Abetarja e Përbashkët Unike, zotim i përbashkët i dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, është jetësuar tashmë në një tekst të shumëpritur për nxënësit shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës e kudo ata ndodhen, i cili u përurua sot në një event të posaçëm në kryeqytet, në vigjilje të vitit të ri shkollor.
Abetarja e re, e cila ndryshon nga tekstet e mëparshme, në planin e metodave të integrimit, të leximit dhe të shkrimit, vjen për herë të parë edhe në versionin dixhital, që lehtëson ndjeshëm punën e mësuesve e të prindërve dhe ndihmon në mënyrë cilësore nxënësit.
Kryeministri Rama vlerësoi punën e përbashkët të bërë në drejtim të hartimit professional të Abetares së unifikuar, e cila vijon traditën e mësimit të gjuhës shqipe, ndër breza, më dinjitoze se çdo herë tjetër.
* * *
Mirëmbrëma të gjithëve edhe dua ta them qysh në fillim se është me të vërtetë një moment shumë i veçantë për faktin se kjo Abetare e parë e unifikuar, një punë e përbashkët mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës ishte një sfidë me kohën pasi hapi vendimtar për t’u nisur në rrugëtimin e realizimit të saj, u hodh jo shumë kohë më parë, në një mbledhje të dy qeverive dhe puna e kërkuar nga të dyja skuadrat e ngritura enkas për këtë qëllim nga autorët që konkuruan në një proçes krejt gjithëpërfshirës, nga komisioni përzgjedhës, nga shtëpitë botuese që më pas morën përsipër realizimin e saj, ishte tejet voluminoze.
Por ja ku jemi sot, pikërisht në vigjilje të vitit të ri shkollor, me një abetare të unifikuar, e cila është libër i njëjtë për nxënësit që hyjnë në dyert e shkollës për herë të parë në Shqipëri dhe Kosovë dhe një lajm shumë i mirë është se edhe miqtë dhe kolegët tanë në Maqedoninë e Veriut e përqafuan këtë ide pak më vonë, se sigurisht ideja fillimisht ishte produkt i mbedhjes së përbashkët të dy qeverive dhe sot janë në momentin kur e kanë marrë vendimin për ta futur abetaren e unifikuar edhe në klasat ku mësojnë gjuhën amtare fëmijët e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Sot, përveçse në Shqipëri gjuha shqipe ruhet dhe flitet në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, në Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, në të gjitha vendet edhe përtej këtij perimetri ku jetojnë shqiptarët dhe ku lindin dhe rriten fëmijë në familje shqiptare, jo vetëm në Europë, por deri në skajin më të largët të globit në Australi dhe për ne është një barrë e posaçme që këtë gjuhë ta mbrojmë nga kërcenimet e medha që sot janë përherë e më të pranishmë si rezultat i globalizimit, si rezultat i rrjeteve sociale, si rezultat i komunikimeve intensive elektronike, si rezultat i një përhumbjeje të përgjithshme të interesit të librit në tërësi, jo vetëm mes shqiptarëve, por botërirsht dhe si rezutat i goditjeve të njëpasnjëshme që gjuha fatkeqësisht i merr në një botë konsumi, ku pak i kushtohet vemendje korrektikimit, redaktimit, botimit të fjalëve dhe falive në gjuhën tone, të cilat jepen për konsum të përditshëm publikut, jo vetëm përmes librave, por edhe mes gjithë atyre fjalëve shqip që shkruhen dhe publikohen online.
Dhe sigurisht që kjo është një barrë e rëndë, por është një barrë e detyruar për t’u mbajtur nga qeveritë dhe sigurisht barrën kryesore e ka qeveria e Republikës së Shqipërisë në këtë drejtim e për këtë mund të them që pavarësisht përpjekjeve të bëra ka shumë vëshirësi për të ballafaquar dhe ka shumë pengesa për të kapërcyer dhe ka jashtëzakonisht shumë, jo vetëm punë, por edhe nevojë për të pasur idetë e duhura se si mund të përballet gjithë kjo furi injorance, gjysmë analfabetizmi dhe shpërdorimi ekstrem i gjuhës si rezutat pikërisht i konsumit të saj si kurrë më parë në historinë e kombit tonë dhe në historinë e njerëzimit xhanëm, sepse si kurrë më parë njerëzit marrin pjesë në një le të themi, diskutim po e quajmë, për t’i dhënë një fjalë pak më të ëmbël, sesa fjala thashethemnajë botërore përmes gjithë kanaleve të komunikimit që janë krijuar.
