INFORMACION NGA FAQJA ZYRTARE E AMBASADËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KOSOVË
LINKU: http://www.ambasadat.gov.al/kosovo/sq/sh%C3%ABrbime-konsullore-online
ÇËSHTJET E SHTETËSISË
Institucionet
Bazuar në Ligjin nr. 113/2020 “Për shtetësinë”, çështjet e shtetësisë trajtohen nga Ministria e Brendshme, Drejtoria për Azilin dhe Shtetësinë.
Udhëzimin nr. 65, datë 04.02.2021 “Për përcaktimin e dokumentacionit të nevojshëm për fitimin, heqjen dorë dhe rifitimin e shtetësisë shqiptare, formën dhe mënyrën e plotësimit të kërkesës, të procedurës për kryerjen e verifikimeve pranë institucioneve përgjegjëse, si dhe të procedurës dhe të dokumentacionit për shtyrjen e afatit të betimit”, mund ta gjeni në linkun: https://mb.gov.al/wp-content/uploads/2021/02/Udhezim_2021_Dokumentacioni-per-Shtetesine.pdf
APLIKIMI PËR RIFITIMIN DHE HEQJEN DORË NGA SHTETËSIA SHQIPTARE
Aplikimi për rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare për shtetasit shqiptar me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, bëhet pranë Përfaqësive Diplomatike dhe Posteve Konsullore të RSh-së, ku ka vendbanimin aplikuesi, ose në Përfaqësinë, e cila mbulon shtetin ku ka vendbanimin aplikuesi, në rastet kur nuk ka Përfaqësi Diplomatike ose Konsullore të RSh-së të hapur aty.
Aplikimi për rifitimin e shtetësisë dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare kryhet vetëm online në platformën Shërbimi Konsullor Online: https://punetejashtme.gov.al/sherbimet-konsullore-online/
Informacion i përgjithshëm mbi mënyrat e fitimit të shtetësisë:
Shtetësia shqiptare fitohet me:
a)Lindje
b)Origjinë
c)Lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë
ç) Natyralizim
d) Birësim
- SHTETËSIA ME LINDJE
Kushdo që lind, duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare dhe regjistrohet si shtetas shqiptar. E drejta për t’u regjistruar si shtetas shqiptar nuk parashkruhet edhe pasi ka mbushur moshën 18 vjeç.
b) SHTETËSIA ME OIRGJINË
1.Shtetësia shqiptare fitohet nga i huaji, të paralindurit e të cilit kanë origjinë shqiptare, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë deri në tri shkallë e kërkuesit me të paralindurin.
2. Në këtë rast shtetasi paraqet kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare në bazë të origjinës dhe plotëson kriteret e përcaktuara në shkronjat dh) dhe ë), të pikes 1 të nenit 8 të Ligjit.
3. Dokumentacioni i nevojshëm që provon origjinën shqiptare të kërkuesit përcaktohet me udhëzim të ministrit ( Udhëzimi nr. 65, datë 04.02.2021)
c) SHTETËSIA ME LINDJE NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
1.Një fëmijë i lindur ose i gjetur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që mund të mbetet pa shtetësi fiton shtetësinë shqiptare.
2.Nëse prindërit e fëmijës bëhen të njohur ligjërisht përpara se fëmija të ketë mbushur moshën 14 vjeç dhe janë shtetas të huaj, ata mund të kërkojnë heqjen e shtetësisë shqiptare të fëmijës, me kusht që fëmija të mos mbetet pa shtetësi si pasojë e këtij veprimi.
ç) SHTETËSIA SHQIPTARE ME NATYRALIZIM
1. Shtetësia shqiptare fitohet me natyralizim nga i huaji që ka paraqitur kërkesë dhe plotëson
kushtet e mëposhtme:
a) ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç;
b) ka zotësi juridike për të vepruar;
c) qëndron në mënyrë të ligjshme dhe ka banuar për një periudhë të vazhdueshme për jo
më pak se 7 (shtatë) vjet në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe ka përfituar leje të
përhershme qëndrimi, të vlefshme në momentin e paraqitjes së kërkesës, sipas ligjit për të huajt;
ç) ka banesë në përputhje me standardet e miratuara të banimit në Republikën e Shqipërisë;
d) disponon të ardhura dhe burime financiare të ligjshme, të mjaftueshme për jetesën në
Republikën e Shqipërisë, që përkojnë me standardin minimal të jetesës, të indeksuar çdo vit në
lidhje me indeksin e çmimeve të disa mallrave të zgjedhura, të parashikuar në rregulloren e
Institutit të Sigurimeve Shoqërore;
dh) nuk ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në shtetin e vet, në
Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar
parashikon dënime me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie. Përjashtim nga ky rregull bëhet
vetëm në ato raste kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike;
e) zotëron njohuri të gjuhës shqipe, të folur e të shkruar, të vërtetuar nga institucioni
përkatës arsimor, si dhe njohuritë bazë të historisë së Republikës së Shqipërisë, sipas rregullave
të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë;
ë) nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së
Shqipërisë.
2. Në rast se personi është pa shtetësi, ai mund ta fitojë shtetësinë shqiptare nëse plotëson kushtet e përcaktuara në shkronjat ‘c’, ‘dh’ dhe ‘ë’ të pikes 1, të këtij neni.
3. I huaji, që është martuar me shtetas shqiptar për një periudhë prej jo më pas se 3 vjetësh (martesa të jetë e regjistruar në RSh), mund të paraqesë kërkesë për të fituar shtetësinë me natyralizim, edhe nëse nuk plotëson kushtet e përcaktuar në shkronjat ‘c’ dhe ‘e’, të pikes 1 të këtij neni, nëse ka banuar në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë të paktën për 1 vit (të jetë i pajisur me LEJE QENDRIMI).
Për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim, aplikohet vetëm online pranë Drejtorisë Vendore të Policisë ku shtetasi i huaj ka vendbanimin ose vendqëndrimin dhe jo në Përfaqësitë Diplomatike apo Postet Konsullore të RSh-së, në linkun:
https://eform.akshi.gov.al/GeneralRenderdesktop/FormBaseServiceDesktop.aspx?id=B255DBBD94AC24ADE053031218AC0DA51R8CCDCASY