrtar shqiptar u vendos në Vjenë, përfaqësuar nga Syrja bej Vlora, dhe në Romë, përfaqësuar nga Myfid bej Libohova. Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë funksionuan deri në prag të fillimit të Luftës së Parë Botërore shtator 1914. Më 3 shtator Princ Wieddi u largua nga Shqipëria dhe vendi u kthye në një teatër lufte të shteteve ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha

Mbarimi i luftës rishtroi përpara popullit shqiptar problemin e ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar. Në këto rrethana lindi nevoja e krijimit të një qeverie kombëtare shqiptare që të shprehte interesat e shqiptarëve dhe t’i mbronte ato në Konferencën e Paqes në Paris që do të fillonte punimet në janar të vitit 1919. Për këtë qëllim, pas një pune përgatitore intensive, u vendos që të mblidhej një kongres në ish-kryeqytetin e Shqipërisë, në Durrës, në dhjetor të vitit 1918. Duke shpresuar tek mbështetja e Italisë për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, u kërkua ndihma italiane për organizimin e këtij Kongresi. Qeveria e Përkohshme e dalë nga Kongresi i Durrësit përbëhej nga 14 anëtarë. Ajo kryesohej nga Turhan Pashë Përmeti dhe Ministër i Punëve të Jashtme u emërua Myfit bej Libohova. Një delegacion i përbërë nga disa anëtarë të qeverisë dhe i kryesuar nga Turhan Pashë Përmeti u caktua t’i paraqiste Konferencës së Paqes kërkesat kombëtare shqiptare dhe t’i mbronte ato. Meqenëse në qëndrimet e saj Qeveria e Durrësit demonstroi se kishte rënë pre e interesave italiane në Shqipëri dhe nuk po përfaqësonte interesat kombëtare shqiptare, lindi nevoja e zëvendësimit të saj me një qeveri kombëtare shqiptare.  

1920- 1925

Në janar të vitit 1920, në Lushnjë, me iniciativën e patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë të kohës, u mblodh një Kongres me përfaqësues nga të gjitha krahinat e çliruara të Shqipërisë, që do të zgjidhte qeverinë kombëtare shqiptare larg influencës italiane. Më 30 janar 1920 u krijua qeveria kombëtare shqiptare, me një bazë të gjerë mbështetëse. Kryeministër i saj ishte Sulejman Delvina dhe Ministër i Punëve të Jashtme Mehmet Konica. Meqenëse Konferenca e Paqes në Paris e la të pazgjidhur çështjen shqiptare, njohjen e pavarësisë dhe kufijve të saj të përcaktuara në vitin 1913, Ministri i Jashtëm Konica u nis menjëherë në kancelaritë kryesore të Evropës të kohës për të siguruar përkrahjen e tyre në arritjen e një vendimmarrjeje për Shqipërinë.

Për të ndërtuar një shërbim të jashtëm profesionist, me një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, në tetor të vitit 1920, Ministri i Punëve të Jashtme, M.Konica, ngarkohej të gjente një konsull nga konsujt e vjetër të Austrisë që të punësohej për një periudhë 2-vjeçare për organizimin e konsullatave shqiptare e të shërbente si mësues për ato që dëshironin të hynin në shërbimin konsullor të Shqipërisë. Më pas, në gusht të vitit 1921, Këshilli Kombëtar (parlamenti) me propozimin e Komisionit për Politikën e Jashtme vendosi që të hapen konsullatat shqiptare në Brindizi, Trieste dhe Firence.

Pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve me 17 dhjetor 1920 dhe Vendimit të 9 nëntorit 1921 të Konferencës së Ambasadorëve në Paris, që risanksionuan pavarësinë e shtetit shqiptar dhe kufijtë e përcaktuar në vitin 1913, shumë shtete e njohën qeverinë shqiptare dhe filluan të vendosnin marrëdhënie diplomatike me shtetin shqiptar. Në vitet 1922-1923 u hapën legatat shqiptare në Londër, Paris, Romë, Beograd, Sofje, Athinë, Bukuresht, përfaqësia shqiptare në Lidhjen e Kombeve, si dhe konsullata të përgjithshme në Aleksandri, Bukuresht, Luksemburg, Stokholm, Trieste, dhe konsullata në Bari, Konstandinopojë, Konstancë, Hamburg, New York, Selanik, Korfuz, Vienë, Mynih, Brindizi, ndërkohë që shumë të huaj në këtë periudhë i drejtohen me kërkesa qeverisë shqiptare që të emërohen si konsuj nderi të Shqipërisë në vende të tjera.  

Në fillim të vitit 1922, në prag të hapjes së legatave të huaja në Shqipëri, Këshilli i Ministrave i propozoi Këshillit Kombëtar që të krijohej pranë Këshillit të Lartë (Regjenca) një strukturë e veçantë për ceremonitë e pritjes së përfaqësuesve të huaj. Ky propozim nuk u miratua. Këshilli Kombëtar vendosi që detyrat e kësaj strukture t’i kryente një punonjës i MPJ-se, fakt që shënon dhe fillesat e Protokollit të Shtetit pranë MPJ-së.

Nga fundi i vitit 1922, Këshilli Kombëtar i kërkoi MPJ që përfaqësitë shqiptare jashtë vendit të vinin në dijeni të gjitha kolonitë shqiptare në shtetet ku këto përfaqësi ishin akredituar për aktivitetin dhe bisedimet në Këshillin Kombëtar për problemet e kolonive shqiptare, një akt që përbën fillesat e punës së shtetit shqiptar me diasporën shqiptare në botë.

Për herë të parë MPJ krijoi strukturën e vet organizative, pra ndarjen zyrtare të punëve, me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.70, datë 6 shkurt 1923, i cili miratoi propozimin e MPJ-së për organizimin e këtij institucioni dhe emrat e personelit që do të mbulonte çdo pozicion të parashikuar pune. Në këtë organikë u shfaqën për herë të parë edhe gradat diplomatike si pozicion pune në MPJ, të marra kryesisht nga modeli turk i hierarkisë diplomatike.  

Ministria e Punëve të Jashtme do të përbëhej nga:  

•             Sekretaria e Përgjithshme

•             Sekretari i Përgjithshëm, (Xhafer Vila –Sekretari i parë i Përgjithshëm në MPJ)

•             1 Sekretar i II (emërtesë dhe jo gradë diplomatike)

•             Përgjegjësi i bazës materiale në MPJ,

•             Një arkivist dhe 1 daktilografist-protokollist,  

Drejtoria Politike dhe e Mosmarrëveshjeve

•             Drejtori

•             Sekretar i Parë

•             Sekretar i Dytë  

Drejtoria e Punëve Konsullore dhe e Tregëtisë

•             Drejtori

•             Zëvendës sekretar i I

•             Zëvendës sekretar i II

•             Kafaz i Ministrisë

•             2 punëtorë-pastrues

Pavarësisht se u miratua kjo strukturë, për shkak të mungesës së stabilitetit politik në vend dhe ndryshimeve të shpeshta qeveritare, ajo nuk funksionoi deri në dhjetor të vitit 1924.  

1925-1939

Pas krijimit të Republikës së parë të Shqipërisë, janar 1925, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ahmet Zogu, me propozimin e Ministrit të Punëve të Jashtme Hysen Vrioni, miratoi ndarjen e punëve politike nga ato konsullore-administrative dhe krijimin e një Drejtorie Politike në MPJ. Argumentet kryesore ishin rritja e aktivitetit të MPJ, nevoja për të hyrë në marrëdhënie më të drejtpërdrejta me trupin diplomatik të huaj të akredituar në Shqipëri dhe përfaqësitë shqiptare jashtë vendit, si dhe për të ndjekur me seriozitet çështjet e ndryshme që diskutoheshin në Lidhjen e Kombeve, e cila dita - ditës po merrte një rëndësi të veçantë. Tani MPJ ka dy drejtori, atë politike dhe atë konsullore-administrative.

Në tetor të vitit 1925, MPJ i propozon Këshillit të Ministrave që përfaqësitë e RSH jashtë vendit të përdornin si atashe pa pagesë studentët shqiptarë që vazhdonin studimet në këto vende. Kjo do të përgatiste edhe diplomatët e ardhshëm të karrierës që do t’i shërbenin shtetit shqiptar. Ky propozim u miratua nga Këshilli i Ministrave, por u hodh poshtë nga Këshilli Kombëtar sepse u konsiderua si një rënie e nivelit të përfaqësimit të Republikës Shqiptare tek të huajt.

Një ndër aktet e para që ndërmori kryesia e Republikës së Shqipërisë ishte thirrja që iu bë të gjitha institucioneve të larta shtetërore për përgatitjen e projekt-ligjeve organike të tyre lidhur me organizimin e këtyre institucioneve dhe ndarjet administrative të detyrave. Njëkohësisht, nisur nga modelet e institucioneve homologe jashtë vendit, MPJ i propozoi Këshillit të Ministrave fillimin e aplikimit të sistemit të gradave diplomatike gjatë karrierës diplomatike të çdo nëpunësi.   Propozimi u miratua.

Ndërkohë që konsullata e parë e nderit u çel në Kopenhagë me 1 gusht 1925, viti 1926 njohu edhe valën kryesore të hapjes së konsullatave të nderit të Republikës së Shqipërisë në botë (pa shpenzime), qëllimi i të cilave siç shprehej H.Vrioni ishte “…për me e ba të njohur vendin tonë me anë të tregtisë dhe ekonomisë, për më gjetë mbrojtje e lehtësim të shqiptarëve që ndodhen atje dhe ato që udhëtojnë për qëllime tregtare, kulturore dhe arsimore etj”.

Po në vitin 1926 Këshilli i Ministrave aprovoi edhe “’Rregullore për uniformën zyrtare të trupit diplomatik dhe konsullor” sipas modeleve evropiane.  

Në prill të vitit 1927, strukturës së MPJ-së iu shtua edhe Zyra e Shtypit, zyrë që u transferua në MPJ nga Ministria e Brendshme. Arsyet që u përdoren si argument për këtë transferim ishin “ Rëndësia që i jepet shtypit dhe influencës së tij në të zgjidhurit e çështjeve politike-diplomatike në të gjithë botën e qytetëruar, që ka nxitur shtetet perëndimore të kenë zyra të posaçme me personel të aftë për të drejtuar shtypin e brendshëm dhe për të influencuar opinionin publik të përbotshëm me anën e një propagande të posaçme në shtypin e jashtëm. Shtohet në strukturën e MPJ-së si një seksion paralel me dy seksionet e tjera të kësaj ministrie”.

Formën e organizimit dhe të paraqitjes së këtij institucioni e përcaktonte Ligji Organik i MPJ-së, hartimi i të cilit filloi që në vitin 1925, por arriti të finalizohet në vitin1929, nën kujdesin e veçantë të Ministrit të Punëve të Jashtme Rauf Fico. Ligji organik i MPJ-së u konsiderua si shtylla vertebrale e dikasterit. Në ligj përcaktohej që administrata qendrore në MPJ do të ndahej në këto zyra kryesore:

•             Sekretariati i Përgjithshëm

•             Drejtoria Politike

•             Drejtoria Konsullore, Administrative, e Kontabilitetit dhe e Personelit

•             Zyra e Shtypit i kaloi përsëri Ministrisë së Brendshme, ndërsa Protokolli i Shtetit u atashua pranë Drejtorisë Konsullore, Administrative, të Kontabilitetit dhe të Personelit.

Ky ligj rregullonte funksionimin e të gjithë shërbimit të jashtëm, duke përcaktuar detyrat e çdo pjese të strukturës së institucionit, nivelin e diplomatëve që duhet të punonin në këtë strukturë, nivelin ë përfaqësimit të Mbretërisë Shqiptare (1shtator 1928) në botë. Emërtesat e çdo lloji në MPJ do të propozoheshin nga MPJ, do të miratoheshin në Këshillin e Ministrave, në Këshillin Kombëtar e më pas dekretoheshin nga Mbreti, Zogu I.

Me kalimin e kohës ky ligj pësoi disa ndryshime në funksion të përmirësimit të tij. Një ndër këto shtesa ishte edhe përmendja në ligj që Shqipëria do të kishte një përfaqësi të përhershme në Gjenevë pranë Lidhjes së Kombeve dhe jo vetëm me dërgata të posaçme, me argumentin që të sigurohej një kontakt i përhershëm i mbretërisë me qarqet ndërkombëtare të politikës dhe shihej si një zgjidhje më ekonomike.

Po në prill të vitit 1929, u dekretua edhe Ligji për Shërbimin Konsullor , sipas të cilit përfaqësitë konsullore ndaheshin në kryekonsullata, konsullata dhe nënkonsullata. Pas dekretimit të këtij ligji, Ministri i Punëve të Jashtme Rauf Fico i kërkoi Këshillit të Ministrave shfuqizimin e Rregullores “Për uniformën e trupit diplomatik dhe konsullor shqiptar” të vitit 1926, meqë kishte shumë të meta dhe nuk ishte e përshtatshme për administratën shqiptare. Më 3 qershor 1929, Mbreti Zog dekretoi anulimin e saj.

Në janar të vitit 1932, me Urdhër Mbretëror pranë MPJ-së u krijua Biblioteka e institucionit që do të mbante në fondet e saj të gjitha shtypshkrimet e çdo veprimtarie që i përkiste Lidhjes së Kombeve. Për hapjen e kësaj Biblioteke u dërguan nga Gjeneva 171 libra të të gjitha akteve të miratuara nga kjo organizatë.  

