MPJD dhe MEPJ përmbyllin me sukses konkursin "Colours of Albanians 2022"

Konkursi i fotografisë "Colours of Albanians" është përmbyllur sot në Prishtinë me ceremoninë solemne për ndarjen e 10 çmimeve fituese
Konkursi që bëri hapjen në Shqipëri me 26 nëntor, është finalizuar në Kosovë pikërisht sot në shënimin e ditës së Pavarësisë së Kosovë.

Mbi 5 mijë fotografi kanë qenë pjesë e konkursit që për herë të parë ishte organizim i përbashkët mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës dhe Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë.

Nga periudha 9 javore, aq sa ishte i hapur konkursi, juria profesionale ka përzgjedhur 10 fotografi fituese nga secila kategori.

Tema e CoA, këtë vit ishte "Gjurmë Identitare" e ndarë më pas në kategori për temat si: Portret Identitar dhe Familje, Kulturë dhe Art, Stil dhe Modë, Bashkjetesë Fetare, Traditë, Zakone, Festa, Peizazh dhe Turizëm, Arkitekturë - Sport dhe Rekreacion.

Gjithashtu për herë të parë është ndarë një çmim i veçantë për diasporën.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Liza Gashi, ka thënë se janë shumë të lumtur që po e përmbyllin me sukses projektin e parë me Shqipërinë në kuadër të diplomacisë publike.

Ajo ka theksuar se ky është projekti i parë i përbashkët por jo i fundit.

"Colours of Albanians,  është aktiviteti i parë i përbashkët por nuk do të jetë i fundit, sepse synimi jonë i përbashkët në kuadër të protokollit zbatues që kemi me palën shqiptare, është që të afrojmë komunitetin tonë, por në të njëjtën kohë edhe diasporën tonë përmes peizazheve videove, por edhe përmes aktiviteteve të të dy ministrive tona", ka thënë Gashi.

Ndërsa zëvendësministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë Megi Fino, ka thënë se në ky aktivitet ka bashkuar ngjyrat e dy shteteve.

“Gjuha e artit dhe e kulturës është ajo që na ka bashkuar sot në këtë galeri ngjyrash, në këtë bibliotekë, pavarësisht se vendet tona i lidh diçka edhe më e madhe”, theksoi zv/ministrja Fino.

Ministri i Kulturës i Republikës së Kosovës Hajrulla Ceku, në fjalën e tij, ka thënë se kjo ngjarje është e veçantë sidomos për simbolikën mes dy shteteve.

Juria profesionale prej 7 anëtarëve nga Kosova dhe Shqipëria, ka zgjedhur 10 fotografitë fituese për secilën kategori, si më poshtë:

Portret Identitar dhe Familje - Enis Abdullahu      

Kulturë dhe Art -  Kushtrim Krasniqi                        

Stil dhe Modë - Erjon Braja                                        

Bashkjetesë Fetare - Adnan Beci                               

Traditë, Zakone, Festa - Ilir Agastra                          

Peizazh dhe Turizëm - Bleron Çaka                       

Flora dhe Fauna - Bleron Çaka                                   

Arkitekturë - Marko Baco                                           

Sport dhe Rekreacion -  Meriton Dajakaj                

Çmimi i Diasporës - Fjoralba Golikja.

10 fotot fituese të përzgjedhura me profesionalizëm nga juria e përbërë nga Fadil Berisha, Ilir Kaso, Arian Mavriqi, Elina Duni, Andi Deliana, Dardan Luta dhe Alban Nimani   realizojnë një fushatë promovuese edhe më të gjerë për Shqipërinë dhe Kosovën, e cila do të përmbyllet edhe me një broshurë me 100 fotot më të mira të këtij edicioni e cila do të shpërndahet në të gjitha përfaqësitë diplomatike të dy vendeve nëpër botë.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Qyteza Pejton, Rruga Mujo Ulqinaku
18 Prishtine

Tel / Fax

Tel. + 383 38 248208
Fax. + 383 38 248 209
Nr. i emergjences:+383 45 618 618

E-MAIL

embassy.pristina@mfa.gov.al