Haki Çako dhe Shpend Maxhuni nënshkruajnë memorandumin e bashkëpunimit për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor

Prishtinë, 30 qershor 2016
Me qëllim të vazhdimit të avancimit të bashkëpunimit ndërpolicor ndërmjet dy vendeve, si dhe intensifikimit të marrëdhënieve përmes planifikimeve dhe zbatimit të masave të përbashkëta policore, me 30.06.2016, në Prizren, z. Haki ÇAKO drejtori i Policisë së Shtetit të Shqipërisë dhe z. Shpend MAXHUNI, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në Republikën e Shqipërisë gjatë sezonit veror.
Ky memorandum mbulon periudhën prej datës 1 korrik 2016 deri me 31 gusht 2016.
Qëllimi i këtij memorandumi është vendosja e bashkëpunimit konkret në fushën e parandalimit të kundërvajtjeve administrative, për rritjen e efikasitetit të luftës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në aksidentet rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, për krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet.
Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi të dy drejtorët, z. Maxhuni dhe z. Çako vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme të dy policive, jo vetëm në fushën e policimit rrugor por edhe në të gjitha format tjera të luftimit të kriminalitetit.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi të dy drejtorët u pajtuan që të krijohen kushte lehtësuese për qytetarët e të dyja vendeve për përdorimin e pikave kufitare dhe atyre turistike gjatë realizimit të udhëtimeve të tyre.
Në këtë takim mori pjesë dhe ambasadori Minxhozi.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Qyteza Pejton, Rruga Mujo Ulqinaku
18 Prishtine

Tel / Fax

Tel. + 383 38 248208
Fax. + 383 38 248 209
Nr. i emergjences:+383 45 618 618

E-MAIL

embassy.pristina@mfa.gov.al