Gjatë vizitës së punës në Prishtinë, anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të kryesuar nga Kryetarja, znj. Klotilda Bushka, dhe Zëvendëskryetarja, znj. Dhurata Çupi, zhvilluan një takim në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Anëtarët e Komisionit u pritën nga Dekani i Fakultetit, Prof.Ass.Dr.Avni Puka, Prodekanët dhe profesorë të Fakultetit Juridik.
Në takim u diskutua për rëndësinë e nismave të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë si edhe vlerën dhe dobinë e pjesëmarrjes dhe kontributeve të Fakulteteve Juridike të Universitetit të Prishtinës dhe të Tiranës si edhe të komuniteteve akademike e kërkimore-shkencore në nismat dhe programet e përbashkëta midis të dy vendeve.
Gjatë takimit u diskutua në mënyrë të veçantë dhe u evidentuan disa nga projektet në të cilët mund të përfshihen edhe studentët e fakulteteve juridike nga Prishtina dhe Tirana.
Kryetarja e Komisionit, znj. Klotilda Bushka, nënvizoi se “Mbështetja dhe përfshirja e të rinjve e studentëve në projektet e bashkëpunimit intensiv e të zgjeruar midis qeverive, kuvendeve dhe institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë është thelbësore për këtë bashkëpunim. Përfshirja u krijon të rinjve akses në vendimmarrje dhe kontribuon që bashkëpunimi të konkretizohet me punë dhe nisma konkrete.”
Gjithashtu, anëtarët e Komisionit zhvilluan edhe një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit, gjatë të cilit u shkëmbyen informacion dhe mendime për nismat dhe projektet e përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës.