Pjesëmarrja e ekipit të Shqipërisë na kampionatin evropian ka rritur ndjeshëm atmosferën sportive kudo në Kosovë. Në kuadër të Euro 2016, Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë ka organizuar në prag të 3 ndeshjeve të Shqipërisë një sërë aktivitetesh kulturore-artistike, në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.
Ndeshja e Shqipërisë me Rumaninë të dielën në mbrëmje ishte dhe më entuziastja. Grupet polifonike të valleve nga Vlora me parodistët dhe këngëtarët e saj, valltarët e Tropojës dhe të Kukësit, këngëtarët Ilir Shaqiri dhe Ermira Babaliu ndezën atmosferën përpara ndeshjes.
Momenti më kulmor ishte dhe fitorja e Shqipërisë, një moment i shumëpritur nga të gjithë. Në përfundim të ndeshjes, ambasadori Minxhozi nën entuziazmin e fitores uroi dhe përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe familjarët sportdashës kosovarë në sheshin “Skënderbeu”, duke u shprehur se përfundimi i ndeshjes në favor të Shqipërisë është një meritë e padiskutueshme e djemve të kombëtares.
Më pas grupet artistike nga Shqipëria, këngëtarët, media dhe tifozeria e Prishtinës të cilat vazhduan festën e fitores deri në orët e para të mëngjesit duke krijuar kështu një hare të unifikuar dhe me ngjyra fitorje e cila nuk është parë asnjëherë në Prishtinë.