Anëtarësimi i Shqipërisë në OSBE në 1991

Antarësimi i Shqipërisë me të drejta të plota në KSBE ( OSBE që nga v.1995) 19 qershor 1991.
Konferenca për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë (KSBE) që u mbajt në Helsinki në korrik 1975 ishte një ngjarje që identifikoi jo vetëm qëndrime të përbashkëta, por edhe një vullnet të Komunitetit Ekonomik Evropian për të luajtur një rol të rëndësishëm si faktor ndërkombëtar, për të bashkëpunuar në shuarjen e konflikteve, të vatrave të krizës, për ruajtjen e paqes e të sigurisë. Akti Final i Helsinkit u adoptua me 1 gusht 1975 nga 34 shtete të Evropës, me përjashtim të Shqipërise, si dhe nga SHBA dhe Kanadaja.
Pas rrëzimit të komunizmit në vendet e Evropës Lindore e Qendrore, lindi nevoja e integrimit të tyre në botën demokratike, duheshin ndihmuar për të  ngritur institucionet e mirëfillta, pluralizmin politik, zhvillimin e ekonomisë së tregut, ndërtimin e shoqërive të bazuara në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut. Tek këto reforma të modelit demokratik perendimor këto vende shihnin shpëtimin dhe të ardhmen e tyre. Në 19-21 nëntor të vitit 1990, kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të KSBE u mblodhën në Paris dhe miratuan një dokument  prej 19 faqesh të titulluar “Karta për një Evropë të re”. Ajo ishte një tërësi parimesh se mbi çfarë bazash duheshin ndërtuar këtej e tutje marrëdhëniet mes vendeve evropiane, çfarë vlerash duheshin ruajtur në këtë periudhë tranzicioni nga komunizmi në demokraci, dhe çfarë fenomenesh negative duheshin luftuar bashkërisht. Karta institucionalizoi KSBE duke ngritur struktura të reja të saj dhe duke institucionalizuar takimet e eksperteve të larte (2 herë në vit), të ministrave të jashtëm (1 herë në vit) dhe kryetarëve të shteteve apo qeverive.
Në kuadër të ndryshimeve të fuqishme politike që po ndodhnin në Lindje, si dhe nevojës për një hapje me botën pa prekur parimet politike të qeverisjes, qeveria shqiptare e kohës kërkoi në vitin 1990 antarësimin e plotë të Shqipërisë në KSBE. Pas kërkesës së Shqipërisë, një delegacion i Komisionit të Helsinkit mbi Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë vizitoi Shqiperinë në gusht 1990 dhe gjeti që Shqiperia e asaj kohe ishte larg parimeve dhe normave të Helsinkit në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në fusha të tjera që garantonin  antarësinë e plotë në KSBE. ”.( D.1737, v.1991.)  Shqiperisë në kushtet e vititi 1990 iu ofrua vetëm statusi i vëzhguesit. Ajo filloi të merrte pjesë si vëzhguese  në aktivitete të KSBE duke filluar nga Konferenca mbi Dimensionet Humane e mbajtur në Kopenhagen në qershor 1990.
 
Mbledhja përgatitore për Takimin e Nivelit të Lartë të KSBE në Paris u mbajt në New York  me 1 dhe 2 tetor 1990 në nivel të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare. Duke e konsideruar takimin e Parisit si një moment shumë të përshtatshëm për Shqipërinë  për tu bashkuar me të drejta të plota në procesin e Helsinkit. Ministria e Jashtme i dërgoi me 12 shtator 1990 një letër-kërkesë për mbështetjeje Sekretarit të Shtetit  Xheims Bejker si vend mikpritës i takimit të Ministrave të Jashtëm   të vendeve anëtare të KSBE, Ministrit të Jashtëm të Francës Roland Dumas si vend organizator i Takimit të Parisit, Ministrit të Jashtëm të Finlandës Pertti Passio si vend depozitues i Aktit  të Helsinkit. Qeveria shqiptare kërkonte që në agjendën e Takimit të Parisit të përfshihej edhe çështja e pranimit të Shqipërisë si anëtarja e 35-të e KSBE. Nga ana tjetër  qeveria shqiptare bëri një deklaratë publike me 15 shtator 1990  ku theksonte njohjen nga ana e saj dhe pranimin e dokumenteve të KSBE
 