Gjuha jonë është një nga gjuhët më të vjetra, por është një gjuhë e shkruar relativisht vonë dhe sot është e domosdoshme që ne të gjejmë rrugët për tua treguar më mirë atyre që vijnë pas nesh dhe për ta rrënjosur me sa më shumë durim tek fëmijët tanë dhe tek femijët e fëmijëve tanë, sesa e vështirë ka qenë rruga e përpjekjeve për të mos u asimiluar dhe për të mos u zhdukur gjuha shqipe, e cila sot vazhdon të gjallojë në të gjitha hapësirat ku jetojnë shqitarët, por për të cilën janë dashur sakrifica të jashtëzakonshme, vetëmohime të jashtëzakonshme, nënpresione të jashtëzakonshme për tjetërsimin, për shpërfytyrimin e deri edhe për zhdukjen e saj. Dhe e përmendi minstrja Evisi, abetaren e Naum Veqilharxhit, abetarja e parë shqipe e vitit 1844, për të cilën akademiku, profesori Rexhep Qosja thotë se ishte vepra që paralajmëroi lindjen e një periudhe të re në historinë shqipes, rilindjes sonë. Një libër i vogël i shkruar me një alfabet origjinal u bë një “bibël” apo një “kuran”, një libër i shenjtë laik i shqiptarëve, që luajti një rol shumë të madh për mësimin dhe për përhapjen e gjuhës sonë.
Siç e shkruan edhe vetë atuori në parathënien e tij: “Mos i vështroni të voglëlmit të tij, koha do t’i rrëfejë të madh dhe të rëndëve të tij’’, në sensin e peshës, në sensin e rëndësisë që kjo abetare kishte si një gur themeltar, jo thjesht i gjuhës por i krejt ngrehinës së të menduarit të shqiptarëve, dhe abetaret shqipe në kushtet e atëhereshme në vijim u shtypën jashtën vendit, u shtypën në Bukuresht, u shtypën në Kostandinopojë, në Sofje, u shtypën në Paris, në qytete të tjera ndërsa ia vlen të kujtohet se e para herë kur një abetare u shtyp këtu në vendin tonë, ishte në Shkodër dhe sot është me vlerë po ashtu që kjo abetare e unifikuar vjen në 100 vjetorin e pavarësisë si një punë e nisur pikërisht në vigjilje te festës sonë kombëtare të nëntorit te shkuar në Elbasan, kur u mblodhëm së bashku me qeverinë e Kosovës, dhe programi i bashkëpunimit midis dy ministrive u nënshkrua pastaj relativisht shpejt, krahasuar me ecurinë ne tërësi të proceseve që ne ndërmarrim, në dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë, ku dhe pastaj u ngrit komisioni i përbashkët që ndoqi të gjithë procesin.
Thuhet nga ata që e kanë bërë, nga ata që e kanë aprovuar pastaj edhe nga ministret, unë e kam dëgjuar nga ministrja jonë këtë se kjo është një abetare ndryshe nga më e mëparshmja dhe nga të mëparshmet në planin e metodave të integrimit, të leximit e të shkrimit dhe në aspektin e intensitetit të procesit të mësuarit, qoftë të shkrimit qoftë dhe të leximit.
E për më tepër abetarja vjen edhe ne versionin digjital që lehtëson shumë punën e mësuesve dhe punën e prindërve dhe natyrisht ndihmon patjetër dhe nxënësit.
