“Ukraina”, SHBA bashkëpenëmbajtëse me Shqipërinë për çështje të paqes dhe sigurisë

Kryeministri Edi Rama, shoqëruar nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në një deklaratë për mediat folën mbi rolin që do të ketë Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB, lidhur me konfliktin ku ndodhet Ukraina në raport me Rusinë.

“Kemi marrë konfirmimin përfundimtar nga DASH se SHBA dhe Shqipëria do të jenë bashkëpenëmbajtëse në Këshillin e Sigurimit të OKB lidhur me çështjen e Ukrainës. Është pa diskutim një përgjegjësi e re dhe e madhe, por edhe një konfirmim i një Shqipërie krejt tjetër në arenën ndërkombëtare, i një Shqipërie që vlerësohet për karakterin dhe qëndrueshmërinë dhe aftësinë në luajtjen e rolit si një vend që promovon paqen dhe sigurinë”, tha kryeministri Rama në konferencën për shtyp.

Ministrja Xhaçka u shpreh se të gjitha vendet do të bashkëpunojnë ngushtë, do ndajnë informacion në mënyrë prioritare e do jenë në origjinë të çdo nisme për këtë temë.

“Jemi të vetëdijshëm për përmasat tona, por kjo është çështje serioziteti, përgatitjeje dhe aftësie për të marrë përsipër përgjegjësi. Vendi ynë merr një rol të dorës së parë në çështje të sigurisë përmes bashkëhartimit me SHBA për çështjen e Ukrainës. Projekti i parë do hartohet nga dy vendet tona dhe më pas do ndahet me të tjerë. Bashkëhartuesit janë të parët që flasin për çështjen në fjalë në  takimet e Këshillit të Sigurimit. Është një shprehje e thellimit të partneritetit strategjik të dy vendeve”, deklaroi ministrja Xhaçka.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00