Në janar të vitit 1936, me propozimin e Ministrit të Punëve të Jashtme Fuat Asllani, në strukturën e MPJ-së u shtua edhe Drejtoria për Lidhjen e Kombeve, e cila konsiderohej si organizata më e rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave ndërkombëtare të shqiptarëve në ato vite. Kjo drejtori do të merrej edhe me problemet e diasporës shqiptare jashtë vendit, si dhe të mbante statistikat mbi numrin dhe gjendjen e tyre. Po në këtë vit u rihap në strukturë edhe Drejtoria e Shtypit e cila u shkëput përsëri nga Ministria e Brendshme. Kjo drejtori u ngarkua edhe me detyrën e kontrollit të librave që hynin në Shqipëri.

Ndërkohë vazhdoi hapja intensive e konsullatave të nderit për të bërë të njohura vlerat e Shqipërisë në Evropë e më gjerë në pamundësi për të hapur përfaqësi konsullore shqiptare në këto shtete. Kjo situatë vazhdoi deri në vitin 1939.  

1939-1944

Pas pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, qeveria e re e krijuar më 12 prill 1939 dhe e kryesuar nga Shefqet Verlaci, ngarkoi Dr. Xhemil Dino-Ministër i Punëve të Jashtme, që të hynte në marrëveshje me Ministrin e Jashtëm Italian, Kontin Cianno, për arritjen e një akordi, në bazë të të cilit të unifikoheshin shërbimet diplomatike dhe konsullore të të dy mbretërive shqiptare dhe atë italiane dhe që marrëdhëniet ndërkombëtare të të dy shteteve të përqendroheshin në Romë pranë Ministrisë Mbretërore të Punëve të Jashtme. Në atë kohë MPJ Shqiptare kishte një personel të përbërë nga një drejtor protokolli, një drejtor politik të përkohshëm, një drejtor ad interim për punët me Lidhjen e Kombeve, një shef të shifrës, 4 sekretarë të dytë dhe të tretë, dhe 10 atashe.

Ndërsa qeveria vazhdoi punën e saj për më shumë se dy vite, deri ne 4 dhjetor 1941, veprimtaria e MPJ nuk u zgjat as edhe tre muaj. Më 3 qershor 1939, Dino dhe Ciano nënshkruan akordin në fjalë. Pasi u miratua nga Këshilli i Ministrave, akordi iu kalua me 5 qershor 1939 Mëkëmbësit të Përgjithshëm në Shqipëri Francesco Jacomoni për dekretim. Po më 5 qeshor 1939, akordi u dekretua. Në këtë akord parashikohej gjithashtu edhe “krijimi përkohësisht i një Zyre në varësi të Kryesisë së Këshillit të Ministrave e cila ngarkohej me trajtimin dhe likuidimin e çdo çështjeje me karakter administrativ e mbetur e patrajtuar deri më 3 qershor 1939 nga MPJ tashmë e suprimuar.” Pas kësaj date të gjitha aktet zyrtare i drejtoheshin Kryesisë së Këshillit të Ministrave për zgjidhje. Shërbimi diplomatik e konsullor shqiptar u suprimua nga shërbimi diplomatik e konsullor Italian. Ndërkohe pranë MPJ italiane u krijua nënsekretariati i shtetit për punët e Shqipërisë, ose siç njihesh me emrin “ Zyra Shqiptare”.

Në vitin 1940, Mëkëmbësia e Përgjithshme Mbretërore u ndodh përballë një numri të madh ankesash të shumë familjeve shqiptare të shqetësuara se nuk kishin marrë lajme prej të afërmeve të tyre që ndodheshin në shtetet që ishin në konflikt. Në këto kushte MPJ Mbretërore vendosi krijimin e një shërbimi informatash mbi shqiptarët që banonin ndër vendet e pushtuara ose armike si dhe të kolonive. Ky shërbim shkonte paralel me atë që ekzistonte për italianët në ato vende.  

Pas likuidimit të atributeve të MPJ-së Shqiptare, në janar 1941 një pjesë e personelit diplomatik shqiptar me bindje fashiste, që aktualisht ishin të papunë, u pranuan në rolin e nëpunësit për çështjet shqiptare pranë MPJ-së së Romës ose u bënë pjesë e listës së pritjes së këtij institucioni.

Nga qershori i vitit 1939 dhe deri në tetor të vitit 1943, Shqipëria nuk kishte Ministri të Punëve të Jashtme për rrjedhojë nuk ekzistonte as shërbimi diplomatik shqiptar.

Pas kapitullimit të Italisë fashiste, më 14 shtator 1943, politikanët e mbetur nga administrata e vjetër krijuan një Kuvend Kombëtar të përbërë prej 22 vetave, të kryesuar nga Pejani, si edhe një Komitet Ekzekutiv të Përkohshëm të përbërë prej 6 vetave, të kryesuar nga Ibrahim Biçakçiu, komitet i cili funksiononte si qeveri e përkohshme. Detyra e parë e këtij Kuvendi ishte të shpallte fundin e zgjedhës italiane në Shqipëri dhe të bënte thirrje për krijimin e një qeverie përfaqësuese. Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm mori në dorëzim drejtimin e punëve të shtetit deri në formimin e qeverisë. Pjesë e këtij Komiteti ishte edhe “Zyra e ngarkuar për Punët e Jashtme”. Me vendimin nr.61, datë 21 shtator 1943, Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm shfuqizoi akordin e lidhur me 3 qershor 1939 midis Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Italiane mbi unifikimin e shërbimeve diplomatike dhe konsullore.

Zyra e ngarkuar për Punët e Jashtme, dhe më vonë MPJ, gjatë kohës së pushtimit gjerman ishte ngarkuar të kryente funksionet ndërlidhëse ndërmjet Administratës Shqiptare dhe autoriteteve ushtarake gjermane. Çdo dikaster që ndeshte pengesa në punën e tij nga veprimtaria e Administratës Ushtarake gjermane në Shqipëri i drejtohej Zyrës së ngarkuar me Punët e Jashtme dhe më vonë MPJ-së.

Me Vendimin nr.68, datë 13 tetor 1943, Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm i Shqipërisë nën kryesinë e Ibrahim Biçakçiut, vendosi që në situatën e re të krijuar Shqipëria duhej të dilte si subjekt i pavarur në arenën e marrëdhënieve diplomatike ndërkombëtare. Organ i përshtatshëm për të përfaqësuar Shqipërinë do të ishte Ministria e Punëve të Jashtme e cila do të bënte hapat e duhura për rinjohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur në radhën e shteteve të tjera.  

Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm vendosi:

•           Rikrijimin e MPJ-së me të gjitha organet që kishte pasur para 7 prillit 1939

•           Rimarrjen në shërbimin e jashtëm të të gjithë atyre nëpunësve dhe funksionarëve që kishin qenë në administratën e shërbimit të jashtëm deri me 7 prill 1939 dhe që ishin të papërlyer me shërbimin Italian.

U vendos që MPJ do të kishte 87 veta nga të cilët 65 diplomatë, 5 kancelarë, kryekaliografë, përkthyes, 10 daktilografë e agjentë, 7 punëtorë pastrimi. Zgjedhjen e njerëzve do ta bënte Këshilli Administrativ i përbërë nga ish-funksionarë të lartë të MPJ para 7 prillit 1939 nën kryesinë e Zv. Ministrit të Punëve të Jashtme. Vendimet e tij do të miratoheshin nga Ministri i Punëve të Jashtme ose një prej zëvendësve të tij. Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm ngarkoi Z. Vehbi Frashëri me drejtimin e punëve me jashtë deri në formimin e Qeverisë Shqiptare.  

Në mbledhjen e V të Kuvendit Kombëtar, 22 tetor 1943, ky i fundit miratoi krijimin e Këshillit të Lartë të Regjencës dhe shfuqizimin e atyre ligjeve dhe rregulloreve të miratuara në periudhën 12 prill 1939 - 14 shtator 1943 “…që nuk pajtoheshin me frymën e vendimeve të Kuvendit Kombëtar”. Kuvendi rinjohu të gjitha dispozitat e Statutit të dt. 1 dhjetor 1928 që nuk vinin në kundërshtim me vendimet e Kuvendit Kombëtar e as me ligjet në veprim.

Më 5 nëntor 1943 u krijua qeveria me Kryeministër Rexhep Mitrovicën. Posti i Ministrit të Punëve të Jashme iu ngarkua Z. Mehmet Konica ndërsa posti i Nënministrit të Punëve të Jashtme z. Vehbi Frashëri. Z. Menhmet Konica nuk mori pjesë në betimin e kabinetit të ri qeveritar dhe nuk e ushtroi këtë detyrë deri në 6 shkurt 1944 ku Ministër i Punëve të Jashtme emërohet z. Bahri Omari. Gjatë kësaj kohe z. Rexhep Mitrovica, Kryetari i Kabinetit Qeveritar ushtroi edhe detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme. Më 17 korrik posti i Ministrit të Jashtme i kaloi z. Ekrem Vlora.

Po në nëntor 1943 Këshilli i Naltë i Regjencës, miratoi propozimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme për disa ndryshime në Ligjin Organik të MPJ-së të vitit 1929. Këto ndryshime u dekretuan në mars 1944. Në Ligjin Organik të MPJ-së ishte shtuar pika që rekrutimi i personelit të MPJ-së do të bëhej për ata që kishin qenë në shërbimin e jashtëm para 7 prillit 1939, duke konfirmuar frymën e Vendimit Nr.68, date 13 tetor 1943 të Komitetit Ekzekutiv të Përkohshëm mbi rikrijimin ë MPJ.

MPJ tani do të kishte këtë strukturë organizative:

•             Sekretari i Përgjithshëm

•             Drejtoria Politike, me tre seksione:

•             Seksioni politik

•             Seksioni i traktateve dhe punëve ekonomike

•             Seksionin e statistikës dhe dokumentimit

•             Drejtoria Administrative-Konsullore

•             Drejtoria e Ceremonive

•             Zyra e Shifrës

•             Zyra e Arkivës

•             Zyra e Kontabilitetit, personeli i së cilës do të rekrutohej nga Ministria e Financave

•             Daktilografia

•             Zyra e Ekonomatit

•             Kjo do të ishte struktura e MPJ-së deri në rivendosjen e paqes. Deri në atë kohë Shqipëria do të kishte këto përfaqësi diplomatike:

•             Legata në: Berlin, Bernë, Zagreb, Bukuresht, Sofje, Ankara.

•             Kryekonsullata në: Beograd, Athinë, Stamboll, Shkup

•             Konsullata në: Manastir, Janinë, Selanik.

Në kushtet e luftës, qeverisë nuk iu dha mundësi për të realizuar këto objektiva diplomatike. Ligji parashikonte që do të vazhdonte e njëjtë politikë e dhënies së gradave per anëtarët e shërbimit diplomatik. Gradat diplomatike do të shoqëroheshin me pagesa te diferencuara të përcaktuara në ligj.

Pas dorëheqjes së kabinetit Mitrovica në qershor 1944, në korrik 1944 formohet kabineti i Fiqiri Dines (korrik 1944 – 28 gusht 1944). Qeveria Dine ishte qeveria e fundit shqiptare nën pushtimin gjerman.

Ndërkohë, si pasojë e zhvillimeve politike që ndodhën në Shqipëri gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ) i krijuar në Konferencën e Pezës, 16 shtator 1942, dhe i drejtuar nga Partia Komuniste Shqiptare, u mblodh në Përmet në maj 1944. Me vendim të veçantë, më 28 maj 1944, KANÇ zgjodhi Kryesinë e tij. Kjo e fundit emëroi Komitetin Antifashist Nacionalçlirimtar të përbërë prej 13 anëtarësh me të gjitha atributet e një qeverie popullore provizore”. Punët me jashtë do ti mbulonte Omer Nishani, anëtar i këtij Komiteti, me emërtesën “I ngarkuar me Punë të Jashtme”. . Më 22 tetor 1944, në mbledhjen e Këshillit Antifashist-Nacionalçlirimtar e cila u organizua në Berat, u vendos transformimi i Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar në Qeveri Demokratike të Përkohshme të Shqipërisë. Omer Nishani u rikonfirmua në detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme në këtë qeveri. Që nga krijimi i Komitetit dhe deri në shndërrimin e tij në qeveri te përkohshme, aktiviteti diplomatik ishte i kufizuar, pasi Shqipëria ishte e pushtuar nga Gjermania naziste. Pas 22 tetorit 1944, MPJ e Qeverisë Demokratike të Përkohshme vazhdoi të kishte në strukturën e saj vetëm Zyrën e Ministrit dhe një person të atashuar pranë tij.  

1944-1992

Pas çlirimit të vendit, Qeveria Demokratike e Përkohshme punoi për krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të saj si dhe për njohjen e saj nga ndërkombëtarët.

Në strukturën e MPJ-së në dhjetor 1944 u krijua Sekretaria.

Struktura e MPJ-së përbëhej nga Zyra e Ministrit dhe Sekretaria. Në janar të vitit 1945 strukturës së MPJ iu shtua edhe Daktilografia. Po në këtë vit u krijua Zyra e Arkivës, Zyra e Dokumenteve, Drejtoria e Protokollit dhe e Ceremonialit dhe Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm. Në tetor të vitit 1945 u krijua Drejtoria Politike dhe Drejtoria Konsullore, në nëntor 1945 u krijua Zyra e Personelit dhe Zyra e Shifrës. Në dhjetor 1945 u krijua Zyra e Llogarisë ndërsa Zyra e Dokumenteve u kthye në Zyrë të Studimeve.  