Është një gjë e bukur, është një gjë prekëse, është një gjë inkurajuese, domethënëse, por njëkohësisht është një gjë shtytëse për të gjitha gjerat e tjera, fakti që në shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës kjo Abetare do të hyjë si një material amalgamues i të gjithë procesit të mësimit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët të të parit të germave, të të shqiptuarit te germave dhe të të shprehurit me shkrim apo me gojë përmes këtyre germave, duke iu dhënë mundësinë fëmijëve shqiptarë në të dyja anët e kufirit dhe së shpejti shpresoj dhe besoj dhe fëmijëve shqiptarë në në anën tjetër të kufirit në Maqedoninë e Veriut, pastaj dhe të tjerëve dhe më gjerë që te bashkëjetojnë në të njëjtën hapësirë të mësuari, të shkuari, të lexuari, dhe të menduarit të materies bazë të gjuhës shqipe që janë germat.
Shumëkush mund të thotë qe pse u deshën kaq vite sepse idenë e Abetares unike e kemi hedhur prej kohësh, por materializimi ndodhi vetëm tani. Natyrisht që, mund të gjenden me siguri plot arsye për këtë, por unë e sjell këtu në vëmendje për te thënë që, jo vetëm kjo, por të tëra gjërat janë shumë vështirë te bëhen sesa të thuhen. Dhe këtë gjë shpeshherë ata qe ngrenë zërin me shpejtësi, madje me shumë më tepër shpejtësi sesa formulojnë edhe vetë mendimet e harrojnë.
Ne kemi ndërmarrë shumë nisma së bashku me qeveritë e Kosovës dhe ato të gjitha kanë pasur jetën e tyre, kanë pasur procesin e tyre dhe një pjesë e rëndësishme e tyre janë materializuar, një pjesë tjetër janë në rrugën e materializimit, një pjesë tjetër janë edhe të mbetura si të thuash në një faze fillestare, por kanë kërkuar kohën e tyre dhe të gjitha këto kërkojnë kohën e tyre. Kjo është e rëndësishme të thuhet për faktin se kjo Abetare që vjen dhe në 50 – vjetorin e Kongresit të drejtshkrimit vjen si të thuash edhe si një lloj oguri i mirë që e celebron pikërisht ate produkt aq të rëndësishëm kombëtar të Kongresit të drejtshkrimit.
Nuk është një Abetare që mund të konsiderohet e vonuar, por është një Abetare që vjen në kohë sipas meje. Dhe patjetër është siç thashë pak më parë edhe një shëmbëlltyrë inkurajuese, por edhe tejet nxitëse për të vazhduar me unifikimin. Ne kemi shumë gjëra për të unifikuar me Kosovën në aspektin e shumë kodeve të qarkullimit, të doganës, të punës, të procedurave administrative, të shumë, dhe në themel të tyre ky proces ka gjuhën , edhe në themel të këtij procesi qëndron domosdoshmëria për ta forcuar gjithë atë materie bazë që në fund të fundit na jep ne atë që është arsyeja pse ne jemi të njëjtë, arsyeja pse ne jemi e njëjta gjë. Gjuhen!
Nuk dua të zgjatem më tutje. Dua vetëm të them se është me shumë rëndësi që ne të bëjmë ende më shumë për mbrojtjen e gjuhës; ne të bëjmë edhe më shumë për promovimin dhe nxitjen e të shkruarit dhe të folurit të gjuhës në mënyrë të lartë, ne te bëjmë shumë më shumë për të përballuar me dinjitet gjithë vulgaritetin dhe llumin që sjell e përditshmja për shkak edhe të edhe të deformimit, edhe të abuzimit, edhe të një alternimi realisht të rrezikshëm të gjuhës. Besoj se në këtë pik na duhen jo vetëm vullneti, jo vetëm dëshira, jo vetëm puna por na duhen dhe idetë e duhura dhe do bëjmë çmos sëbashku me qeverinë e Kosovës, por edhe me të gjitha aktorët e tjerë, edhe me miqtë dhe kolegët tanë të Maqedonisë së Veriut pa diskutim që ti rrokim si duhet këto ide, duke u përpjekur që të krijojmë një hapësirë në të cilën ato të mund të lindin, të mund të bëhen të kuptueshme për politik bërjen dhe pastaj të mund të bëhen të realizueshme në procesin e vendimmarrjes. Një gjë të fundit kam, duke u nisur nga një debat që ma ha mendja më shumë e stimulojnë disa kanale komunikimi sesa e mishëron realiteti por i cili ka një te dhënë nga realiteti. Kam ndjekur disa kronika dhe disa komente për librat që kalojnë dore pas dore sipas një rregulli të përcaktuar që librat të cilat jepen falas në vendin tonë, kanë një cikël tre vjeçar dhe pretendimet janë që janë përdorur, nuk janë të rinj, nëse na i japin falas të na i japin të rinj etj, etj. Ajo që duhet kuptuar është që kjo nuk është çështje parash, kjo nuk është çështje se ne nuk i përmbahemi dot angazhimit për t’i dhënë librat falas çdo vit dhe për të gjithë për te patur libra të rinj fringo. Kjo është politikë. Është një politikë që ne nuk e kemi shpikur. Është një politikë që e bëjnë vende që i japin librat falas sepse është një politikë që synon njëkohësisht edhe edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve me idenë që libri është një pasuri, e cila ndahet me të tjerët.
