Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti në takim ZëvendësKryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Damir Krstičević, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Në qendër të bisedimeve mes Ministrit Bushati dhe zyrtarit të lartë kroat ishte ecuria e bashkëpunimit politik dypalësh, njëmendësia gjeostrategjike dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, që gjejnë shprehje në angazhimin e të dy vendeve për një rajon të sigurt, të stabilizuar dhe të orientuar drejt përafrimit me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, u vlerësua puna në proces për përfundimin e dokumentit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik, që do të jetësohet së afërmi me nënshkrimin në nivel të lartë .
Ministri Bushati theksoi rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe partneritetit në kuadër të NATO-s, që pak ditë më parë u shenjua me 9 vjetorin e anëtarësimit të të dy vendeve në Aleancë. Ai e informoi bashkëbiseduesin lidhur me pritshmërinë tonë për rekomandimin e hapjes së bisedimeve në Raportin e Vlerësimit të Komisionit që do të publikohet këtë muaj si dhe përkrahjen e tij nga shtetet anëtare të BE-së, si një investim i qëndrueshëm për procesin e pakthyeshëm të reformave të Shqipërisë dhe stabilitetin demokratik të rajonit. Nga ana e tij, Krstičević evidentoi mbështetjen e palëkundër të Kroacisë për rrugën evropiane të vendit tonë, përfshirë momentin kyç të hapjes së negociatave.
Duke iu referuar sfidave të sigurisë në rajon dhe kontributit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në stabilitetin rajonal e atë evropian, dy Ministrat u ndalën në nevojën e një bashkëveprimi të shtuar dhe ndërmarrjen e inisiativave të reja në kuadër të Trilateralit Kroaci-Shqipëri-Mali i Zi dhe Kartës së Adriatikut.