Fjala e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Sh.T.Z. Petrit Malaj në pritjen me rastin e Pavarësisë 111 së Shqipërisë

E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës, Sh.S.Znj. Vjosa Osmani,

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, Sh.T.Z Albin Kurti,

E nderuar Ministre për Punët e jashtme dhe Diasporës, Znj.Donika Gërvalla

E nderuar Ministre e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin Znj. Elisa Spiropali

Shkelqësi Ambasadorë,

Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar,

Të nderuar , ish-presidente të Republikës së Kosovës,

Deputetë,

Politikanë,

Kryetarë të partive politike,

Personalitete të shquara,

Përfaqësues të medias,

Të dashur miq,

Sot jemi mbledhur për të kremtuar sëbashku 111 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë, këtë ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët në mbarë botën, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar,

Teksa flas para jush, në mëndje kam figurat e shquara kombëtare që dhanë jetën për këtë ngjarje të madhe historike për ne shqiptarët. Ata ndihmuan të përcaktojmë se kush jemi, të na udhëzojnë mbi atë që duhet të bëjmë, e të na kujtojnë rolin që na ka dhënë historia në kohën që jetojmë. Kujtojmë me nderim Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën dhe shumë të tjerë që kontribuan me penë e armë për këtë ngjarje të madhe historike. Sot, teksa mblidhemi nën ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, na kujtohet rrugëtimi i gjatë që na ka prurë në këtë moment.

28 Nëntori nuk është vetëm një datë në kalendar; është një fener i identitetit tonë kombëtar, një simbol i shpirtit tonë të qëndrueshëm dhe një dëshmi e guximit të të parëve tanë që ëndërruan dhe realizuan një Shqipëri të pavarur.

Më shumë se një shekull më parë, ata hodhën themelet e shtetit modern shqiptar, që do të niste rrugëtimin e tij të vështirë e plot sfida në arenën ndërkombëtare. Pikërisht në Nëntor të vitit 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë shtet të pavarur e sovran, duke ndezur një flakë lirie e cila shndërrin edhe sot. Ishte një ëndërr e përbashkët dhe një zgjim kombëtar i shqiptareve.

Ndërsa nderojmë këtë ditë historike, le të kujtojmë sakrificat e bëra nga ata që erdhën para nesh. Ata nuk luftuan vetëm për integritetin territorial te shtetit te pavarur shqiptar, por edhe për idealet që na përcaktojnë: lirinë, sovranitetin dhe të drejtën për të ndërtuar fatin tonë. Le të na frymëzojë figura e Ismail Qemalit dhe e gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë, në dritësimin e kombit dhe ruajtjen e vlerave tona kombëtare, historike e kulturore.

Si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, qëndroj para jush, jo vetëm si përfaqësues i Shqipërisë, por si dëshmi e lidhjes së pathyeshme historike mes Shqipërisë e Kosovës.

Historia e Pavarësisë së Shqipërisë nuk është e plotë, pa pranuar kontributin dhe sakrificat e shqiptarëve të Kosovës, të cilët kanë qëndruar gjithmonë të palëkundur në mbështetjen e tyre për çështjen tonë të përbashkët kombëtare.

Sot, ndërsa festojmë pavarësinë tonë, ne kremtojmë edhe shpirtin e qëndrueshëm të popullit shqiptar. Një popull i karakterizuar nga guximi dhe kërkimi i palëkundur për liri. Udhëtimi ynë nuk ka qenë i lehtë. Ne jemi përballur me sfida, të vjetra dhe të reja, por i kemi përballuar bashkë, me forcën që buron nga uniteti dhe mbështetja reciproke.

Si ambasador i Republikës së Shqipërisë , është nderi e detyra ime të qëndroj në solidaritet me Kosovën, të kremtojmë arritjet e njëri-tjetrit, dhe të punojmë drejt synimeve tona të përbashkëta .

Ndërsa shikojmë nga e ardhmja, le ta ndërtojmë atë mbi trashëgiminë e të parëve tanë. Le të vazhdojmë të forcojmë lidhjet mes Shqipërisë dhe Kosovës, tashme si dy shtete vëllezër, me orientime të qarta euroatlantike, në koordinim me aleatët tanë, duke nxitur bashkëpunimin gjithëpërfshirës në arsim, kulturë, ekonomi dhe qeverisje. Le të punojmë së bashku drejt një të ardhmeje ku ëndrrat e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht vendbanimit të tyre, të realizohen në një rajon të karakterizuar nga stabiliteti, demokracia funksionale dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Sot Shqipëria ka shumë arsye që të festojë krenare për rrugëtimin e saj historik të shtetformimit, një rrugëtim i vështirë, me sfida të mëdha, por sot ajo qëndron në anën e duhur të historisë, krenare për forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe për arritjet e saj në rrugëtimin euroatlantik. Ajo është antare e palëkundur e NATO-s, shtet kandidat që ka nisur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, antare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB, së fundmi anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s. Shqipëria po e përdor me dinjitet e fuqishëm zërin e saj në këto organizma për një rajon të paqtë e të stabilizuar, për një rajon që i afrohet më shumë Evropës të cilës i përket.

Sot, Shqipëria qëndron si një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes së popullit të saj. Udhëtimi ynë drejt integrimit evropian flet shumë për përkushtimin tonë për zhvillim dhe dëshirën tonë për të qenë pjesë e një komuniteti më të madh kombesh, duke ndarë vlera dhe aspirata të përbashkëta.

Në mbyllje, dua ti bëj thirrje secilit prej jush që të krenohet me të kaluarën tonë të lavdishme, të marrë pjesë aktive në të tashmen tonë dhe të punojmë së bashku për një të ardhme premtuese. Le të vazhdojmë të frymëzohemi nga dita e 28 Nëntorit 1912 dhe le të na udhëheqë kjo frymë drejt një të ardhmeje të mbushur me shpresë, prosperitet dhe solidaritet të palëkundur.

Rroftë Shqipëria dhe Shqiptarët kudo ndodhen!

Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar.

Faleminderit

Adresa

Ambasada Shqiptare
Qyteza Pejton, Rruga Mujo Ulqinaku
18 Prishtine

Tel / Fax

Tel. + 383 38 248208
Fax. + 383 38 248 209
Nr. i emergjences:+383 45 618 618

E-MAIL

embassy.pristina@mfa.gov.al