Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati moriA pjesë në Konferencën e Tretë për Siguri dhe Stabilitet, në Rodos. Në këtë forum vjetor për dialog, lidhur me sfidat e sigurisë në Mesdheun Lindor marrin pjesë Ministrat e Jashtëm të vendeve midis dy brigjeve evropiane dhe arabe të rajonit të Mesdheut.
Ministri Bushati, në fjalën e tij u ndal tek nevoja e bashkëpunimit mes vendeve, në përballjen me sfidat aktuale të sigurisë. Për Ministrin Bushati, multilateralizmi po vihet gjithnjë e më tepër në pikëpyetje, ndërsa organizatat ndërkombëtare e rajonale, dikur tribuna bashkëpunimi, po vihen nën kundërshtime të rrepta.
Ai nënvizoi nevojën e një bashkëpunim të përforcuar dhe kreativ për të përballuar sfidat e sigurisë, të cilat janë prezente për një kohë të gjatë. “Kemi një dinamikë të re për çështjet e migracionit pasi burimet e konfliktit nuk janë adresuar ende, por për fat të keq egoizmi po mbizotëron në trajtimin e kësaj çështje duke e vendosur solidaritetin aq shumë të nevojshëm në plan të dytë”, nënvizoi ministri.
Për kreun e diplomacisë shqiptare, politika e jashtme ka një lidhje të natyrshme me historinë dhe zhvillimin ekonomik. “Por”, vijoi ai,- “është koha që në përballimin e sfidave të sigurisë të demonstrojmë se politika e jashtme udhëhiqet nga disa vlera të përbashkëta morale”. Gjatë punimeve të kësaj konference, Ministri Bushati dhe homologu i tij grek Nikos Kotzias do të zhvillojnë një takim gjatë të cilit do të diskutojnë ecurinë e dialogut mes dy vendeve.