Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati gjatë punimeve të Konferencës Mesdhetare në Malaga, Spanjë, zhvilloi disa takime me homologë si dhe me Sekretarin e Përgjithshme të OSBE, Thomas Greminger.
Ministri Bushati u takua me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë Miroslav Lajcak, vendi i të cilit ka presidencën e OSBE për 2019, me Ministrin e Jashtëm të Serbisë Ivica Dacic, me Zëvëndësministrin e Jashtëm të Italisë Guglielmo Picchi, vendi i të cilit ka kryesinë aktuale të OSBE-së. Zyrtarët diskutuan mbi sfidat aktuale me të cilët përballet OSBE dhe nevojën e adresimit të tyre.
Ministri Bushati dhe Sekretari Griminger diskutuan mbi zhvillimet në rajon dhe sfidat të cilat duhen adresuar me synim shfrytëzimin e plotë të potencialit të organizatës në përballjen e tyre. Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi vlerat e OSBE-se si organizatë rajonale me rëndësi specifike në botë, me një sistem të balancuar të angazhimeve politike, të bazuara në një koncept të sigurisë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese, e cila ofron një platformë për tejkalimin e sfidave të sigurisë.