Bushati në takimin e Këshillit Ministror të OSBE-së: Shqipëria, e angazhuar në kontributin e saj për paqe dhe stabilitet në rajon

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ndodhet në Milano për të marrë pjesë në punimet e takimit të 25-të të Këshillit Ministror të OSBE-së. Ministrat e Jashtëm diskutuan mbi rolin e Organizatës, përpjekjet e përbashkëta për zgjidhjen e konflikteve dhe adresimin e sfidave me të cilat përballet sot siguria dhe stabiliteti në hapësirën e OSBE-së.

Në sesionin e paradites, Ministri Bushati nënvizoi se, Shqipëria mbështet plotësisht prioritetet e kryesisë italiane të prezantuara në fillim të këtij viti, për të forcuar kapacitetet e OSBE-së dhe qasjen e saj pro-aktive në sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, bashkëpunimin ekonomik dhe mjedisor, dialogun politik dhe ushtarak, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Shqipëria, tha Bushati, do të vijojë të japë kontributin e saj të çmuar jo vetëm në zbatimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit, por edhe në të gjithë rajonin e OSBE-së.

Ministri vuri theksin në rindërtimin e besimit dhe dialogut konstruktiv për përballjen e sfidave kritike dhe komplekse si konfliktet, ekstremizmi i dhunshëm, terrorizmi, kërcënimet kibernetike, rrjedhat e emigrantëve, krimi i organizuar apo edhe pengesat në zhillimin ekonomik.

“Kërcënimet e tilla transnacionale kanë nevojë, me çdo kusht, për një transparencë dhe parashikueshmëri më të madhe. Besimi dhe dialogu konstruktiv janë mjetet kyçe që do të na mundësojnë të ndajmë më shumë informacion dhe të trajtojmë së bashku sfidat aktuale dhe të ardhshme në zonën e OSBE-së”, u shpreh ministri Bushati.

Ministrat shkëmbyen mendime gjithashtu mbi forcimin e kapaciteteve të OSBE-së si dhe kontributin e secilit për nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të OSBE-së, nevojën e vendosjes së dialogut dhe përgjegjësisë së përbashkët për respektimin e parimeve dhe unitetit të Organizatës.

Gjatë punimeve të Ministerialit të Milanos, Ministri Bushati pati takime dypalëshe me përfaqësues të lartë të institucioneve të OSBE-së si dhe me homologë të pranishëm në Milano.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00