Mbledhja e New Yorkut nuk pati dakordesi të plote për Shqiperine dhe vendosi pjesëmarrjen e saj vetëm si vëzhguese në Takimin e Nivelit të Lartë në Paris, I cili do të mbahej me 19-21 nëntor 1990. Në Takimin e Parisit, delegacioni shqiptar me statusin e vëzhguesit bëri një deklaratë zyrtare nëpërmjet të cilës përshëndeste “proceset positive evropiane të KSBE dhe shprehte vullnetin për tu bashkuar plotësisht me të”. Këtë kërkesë e mbështetën plotësisht vendet e Ballkanit, anëtare të KSBE,  tashmë që Shqipëria kishte filluar të merrte pjesë politike aktive në takimet rajonale të ministrave të jashtëm ( Beogradit 1988 dhe Tirane 1990).
Rrethanat që mundësuan aderimin e Shqipërisë në KSBE do të ishin lëvizja demokratike e dhjetorit 1990, zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, mars 1991, dhe miratimi i Paketës Kushtetuese Provizore më 29 prill 1991, e cila përmbante dispozita që pranonin pluralizmin politik dhe respektimin e të drejtave të njeriut
Në 19-21 qershor 1991 në Berlin do të mbahej një takim i rëndësishëm i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të KSBE. Në maj 1991 qeveria shqiptare e kohës, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, filloi fushatën lobuese për kandidaturën e Shqipërisë si anëtare e plotë që në takimin përgatitor të Komitetit të Ekspertëve të KSBE në Prageë. Për këtë iu drejtua disa herë të gjitha ministrive të jashtme të vendeve anëtare të KSBE, duke sjellë në vëmendjen e tyre faktet se si “..Shqipëria po avanconte në ndërtimin e një demokracie pluraliste, respektimin e plote te drejtave te njeriut, vendosjen e nje ekonomie tregu, ne ndertimin e sundimit te ligjit, dhe se kishte pranuar plotesisht trashgimine e vlerave te perbashketa evropiane”. Ministri i Jashtëm Kapllani i kërkoi Ministrit të Jashtëm gjerman Genscher që të dërgohej  në Shqipëri para takimit të qershorit në Berlin një “fact-finding apo rapporteur mission” i KSBE dhe raporti i tyre ti vihej para ministrave të jashtëm në takimin e Berlinit në qershor. Kjo kërkesë iu be edhe Sekretarit Ekzekutiv të takimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm.
Me 10 qershor 1991, Komisioni mbi Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (Komisioni i Helsinkit) me qendër në Uashington, publikoi qëndrimin e tij  në News Release në favour të kërkesës së Shqipërisë per anëtarësi të plotë në KSBE në takimin e qershorit .Mes të tjerash ata theksonin  se mbas vizitës në Shqipëri, në gusht 1990, e kishin përkrahur statusin e vëzhguesit që i ishte dhënë Shqipërisë në takimet e KSBE. Ata kishin mbështetur edhe rivendosjen e marrëdhënieve bilaterale midis Shqiperise dhe SHBA mars 1991.”Ne besojmë-shprehej Komisioni- se ka ardhur koha të mbështesim kërkesën e Shqipërisë  për tu bërë një anëtare e plote e KSBE, duke e angazhuar atë në  mënyrë të barabartë në ndërtimin e të ardhmes së Evropës si e tërë, dhe për të mbeshtetur sigurinë, ekonominë e tregut, standartet e të drejtave të njeriut dhe të drejtat mjedisore që udhëheqin marrëdhëniet ndërmjet shteteve anëtare të KSBE”.( D.1737, v.1991.) Komisioni u shpreh se situata tashmë ishte përmirësuar  dukshëm në raport me gushtin e vitit 1990. Ata propozonin që pas antarësimit, qeveria shqiptare do të mbante mbi vehte përgjegjësinë për angazhimet e marra me vullnetin e saj të lirë në Aktin Final të Helsinkit dhe në të gjitha dokumentet vijuese të KSBE ( D,1737, v.1991).
Pas kësaj deklarate, me 14 qershor, 5 dite para takimit, Ministri i Jashtëm Kapllani  iu drejtua zyrtarisht përsëri të gjitha shteteve anëtare të KSBE që të mbështesin kërkesën e Shqipërisë për tu pranuar si anëtare e plote e  KSBE.
Me 19 qershor 1991, në ndërtesën e Raishtagut në Berlin, u hap mbledhja e ministrave të jashtëm të vendeve pjesëmarrëse në KSBE. Takimi kryesohej nga Zv.Kancelari dhe Ministri i Jashtem i RF të Gjermanisë Hans Dietrich Gensher, si kryetar i mbledhjes. Në unanimitet të plotë dhe me duartokritje u miratua pranimi i Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në KSBE. Delegacioni shqiptar që  kryesohej nga MPJ Muhamet Kapllani dhe përbëhej edhe nga përfaqësues të të gjitha forcave politike të krijuara deri në atë kohë në Shqipëri, zuri vendin si anëtari i 35-te i KSBE. Kanali televiziv i lajmeve CNN, pasi dha njoftimin për mbledhjen e qershorit në Berlin dhe ceremoninë e pranimit të Shqipërisë në KSBE, e përfundonte lajmin “ …Tani me demokratizimin e Shqipërise Evropa u bë e plotë.” (D1748, v.19910.
Ky aderim shënoi një ndryshim rrënjësor të kursit tëpolitikës së jashtme shqiptare, në afrimin me bashkësinë euro-atlantike dhe në pranimin e vlerave perëndimore të lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Adresa

Misioni i Shqipërisë
Reisnerstr. 27/6
1030 Wien

Tel / Fax

Tel. +43 1 328 8710
Fax. +43 1 328 8711
Nr. i emergjences: +43 1 328 8710

E-MAIL

  mission.osce@mfa.gov.al

                 mission.vienna@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00