Shqipëria dhe OSBE

Shqipëria në OSBE
Aderimi i Shqipërisë në OSBE (ish-KSBE) është realizuar gjatë punimeve të Këshillit Ministror të Berlinit (19-20 qershor 1991). Vendi ynë nënshkroi Aktin Final të Helsinkit më 16 shtator 1991 dhe Kartën e Parisit për një Evropë të Re më 17 shtator 1991. Ky aderim shënoi një ndryshim rrënjësor të kursit të politikës së jashtme shqiptare, që do ta çonte në daljen nga vetizolimi ndërkombëtar, në afrimin me bashkësinë euro-atlantike dhe në pranimin e vlerave perëndimore të lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Aderimi i Shqipërisë u shoqërua me ndërmarrjen e reformave ligjore për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit. Rrethanat që mundësuan aderimin e Shqipërisë në OSBE ishin lëvizja demokratike e dhjetorit 1990, zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri dhe miratimi i Paketës Kushtetuese Provizore më 29 prill 1991, e cila përmbante dispozita që pranonin pluralizmin politik dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Në vijim të trazirave të brendshme të vitit 1997, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe OSBE-së morrën një dimension të ri. Kryesia Daneze e OSBE-së, nëpërmjet të dërguarit të posaçëm, ish-Kancelari i Austrisë, Dr. Franz Vranitzky, ndërmjetësoi në zgjidhjen e krizës politike një Shqipëri, çka bëri të mundur vendosjen e Pranisë së OSBE-së në Shqipëri. Kjo e fundit nuk është një përfaqësi e përhershme e Organizatës, por ka një mandat të përkohshëm, versioni i tanishëm i të cilit është miratuar në vitin 2003. Sot Prania mbështet reformat ligjore, gjyqësore, administrative dhe në pronësi, forcimin e kapaciteteve të Kuvendit, luftën kundër trafiqeve dhe korrupsionit, nxitjen e qeverisjes së mirë dhe fuqizimin e shoqërisë civile. Gjithashtu, ajo mbështet policinë e shtetit dhe procesin e demontimit të stoqeve të municioneve të vjetëruara. Ajo ndihmon Shqipërinë në zbatimin e angazhimeve të marra nga vendi ynë në OSBE. Prania e OSBE-së ka reduktuar gradualisht numrin e projekteve, çka flet për progres të vendit dhe për përdorim më efikas të burimeve të Pranisë. Së fundmi, ajo ka mbyllur katër zyrave e saj rajonale (Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër), që tregon forcimin e kapaciteteve tona në fushat e mandatit të Pranisë. OSBE ka Misione në të gjitha vendet Ballkanit Perëndimor, të cilat veprojnë në përputhje me mandatet përkatëse të miratuara nga Këshilli i Përhershëm, organi kryesor vendimmarrës i OSBE-së, ku marrin pjesë ambasadorët e 57 vendeve pjesëmarrëse në Organizatë. Shqipëria punon që veprimtaritë e këtyre Misioneve të jenë efektive dhe t’i shërbëjnë paqes, stabilitetit dhe integrimit europian të rajonit. Shqipëria bashkëpunon ngushtë edhe me institucionet e OSBE-së, si ODIHR dhe Zyra e Përfaqësuesit për Lirinë e Shtypit. Bashkëpunimi përqendrohet në fusha me interes për vendin tonë si reforma zgjedhore, procesi i dixhitalizimit, reforma e televizionit publik dhe këshillit kombëtar të radiotelevizionit.
Rritja e rolit dhe profilit të Shqipërisë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, ka ndikuar në ndryshimin rrënjësor të marrëdhënieve OSBE-së. Shqipëria nuk është vetëm konsumatore e ekspertizës së OSBE-së, por kontribuon në mënyrë të qenësishme në ruajtjen dhe nxitjen e rolit të Organizatës në arkitekturën e sigurisë në Evropë. Gjatë këtyre viteve të fundit, Shqipëria e ka rritur dukshëm profilin e saj në OSBE. Ajo ka pritur Sesionin e Vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së (tetor 2012), Konferencën e Nivelit të Lartë për Tolerancën dhe Mosdiskriminimin (maj 2013) dhe Konferencën e Tretë Rajonale për Shtypin në Europën Juglindore (shtator 2013). 
Kontributi i Shqipërisë në zhvillimet rajonale, ku OSBE ka të dislokuara 6 Misione, është shumë i mirëpritur në Organizatë.

Adresa

Misioni i Shqipërisë
Reisnerstr. 27/6
1030 Wien

Tel / Fax

Tel. +43 1 328 8710
Fax. +43 1 328 8711
Nr. i emergjences: +43 1 328 8710

E-MAIL

  mission.osce@mfa.gov.al

                 mission.vienna@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00