Si për të gjithë administratën shtetërore, edhe për MPJ, u dhanë direktiva që personeli i MPJ-së tani do të rekrutohej “…nga ata të dalë nga radhët e frontit dhe pastaj nga të vjetrit si teknikë të nevojshëm për punën…” .

Aleatët e mëdhenj antifashistë ngarkuan Qeverinë Demokratike të Përkohshme si forcë politike për të organizuar zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Asambleja Kushtetuese e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 shpalli Shqipërinë Republikë Popullore dhe zgjodhi qeverinë e re të kryesuar nga Enver Hoxha. Ky i fundit mori edhe funksionet e Ministrit të Punëve të Jashtme. Dr. Omer Nishani shkarkohet nga detyra e Ministrit të Punëve të Jashtme më 9 shkurt 1946 pasi u zgjodh nga Asambleja Kushtetuese si Kryetar i Presidiumit të saj.

Jugosllavia ishte shteti i pare që njohu qeverinë e re në maj 1945 dhe në korrik u hap legata shqiptare në Beograd. Më pas vazhduan vendet e tjera të Evropës Lindore dhe Franca.

Në mars 1946 në strukturën e MPJ u krijua Ekonomati, një muaj më pas në prill 1946 u krijua Zyra e Shtypit dhe u hap Legata në Moskë. Në qershor 1946 Drejtoria e Protokollit kthehet në Shërbim Protokolli. Po në qershor 1946 hapet legata në Sofie. Në korrik 1946 u hap legata në Paris. Në fund të vitit 1946, MPJ kishte këtë strukturë :

•             Ministri

•             Sekretari i Përgjithshëm

•             Shërbimi i Protokollit

•             Drejtoria Politike

•             Drejtoria Konsullore

•             Zyra e Studimeve

•             Zyra e Shtypit

•             Zyra e Personelit

•             Zyra e Shifrës

•             Zyra e Kontabilitetit

•             Zyra e Arkivës

•             Ekonomati

•             Daktilografia

Zyrat vareshin nga Sekretari i Përgjithshëm. Drejtoritë vareshin nga Drejtorët ndërsa Sekretari i Përgjithshëm koordinonte punën ndërmjet tyre dhe ka përgjegjësinë e administrimit të të gjithë dikasterit nën drejtimin e Ministrit.  

Për vitet 1945-1946 vazhdoi sistemi i vjetër i emërtesave me gradë dhe jo me pozicion pune.

Në mars 1946, MPJ bëri një deklaratë zyrtare se ai dikaster nuk njihte asnjë përfaqësi shqiptare jashtë qoftë diplomatike apo konsullore, përveç atyre të qeverisë së RP të Shqipërisë.

Organika e parë e plotë dhe e përgatitur në përputhje me hapësirat dhe orientimet e politikës së jashtme shqiptare të asaj kohe konsiderohet ajo e vitit 1947, vit kur edhe sistemi politik i shtetit monist u instalua plotësisht. U aprovua e para Rregullore mbi Organizimin e MPJ të RP të Shqipërisë, e cila u miratua nga Këshilli i Ministrave më 7 korrik 1947. Sipas kësaj rregulloreje MPJ ishte e organizuar në këtë mënyrë:  

•             Ministri dhe 2 Nën/Ministra

•             Dega e Administratës që përfshinte:

•             Sekretarinë

•             Arkivin

•             Shërbimet

•             Drejtoria Politike që përfshinte:

•             Seksioni i I-rë ( marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik)

•             Seksioni i II-të ( marrëdhëniet me vendet e Demokracive Popullore)

•             Seksioni i III-të ( marrëdhëniet me Jugosllavinë)

•             Seksioni i IV-tërt ( marrëdhëniet me Italinë dhe Greqinë)

•             Seksioni i V-të (marrëdhëniet me Evropën Perëndimore, Amerikën, dominionet, kolonitë dhe Lindjen e Afërme dhe të Largët)

•             Seksioni i Personelit

•             Seksioni Konsullor

•             Seksioni i Protokollit dhe Ceremonialit

•             Seksioni i Studimeve të Problemeve Ndërkombëtare (kryente punët në lidhje me OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare)

•             Seksioni i Traktateve dhe Marrëveshjeve

•             Seksioni për Çështjet Ekonomike

•             Seksioni Shtypit

•             Seksioni i Llogarisë dhe Ekonomatit  

Ministri, Nën-Ministrat dhe Shefi i Administratës përbënin Kolegjiumin e MPJ-së. Kolegjiumi ishte trupi Këshillues i Ministrit. Ai mund të pranonte si anëtarë të tij për konsultim edhe ndonjë nga shefat e seksioneve të veçanta apo drejtorët sipas performancës së tyre profesionale dhe peshës së pozicionit të tyre në MPJ.

Duke pasqyruar natyrën krejt politike që mori institucioni u suprimua pozicioni i punës së Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ. Gjithçka varej nga stafi drejtues politik i institucionit.

Përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë, po sipas kësaj rregulloreje, ndaheshin në:

•             Legata

•             Krye-Konsullata

•             Konsullata

•             Nën-Konsullata.

Me kalimin e viteve, edhe struktura e MPJ-së pësoi ndryshime, bëhet më e përqendruar politikisht dhe më e përshtatur ndaj politikave të brendshme dhe të jashtme të sistemit komunist.

Në vitin 1948 u krijua edhe Biblioteka e MPJ-së si pjesë e Degës së Studimeve. Po në këtë vit hyri në përdorim termi “referent” për diplomatët që nuk zinin poste drejtuese në MPJ. Që nga viti 1950 sistemi i gradave diplomatike i trashëguar nga shteti shqiptar i paraluftës nuk figuronte më, që do të thoshte që punonjësit e MPJ-së paguheshin sipas punës që bënin dhe jo sipas gradës së tyre diplomatike. Kjo i dha një goditje të rëndë ngritjes së një shërbimi të jashtëm profesional mbi bazën e karrierës diplomatike.

Në vitin 1950, për herë të parë u shfaq pozicioni i Këshilltarit Juridik pranë Ministrit të Punëve të Jashtme.

Duke demonstruar ndarjen e madhe Lindje-Perëndim në marrëdhëniet Ndërkombëtare në kuadrin e Luftës së Ftohtë, në vitin 1951 Drejtoria Politike u nda në:

•             Dega I Politike që përfshinte vendet e kampit socialist të lindjes, dhe

•          Dega II Politike që përfshinte vendet kapitaliste perëndimore, ku pas zhvillimeve të vitit 1948, bën pjesë edhe Jugosllavia. Në këtë degë përfshiheshin edhe vendet e Lindjes së Afërt.

