Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, z. Mevlüt Çavuşoğlu, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Në kuadër të kësaj vizite, dy homologët zhvilluan një takim të përbashkët ku u diskutuan një sërë çështjesh, me fokus kryesor marrëdhëniet dypalëshe politike, ekonomike dhe tregtare, mundësitë e mëtejshme të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Dy ministrat parafuan Dokumentin për Ngritjen e Këshillit për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë, që do të kryesohet nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, me synim thellimin dhe rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët në nivel bilateral, rajonal e global. Ky Këshill do të përcaktojë strategjinë e zhvillimit të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Shqipërisë në fushat e politikës, sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë, energjisë, transportit, turizmit, kulturës, shkencës, artit dhe arsimit, si dhe të kontakteve mes njerëzve.
Ministri Bushati deklaroi se në këtë takim, bashkë me mikun Cavusoglu ranë dakord për të pasur një përforcim të dimensionit ekonomik, pasi, sipas tij, jo në çdo rast raporti i mirë politik është i shoqëruar dhe me dimensionin ekonomik.
“Shqipëria dhe Turqia tashmë kanë konfirmuar qartë vullnetin politik për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe, për t’i ngritur ato në nivel të partneritetit strategjik, si dhe për të identifikuar fushat e reja të bashkëpunimit në të gjithë kuadrin me interes të ndërsjellë, veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare”, tha ministri Bushati.
Ministri turk, Çavuşoğlu, pohoi se gjatë takimit u trajtuan marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha dimensionet. “Marrëdhëniet tona ekonomike po zhvillohen çdo ditë e më tepër, po rritet tregtia mes nesh, investimet turke në Shqipëri. Bashkëpunimi ynë është tepër i ngushtë”.
Ai shprehu besimin se me siglimin e “Deklaratës”, bashkëpunimi mes vendeve tona do të arrijë në nivele më të larta.