Libri është një vlerë, e cila nuk të përket vetëm ty. Libri është një send që i kalon të tjerëve dhe në këtë mënyrë kjo edukatë lidhet me atë që në të nesërmen duhet të jetë edhe kujdesi për librin, duke pasur parasysh që ti merr një libër të ri, e merr të falas, por kur edhe në rastin që nuk e merr falas por që prindërit e tu apo të afërmit e tu apo miqtë e tu ta dhurojnë një libër të ri, ti duhet të kujdesesh për të e njëkohësisht duhet ta trajtosh atë me idenë që ai nuk e ka jetën të përcaktuar thjesht nga koha që ti do ta lexosh. Libri ika një jetë më të gjatë se aq dhe libri duhet të jetojë edhe përtej kohës që të duhet ty për ta lexuar apo për të mësuar mbi të dhe libri duhet kaluar tek të tjerët.
Është e rëndësishme që kjo të thuhet. E diskutuam edhe me ministren këtë gjë, është e rëndësishme që këtë gjë ta shpjegojnë dhe mësuesit për fëmijët edhe për prindërit dhe është edhe e rëndësishme mbase që të përcaktohet dhe një rregull mbase, që ata që librat i dorëzojnë në një gjendje që nuk mund të përdoren më sepse janë tejet të keqpërdorur nga nxënësi që vjen vitin e ardhshëm, në vitin tjetër ti blejnë librat, mos ti marrin më falas.
Natyrisht nuk bëhet fjalë për shumicën. Nga gjithë çfarë kemi parë shumica bën gjënë e duhur, i kalon librat tek klasa pasardhëse në një gjendje mjaftueshmërisht të mirë për të vazhduar që të përdoren, por për atë pakicë që nuk e bën këtë gjë, duhet të ketë dhe një sanksion.
E mbylla me një sanksion këtë fjalë që është kaq ceremoniale në një moment kaq ceremonial, prandaj për të shtuar dhe një fjali, që mos mbetet sanksioni në fund, dua të falënderoj Arbërien, ministren e arsimit të Kosovës. Jetonin, ministrin e Arsimit të Maqedonisë ë Veriut për praninë e tyre. Arbërien për angazhimin e saj të jashtëzakonshëm dhe për kokëfortësinë e saj që e ka famën më të madhe se sa për thjesht ata që e njohin drejtpërdrejtë, sepse pa kokëfortësinë, këto punë nuk realizohen dot. Evisin nuk diskutohet, për pasionin e madh që ka në çdo gjë që bën për këmbënguljen dhe për kujdesin e veçantë që ka për çdo detaj. Nuk diskutohet zonjën Gjokutaj që është një personazh legjendar i kësaj historie gërmash dhe abetaresh. Autorët e tjerë, shtëpitë botuese, të gjithë ata të tjerë që kanë bërë punën e tyre e që kanë marrë pjesë në një konkurs shumë të madh mbarëkombëtar dhe patjetër me këtë rast të gjithë mësuesit e Abetares kudo ku ndodhen, duke i uruar atyre në radhë të parë dhe pastaj dhe gjithë mësuesve të tjerë në Shqipëri, në Kosovë e kudo tjetër mbarësi, sukses e durim të madh sepse durimi është malli më i rrallë për tu gjetur sot në jetën e përditshme.