“Zemërluanët” në stërvitjen “Brilliant Jump 2016” në Poloni

Rreth 150 pjesëtarë të Kompanisë së I-rë të Batalionit të 2-të Këmbësorisë (k1b2k) të Forcës Tokësore, të quajtur ndryshe edhe “zemërluanët”, po marrin pjesë në stërvitjen “Brilliant Jump 2016” në Poloni.
Trupat shqiptare marrin pjesë në këtë stërvitje bashkë me trupat nga Britania e Madhe, Spanja dhe Polonia.
Kjo stërvitje zhvillohet për të provuar Planin e Veprimit të Gatishmërisë së NATO-s (NATO’s Readiness Action Plan) dhe në të njëjtën kohë për të vënë në provë të gjithë elementët e saj kryesorë. Në funksion të këtij plani u krijua edhe Task Forca e Gatishmërisë Shumë të Lartë (The Very High Readiness Joint Task Force).
Kompania e I-rë e Batalionit të 2-të të Këmbësorisë së Forcës Tokësore është pjesë e Task Forcës së Gatishmërisë Shumë të Lartë. Kjo brigadë tokësore përbëhet nga rreth 5000 mijë trupa dhe mbështetet nga ajri, deti dhe forcat speciale dhe është e aftë për t’u vënë në lëvizje në një kohë shumë të shkurtër, nëse kërcënohet sovraniteti i një shteti anëtar të NATO-s.
“Jemi këmbësori e lehtë, shumë fleksibël dhe të aftë për të vepruar në çdo terren dhe në çfarëdo kushtesh. Jemi duke kryer testime dhe përgatitje gjithëpërfshirëse, qitje... duke përgatitur çdo gjë, për t’u deklaruar se ne jemi plotësisht operacionalë dhe të aftë”. – shprehet komandanti i k1b2k, kapiten Ervin Çaushaj.
Stërvitja “Brilliant Jump 2016” shërben gjithashtu për të provuar aftësitë e njësive ushtarake për të lëvizur dhe vënë në operacionalitet të plotë në harkun e pak ditëve.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00