Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë pune në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë pune në Kosovë me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj, në kuadrin e punimeve të Konferencës së Ambasadorëve që po mbahet në Prishtinë.
Në fjalën e tij përpara Ambasadorëve të Kosovës të akredituar nëpër botë, Ministri Bushati evidentoi marrëdhëniet e shkëlqyera e vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, veçanërisht stadin e avancuar të Partneritetit Strategjik, i cili në harkun kohor ndërmjet tre mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, është thelluar e zgjeruar më tej në drejtim të bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh, atij rajonal dhe ndërveprimit të përbashkët në procesin e integrimit euro-atlantik.
Ai vlerësoi posaçërisht arritjet e fundit të Kosovës, me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe nënshkrimin e Marrëveshjes që i mundëson pjesëmarrjen në Programet e BE-së, si një fazë e re e cila i shërben avancimit të axhendës së saj europiane, nxitjes së reformave, tregtisë e investimeve, si dhe forcimit të paqes, stabilitetit e prosperitetit në Kosovë e në rajon.
Bashkërendimi i mëtejshëm i aktivitetit tonë diplomatik në funksion të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit euro-atlantik, përfshirë avokatinë e palëkundur të Shqipërisë në mbështetje të përfshirjes së Kosovës në të gjitha organizmat rajonalë e më gjerë, afrimin e mëtejshëm të saj me Bashkimin Europian dhe institucionalizimin e bashkëpunimit me NATO-n, ishte gjithashtu në fokus të fjalës së Ministrit të Punëve të Jashtëm të Shqipërisë përpara Ambasadorëve të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Ministri Bushati zhvilloi takim me Kryeministrin Isa Mustafa. Bashkëbiseduesit, duke iu referuar mbledhjes së fundit të qeverive si dhe Deklaratës së Përbashkët të nënshkruar nga dy Kryeministrat, u ndalën në punën e kryer për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, përmirësimin e klimës së biznesit e të shërbimeve, duke synuar unifikimin e tregjeve, konsolidimin e hapësirës së përbashkët energjetike e korridoreve infrastrukturore, ngritjen e urave të njohjes dhe komunikimit të kulturës e dijes mes shqiptarëve.
Ministri Bushati theksoi angazhimin dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të mbështetur avancimin e mëtejshëm të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe u ndal në bashkërendimin e përpjekjeve për procesin e njohjeve të Kosovës në arenën ndërkombëtare si dhe punën që vijon për anëtarësimin e saj në një sërë organizmash shumëpalëshe. Gjatë bisedës, palët u ndalën në situatën dhe zhvillimet më të fundit në rajon si dhe vëmendjen e veçantë që i kushtojnë të dy vendet tona këtyre zhvillimeve.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Qyteza Pejton, Rruga Mujo Ulqinaku
18 Prishtine

Tel / Fax

Tel. + 383 38 248208
Fax. + 383 38 248 209
Nr. i emergjences:+383 45 618 618

E-MAIL

embassy.pristina@mfa.gov.al