Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, me ftesë të Tij, mikpriti sot me nderime shtetërore në Tiranë, Presidenten në Detyrë të Republikës së Kosovës, Sh.S.Znj. Vjosa Osmani, së bashku me delegacionin zyrtar, që e shoqëronte në këtë vizitë të parë shtetërore.
Pas ekzekutimit të dy himneve kombëtare dhe pritjes solemne me Truprojë Nderi, të dy krerët e shteteve zhvilluan një takim kokë më kokë, dhe më pas kryesuan bisedimet dypalëshe mes delegacioneve respektive, ku u diskutua mbi zhvillimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të gjithanshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke vënë theksin në atë ekonomik, përballimin e pandemisë COVID-19, mbi paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe veçanërisht rreth proceseve integruese në NATO e në Bashkimin Europian.
Në konferencën e përbashkët për shtyp të të dy krerëve të shteteve, Presidenti Meta u shpreh:
Ishte kënaqësi e veçantë të prisja sot Presidenten në Detyrë të Republikës së Kosovës, Sh.S.Znj. Vjosa Osmani.
I urova përzemërsisht mirëseardhjen dhe e kam siguruar për dëshirën dhe vullnetin tim të palëkundur, për të kontribuar për forcimin e mëtejeshëm të marrëdhënieve tona vëllazërore dhe për të lehtësuar maksimalisht bashkëpunimin tonë, duke vënë të gjitha energjitë dhe mundësitë ende të pashfrytëzuara në shërbim më të mirë të së ardhmes së dy vendeve tona dhe jo vetëm.
Dua ta falënderoj Presidenten Osmani për sinqeritetin dhe vullnetin e saj për të forcuar këtë bashkëpunim sidomos për çështjet më jetike për vendet tona, për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë, por dhe në rrafshin rajonal edhe më gjerë.
Vlerësuam të gjitha mundësitë, që e bëjnë edhe më konkret bashkëpunimin midis të dy vendeve tona, veçanërisht nëpërmjet konkretizimit të Partneritetit Strategjik, në mënyrë që të jemi një shembull edhe për sa i takon standardeve të demokracisë, por njëkohësisht edhe për sa i përket përparimit të procesit të integrimit europian në rajonin tonë.
Marrëdhëniet shumë të mira ndërshtetërore kanë nevojë të gjenerojnë edhe më shumë mundësi praktike, në mënyrë që kufiri ndërshtetëror të bëhet jo vetëm i padukshëm, por dhe qytetarët tanë, bizneset, artistët, sportistët, intelektualët dhe njerëzit e shkencës, të rinjtë tanë, të afrohen e të shkëmbejnë eksperienca me njëri-tjetrin, dije, përvojë, kulturë dhe unë besoj se kjo do të ndodhë më mirë në të ardhmen.
E sigurova Presidenten Osmani se ne do të vazhdojë të mbështesim me të gjitha energjitë tona, unë në mënyrë të veçantë si Kryetar i Shtetit, Pavarësinë, Sovranitetin dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës sepse ne jemi të bindur jo vetëm në legjitimitetin e saj të plotë ndërkombëtar, por edhe në faktin se një Kosovë me integritet të plotë territorial, sa më parë anëtare e OKB, i shërben sigurisë dhe zhvillimit të rajonit dhe njëkohësisht edhe njëkohësisht të gjithë vendeve tona.
Në këtë kontekst vlerësova qëndrimin dinjitoz dhe shpreha mbështetjen time ndaj ish-drejtuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të UÇK-së, si dhe gatishmërinë e plotë të tyre për t’u përballur me drejtësinë, në mënyrë për të konfirmuar edhe njëherë drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës përballë gjenocidit monstruoz serb në zemër të Evropës.
Vlerësova qëndrimin e matur, qetësinë dhe unitetin e shfaqur nga të gjithë, nga Presidentja në Detyrë, nga Kuvendi, Qeveria, forcat kryesore politike, në këto çaste të rëndësishme, për të vijuar funksionimin e institucioneve në mënyrë demokratike, por dhe përballimin e sfidave me të cilat ndeshet shteti i Kosovës.
Një ndër më të rëndësishmet dhe më kritiket është sfida e pandemisë globale të COVID-19, pasojat e rënda shëndetësore, ekonomike, sociale dhe psikologjike për qytetarët e Kosovës, por edhe për të gjithë qytetarët tanë.
Në këtë drejtim ne kemi treguar vullnetin dhe gadishmërinë për të bashkëpunuar më ngushtë, midis dy vendeve dhe institucioneve tona, në mënyrë që ta kapërcejmë me sa më pak kosto, këtë betejë të përbashkët madhorë në interes, të shëndetit dhe jetës së qytetarëve tanë, por dhe të ekonomive tona.
Shpresojmë që të bashkëpunohet edhe më shumë, për sigurimin e vaksinës për qytetarët tanë, në mënyrat më të dobishme, më të shpejta dhe më të sigurta.
I shpreha falënderimet Presidentes Osmani dhe nëpërmjet saj të gjithë popullit të Kosovës, në mënyrë të veçantë për atë fluks të jashtëzakonshëm, që vumë re edhe gjatë sezonit veror, të pushuesve nga Kosova në Shqipëri, të cilët zgjodhën Shqipërinë dhe në këtë mënyrë dhanë kontributin e tyre për të lehtësuar industrinë tonë të turizmit.
I shpreha mirënjohje dhe falenderimet Presidentes Osmani, për ndihmën e mënjëhershme të dhënë nga Kosova dhe për të gjithë atë solidaritet të dhënë nga banorët e Kosovës, pas tërmetit të vitit të kaluar.
Jam shumë i sigurt se kjo vizitë, si dhe çdo shkëmbim tjetër të saj me Republikën e Kosovës, do të na shërbejë të gjithëve për forcuar më tej frymën e bashkëpunimit, për të pasuruar në mënyrë më konkrete marrëdhëniet tona, midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht për të konfirmuar faktin se Shqipëria dhe Kosova mbeten faktorë të rëndësishëm të orientimit euroatlantik të këtij rajoni dhe garant të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën në këtë rajon.
Kjo vizitë besoj se do të na ndihmojë të gjithëve të bashkëpunojmë edhe më ngushtë për sfidat imediate, por edhe për ato më afatgjata.
Me këtë rast dua të shpreh edhe solidaritetin më të plotë me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, që dënon gjenocidin serb të ndodhur në Kosovë.
Është një moment për të kërkuar drejtësi deri në fund për të gjithë viktimat e këtij gjenocidi dhe të kësaj dhune, pasi ende e dimë, që vrasësit e vëllezërve Bytyçi, janë të lirë madje gëzojnë edhe mbrojtje të veçantë edhe pse ka një Rezolutë të Kongresit Amerikan për këtë çështje. Siç dimë mirë, mijëra e mijëra raste të dhunimeve, përdhunimeve të ndodhura në Kosovë dhe të pa gjeturve ende.
Në këtë drejtim unë besoj se të gjithë institucionet e Shqipërisë do të tregojnë solidaritetin e tyre.
Sa i takon pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë është një shqetësim mëse legjitim, është një absurditet i madh që një vend që është në proces negociatash me Bashkimin Europian, të mos respektojë disa të drejta tërësisht elementare.
Ne shpresojmë që të ketë një reflektim në këtë drejtim dhe ta ndjekim këtë çështje edhe së bashku.
Faleminderit!