•             U krijua edhe Dega e Organizatave Ndërkombëtare

•             Në vitin 1954, doli më vete Seksioni Sekret dhe Arkiva, i përbërë nga 12 veta. Disa nga seksionet e tjera u kthyen në degë administrative.

Në vitet ’70-të kishte 4 drejtori politike që mbulonin rajone të ndryshme gjeografike. Në këto vite në strukturën e MPJ-së u formua edhe Komiteti i Marrëdhënieve Kulturore me Botën e Jashtme, nga ku varej edhe Redaksia e Revistës dhe gazetës “Shqipëria e Re” si pjesë e propagandës së sistemit. Kjo shtonte karakterin politik të institucionit.

Në vitin 1985 u krijua Byroja Juridike, si pjesë e strukturës së MPJ-së që deri në këtë vit përfaqësohej vetëm nga një jurist. Tani degët u kthyen në drejtori dhe seksionet në degë. MPJ kishte 7 drejtori dhe 5 degë, 2 sektorë dhe Byronë Juridike në përbërjen e vet.

Në vitin 1982 u krijua edhe Instituti për Studimin e Marrëdhënieve të Sotme Ndërkombëtare me një organike me 25 veta e në varësi të Ministrit të Punëve të Jashtme. Në vitin 1989, organika e aparatit të MPJ-së kishte 123 punonjës.  

1992-2006

Pas ndryshimeve politike demokratike që ndodhën në Shqipëri në vitin 1992 dhe frymarrjes së re që mori politika e jashtme shqiptare, Ministria e Punëve të Jashtme filloi të luante një rol të mirëfilltë profesional në hartimin e ndërtimin e politikës së jashtme të shtetit shqiptar. Politika e jashtme shqiptare paraqitet në botë me një strategji dhe taktikë të re veprimi që ndryshonte mjaft nga e kaluara. U rrit efektiviteti në hartimin e politikave dhe në vendimmarrje. Kjo u pasqyrua edhe në organizimin e ri të MPJ-së.

Struktura e MPJ paraqitej:

•             Ministri

•             Kabineti i Ministrit, (sektor që organizohet për herë të parë në MPJ që disiplinonte komunikimin e Ministrit me pjesën tjetër të MPJ-së)

•             2 Zëvendësministra

•            Sekretari i Përgjithshëm (ky post që u propozua për hërë të parë pas përfundimit të luftës, tani propozohet për të rritur saktësinë e veprimtarisë së njësive të ndryshme strukturore të saj)

•             Drejtoria e Parë Politike - (Vendet e Ballkanit dhe bota arabe)

•             Drejtoria e Dytë Politike - (Evropa, Bashkimi Sovjetik, Afrika)

•             Drejtoria e Tretë Politike - (Amerika, SHBA, Azi-Paqësor)

•             Drejtoria e Bashkëpunimit Ekonomik

•             Drejtoria e Organizatave Ndërkombëtare

•             Drejtoria e Bashkëpunimit Kulturor, Teknik dhe Shkencor. Kjo drejtori që në nëntor të vitit 1991 zëvendësonte Komitetin e Marrëdhënieve Kulturore me Botën e Jashtme. Revista dhe gazeta “Shqipëria e re” u mbyll po në nëntor të vitit 1991.

•             Drejtoria e Shtypit dhe Informacionit

•             Drejtoria e Emigracionit

•             Drejtoria e Personelit

•             Drejtoria e Çështjeve Juridike, Konsullore dhe Traktateve Ndërkombëtare

•             Drejtoria e Protokollit

•             Drejtoria e Përgjithshme e Mbështetjes, ku bënin pjesë Dega e Financës

•             Dega e Arkivit Historik, Sektori i Shërbimit Administrativ dhe Mirëmbajtjes

•             Sektori i Sigurimit të dokumentacionit dhe mjediseve në MPJ, Sektori Special

•             Sektori Shkencor i studimit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

U shkri Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik si ndërmarrje shtetërore dhe u krijua Zyra e Shërbimit të Trupit Diplomatik e cila tani do të ishte pjesë e strukturës së MPJ-së. Objekti i punës së saj do të ishte kryerja e shërbimeve komunale në përfaqësitë e huaja të akredituara në Tiranë dhe ato shqiptare jashtë vendit.

Për sa i përket stafit të MPJ-së, që në vitin 1991, kur Shqipëria kishte hyrë në epokën e pluralizmit politik, filloi të aplikohej konkursi i njohurive për rekrutimin e punonjësve të rinj në MPJ. Në vitin 1996 pati përpjekje për të filluar aplikimin e sistemit të gradave diplomatikë në shërbimin e jashtëm shqiptar, por ky proces nuk u finalizua pasi mungonte kuadri i nevojshëm ligjor. Sistemi i gradave diplomatike filloi të aplikohet me daljen e Ligjit “Për Shërbimin e Jashtëm” në vitin 1998, ligj që synonte të rregullonte krejt veprimtarinë e shërbimit të jashtëm shqiptar. Gradat diplomatike shoqëroheshin me trajtim të diferencuar financiar.

Në vitin 1997 me zhvillimet e reja që kishin ndodhur në politikën e jashtme shqiptare dhe me intensifikimin e proceseve integruese euroatlantike, struktura e MPJ-së pësoi përsëri ndryshime.

Në drejtimin e Ministrisë u shtua edhe pozicioni i Sekretarit të Shtetit për Integrimin Euroatlantik. Tani MPJ ka këto ndarje strukturore:

•             Drejtoria e OKB-së dhe Nismave të tjera Shumëpalëshe

•             Drejtoria e Bashkëpunimit Euroatlantik

•             Drejtoria e Afrikës, Lindjes së Afërt e të Mesme

•             Drejtoria e Amerikës, Azisë dhe Paqësorit

•             Drejtoria e Evropës

•             Drejtoria Rajonale

•             Drejtoria e Protokollit të Shtetit

•             Drejtoria e Çështjeve Juridike, Traktateve dhe Konsullore

•             Drejtoria e Shtypit dhe Informacionit

•             Instituti Kombëtar i Diasporës që zëvendësoi Drejtorinë e Emigracionit

•             Drejtoria Ekonomike

•         Drejtoria e Personelit, Organizimit dhe Shërbimeve, ku bënin pjesë Sektori i Personel-Organizimit, Sektori i Shërbimeve, Zyra e Ndërlidhjes (Zyra e Faksit), Sektori i Informacionit, Teknologjisë dhe Statistikës, Sektori i Arkiv-Dokumentacionit, Sekretaria Qëndrore, Biblioteka, dhe prapavija e MPJ-së.  

Më pas, në vitin 2000, kjo strukturë pësoi ndryshime. U krijuan:

Drejtoria e Përgjithshme e Integrimit Euroatlantik që përfshinte:

•             Drejtorinë e Integrimit Evropian

•             Drejtorinë e Çështjeve të Sigurisë dhe të Demokracisë  

Drejtoria e Amerikës, Azisë dhe Paqësorit u nda në:

•             Drejtori a e Amerikës

•             Drejtoria e Afro-Azisë

•             Drejtoria e Bashkëpunimit Ekonomik

•             Zyra e Përfaqësuesit Ligjor të shtetit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut

•             Zyra e Minoriteteve

•             Drejtoria e Arkiv-Dokumentacionit

•             Drejtoria e Shtypit dhe e Informacionit (pjesë u bë Sektori i Teknologjisë së Informacionit)

•             Drejtoria e Financave që zëvendësoi Drejtorinë Ekonomike

•             Drejtoria e Analizës dhe Prognozës e ngarkuar të kryejë studime dhe analiza për politika apo qëndrime të caktuara politike të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare  

Pas miratimit të Ligjit “Për Statusin e Nëpunësit Civil” në vitin 2001, pozicioni i Sekretarit të Përgjithshëm mori rolin e ndërmjetësit midis nëpunësve civilë të institucionit dhe stafit drejtues politik të Ministrisë, rol që vazhdon të ushtrohet edhe sot.

Në qershor 2002 u bënë ndryshime të tjera në strukturën organike të MPJ-së: Nisur nga pozicioni dhe roli strategjik që luan Shqipëria në rajonin e Ballkanit, u krijua:

Drejtoria e Përgjithshme Rajonale e përbërë nga :

•             Drejtoria e Marrëdhënieve Dypalëshe

•             Drejtoria e Nismave Rajonale Shumëpalëshe

•             Drejtoria e Kosovës  

Këto ndryshime përfshinin edhe krijimin e:

•             Drejtorisë së Vendeve Anëtare dhe Pranë BE-së dhe

•             Drejtorisë së Vendeve Jo-anëtare në BE.  

•             U nda Drejtoria Konsullore nga Drejtoria e Çështjeve Juridike dhe Traktateve

•             U krijua Drejtoria e Kontrollit Financiar

•             Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve (ish Drejtoria e Personel-Organizimit dhe Shërbimeve)  

Kjo formë e organizimit të MPJ vazhdoi deri më 1 mars 2006. Në këtë kohë MPJ u ristrukturua në përputhje me prioritetet e programit të ri qeverisës. Në strukturën e MPJ-së u krijuan 3 Drejtori të Përgjithshme:

•             Drejtoria e Përgjithshme e Marrëdhënieve Dypalëshe e përbëre nga:

•             Drejtoria e Evropës, Amerikës dhe Rusisë

•             Drejtoria e Azisë, Afrikës dhe Lindjes së Largët

•             Drejtoria e Përgjithshme e Marrëdhënieve Shumëpalëshe e përbërë nga:

•             Drejtoria e Organizatave Ndërkombëtare

•             Drejtoria e Nismave Shumëpalëshe

•             Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve Juridike dhe e Traktateve e përbërë nga:

•             Drejtoria Juridike dhe e Traktateve

•             Drejtoria Konsullore.  

Për të pasqyruar një dimension të ri të diplomacisë shqiptare, atë të diplomacisë ekonomike dhe kulturore, u krijua Drejtoria e Promovimit Ekonomik dhe Kulturor.

Në strukturën e re u shkri Drejtoria e Përgjithshme Rajonale dhe u krijua Drejtoria e Marrëdhënieve me Vendet Fqinjë, e përbërë nga Sektori i Kosovës, Sektori i Marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor dhe Sektori i Marrëdhënieve me Italinë, Greqinë dhe Turqinë. U shkri gjithashtu Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve si dhe Drejtoria e Arkiv-Dokumentacionit dhe u krijua Drejtoria e Personelit dhe Arkiv-Dokumentacionit dhe Drejtoria e Financës dhe Shërbimeve.

Për një koordinim më të mirë të punëve dhe shkëmbim të informacionit ndërmjet MPJ dhe përfaqësive dhe midis vetë përfaqësive, në MPJ u krijua Njësia e Ndërlidhjes, Koordinimit të Përfaqësive dhe Sekretaria Qendrore.

Kjo mënyrë organizimi strukturor vazhdoi deri në qershor 2008. Në përputhje me dinamizmin e politikës së jashtme shqiptare, struktura e MPJ ka pësuar disa ndryshime.

Në funksion të një ndjekie më të mirë të problemeve të integrimit euro-atlantik të vendit, u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Integrimit Euroatlantik dhe Marrëdhënieve Shumëpalëshe.

Duke i dhënë prioritet dimensionit rajonal të diplomacisë shqiptare u ri-krijua Drejtoria e Përgjithshme Rajonale, por me një organizim tjetër. Ajo përbëhej nga Drejtoria e Kosovës,Maqedonisë dhe Malit të Zi, Drejtoria e Italisë,Greqisë dhe Turqisë (Malta e Qipro), Drejtoria e Europës Juglindore (Serbi,Bosnjë-Hercegovinë,Kroaci,Bullgari,Rumani,Slloveni),Drejtoria e Nismave Rajonale.

Po në këtë strukturë u krijua edhe Drejtoria e Përgjithshme e Promovimit të Imazhit,Diplomacisë Publike dhe Diasporës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse.

Kjo strukturë funksionoi deri në 1 shkurt 2010. Struktura aktuale e institucionit, e përbërë nga 8 Drejtori të Përgjithshme paraqitet e plotë në rubrikën “Struktura e MPJ-së” në faqen elektronike www.mfa.gov.al dhe është ende operative si më poshtë:  

  • MINISTRI

  • Kabineti

  • Zv. Ministër

  • Zv. Ministër

  • Sekretari i Përgjithshëm

  • Drejtoria e Auditimit të Brendshëm

  • Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve Evropiane

    - Drejtoria e Evropës Perëndimore & Qendrore

    - Drejtoria e Marrëdhënieve me BE-në

  • Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Sigurisë dhe Organizatave Ndërkombëtare

    - Drejtoria e NATO-s

    - Drejtoria e Organizatave Ndërkombëtare

  • Drejtoria e Përgjithshme Rajonale

    - Drejtoria e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi

    - Drejtoria e Italisë, Greqisë, Turqisë (Vatikani, Malta dhe Qipro)

    - Drejtoria e Evropës Juglindore (Serbi, Kroaci, Bullgari, Rumani, Bosnje-Hercegovinë)

    - Drejtoria e Nismave Rajonale

  • Drejtoria e Përgjithshme e së Drejtës Ndërkombëtare dhe Çështjeve Konsullore

    - Drejtoria e Traktateve dhe së Drejtës Ndërkombëtare

    - Drejtoria Konsullore

  • Drejtoria e Përgjithshme e Marrëdhënieve Dypalëshe

    - Drejtoria e Amerikave

    - Drejtoria e Evropës Lindore

    - Drejtoria e Azisë dhe Oqeanisë

    - Drejtoria e Afrikës dhe Lindjes së Mesme

  • Drejtoria e Përgjithshme e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit

    - Drejtoria e Marrëveshjeve Ekonomike Ndërshtetërore

    - Drejtoria e Promovimit të Tregtisë dhe Investimeve

  • Drejtoria e Përgjithshme e Komunikimit

    - Drejtoria e Shtypit

    - Drejtoria e Diplomacisë Publike

    - Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit

  • Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse

    - Drejtoria e Burimeve Njerëzore

    - Drejtoria e Planifikimit, Programimit dhe Financës

    - Drejtoria Juridike

    - Drejtoria e Sekretarisë, Ndërlidhjes dhe Shifrës

    - Drejtoria e Arkiv-Dokumentacionit

  • Drejtoria e Protokollit të Shtetit

  • Instituti i Diasporës

  • Akademia Diplomatike

  • Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik

 

MINISTRAT E PUNËVE TË JASHTME QË PREJ VITIT 1912
 

4 dhjetor 1912 – qershor 1913                   Ismail Qemali

qershor 1913 – 24 janar 1914                    Myfit Libohova

17 mars 1914 – 20 maj 1914                      Turhan Përmeti

28 maj 1914 – 3 shtator 1914                     Preng Bib Doda

25 dhjetor 1918 – 29 janar 1920                 Myfit Libohova

30 janar 1920 – 14 nëntor 1920                  Mehmet Konica

19 nëntor 1920 – 1 korrik 1921                   Iljaz Vrioni

11korrik 1921 – 6 tetor 1921                       Pandeli Vangjeli

16 tetor 1921 – 6 dhjetor 1921                   Pandeli Vangjeli

7 dhjetor 1921 – 12 dhjetor 1921                Fan Noli

12 dhjetor 1921 – 24 dhjetor 1921              Xhafer Villa

24 dhjetor 1921 – 2 dhjetor 1922                Fan Noli

2 dhjetor 1922 – 25 shkurt 1924                 Pandeli Evangjeli

30 mars 1924 – 27 maj 1924                       Iljaz Vrioni

16 qershor 1924 – 23 dhjetor 1924             Sulejman Delvina

24 dhjetor 1924 – 5 janar 1925                    Iljaz Vrioni

6 janar 1925 – 31 janar 1925                       Gjergj Koleci

1 mars 1925 – 23 shtator 1925                    Myfit Libohova

28 shtator 1925 – 10 shkurt 1927                Hysen Vrioni

12 shkurt 1927 – 21 tetor 1927                    Iljaz Vrioni

1927 – 10 maj 1928                                      Iljaz Vrioni

11 maj 1928 – 1 shtator 1928                       Iljaz Vrioni

5 shtator 1928 – 13 janar 1929                    Iljaz Vrioni

14 janar 1929 – 5 mars 1930                       Rauf Fico

6 mars 1930 – 11 prill 1931                          Rauf Fico

20 prill 1931 – 7 dhjetor 1932                       Hysen Vrioni

11 janar 1933 – 6 tetor 1935                        Xhafer Villa

21 tetor 1935 – 7 nëntor 1936                     Fuat Asllani

9 nëntor 1936 – 2 prill 1939                         Ekrem Libohova

9 prill 1939 – 12 prill 1939                            Mihal Sherko

12 prill 1939 – 2 dhjetor 1941                      Xhemil Dino

3 qershor 1939 – Aktiviteti i marrëdhënieve me jashtë u mor përsipër nga Ministria e Jashtme italiane

5 nëntor 1943 – 6 shkurt 1944                    Rexhep Mitrovica, Kryeministër, ushtron edhe funksionin e Ministrit të Punëve të Jashtme

6 shkurt 1944 – 17 korrik 1944                    Bahri Omari

17 korrik 1944 – 28 gusht 1944                   Ekrem Vlora

6 shtator 1944 – 29 nëntor 1944                 Ibrahim Bicakciu

27 maj 1944 – 22 tetor 1944                        Omer Nishani,

22 tetor 1944 – 10 janar 1946                     Omer Nishani

11 janar 1946 – 18 mars 1946                     Omer Nishani

22 mars 1946 – 30 qershor 1950                Enver Hoxha

5 korrik 1950 – 23 korrik 1953                     Enver Hoxha

23 korrik 1953 – 19 korrik 1954                   Behar Shtylla

20 korrik 1953 – 21 qershor 1958               Behar Shtylla

22 qershor 1958 – 17 qershor 1970           Behar Shtylla

17 qershor 1970 – 29 tetor 1974                Nesti Nase

29 tetor 1974 – 26 dhjetor 1978                  Nesti Nase

27 dhjetor 1978 – 30 qershor 1982             Nesti Nase

30 qershor 1982 – 22 nëntor 1982             Reiz Malile

23 nëntor 1982 – 21 shkurt 1987                Reiz Malile

20 shkurt 1987 – 21 shkurt 1991                Reiz Malile

22 shkurt 1991 – 9 maj 1991                       Muhamet Kapllani

9 maj 1991 – 5 janar 1991                           Muhamet Kapllani

5 maj 1991 – 6 dhjetor 1991                        Muhamet Kapllani

18 dhjetor 1991 – 11 prill 1992                    Ilir Bocka

11 prill 1992 – 11 korrik 1996                       Alfred Serreqi

11 korrik 1996 – 12 prill 1997                      Tritan Shehu

12 prill 1997 – 25 korrik 1997                      Arjan Starova

25 korrik 1997 – 11 shtator 2001                Paskal Milo

11 shtator 2001 – 30 korrik 2002                Arta Dade

30 korrik 2002 – 18 korrik 2003                  Ilir Meta

29 dhjetor 2003 – 12 shtator 2005             Kastriot Islami

11 shtator 2005 – 01 maj 2007                   Besnik Mustafaj

01 maj 2007 – 17 shtator 2009                   Lulzim Basha

17 shtator 2009 – 17 shtator 2010             Ilir Meta

17 shtator 2010 – 2 korrik 2012                 Edmond Haxhinasto

3 korrik 2012 – 4 prill 2013                         Edmond Panariti

4 prill 2013 – 15 shtator 2013                    Aldo  Bumçi

15 shtator – në vazhdim                            Ditmir Bushati

Last Updated on E Hene, 16 Shtator 2013

Adresa

Adnan Saygun Cd. Uydu
Sk. Gündeş Apt. No:4/14 Ulus
Istanbul

Tel / Fax

Tel: +90 212 244 32 56
Fax: +90 212 244 32 38
Raste emergjente nr.
Tel: +00905396566219

E-MAIL

consulate.istanbul@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Veprime Konsullore
10:00 - 12:30