Bushati - Steinmeier: vëmendje dhe mbështetje e Gjermanisë për procesin e integrimit

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati po zhvillon një vizitë në Berlin. Takimin e parë të kësaj vizite, Ministri Bushati e pati me homologun e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier.

Mbështetja e Republikës Federale Gjermane për procesin e reformave dhe për rrugëtimin tonë evropian, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, interesi i veçantë dhe kontributi i Gjermanisë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, Procesi i Berlinit, dhe koordinimi i përpjekjeve të përbashkëta në përballjen me sfidat e sigurisë, ishin çështjet kryesore që u trajtuan në takim.

Kjo vizitë, në vijim edhe të vizitave të tjera është një shprehje e marrëdhënieve shumë të mira dhe dinamike që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Republikës Federale Gjermane. Realizimi i saj vjen në një moment shumë të rëndësishëm në vijim të publikimit të raportit të Komisionit Evropian, si dhe përpara vendimit të Këshillit të BE-së lidhur me rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Në këtë kuadër Ministri Bushati shprehu vlerësimin për vëmendjen dhe mbështetjen e treguar nga Gjermania për integrimin e Shqipërisë në BE. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohjen për vullnetin dhe gatishmërinë e Gjermanisë për të vazhduar të luajë këtë rol, veçanërisht sot, kur BE po përballet me sfida të vështira të pazakonta. Duke shprehur rëndësinë e vijimit të agjendës së zgjerimit si një element thelbësor për rajonin tonë por edhe për vetë BE-në, Ministri Bushati nënvizoi se "Krahas krizave me të cilat i është dashur të përballet gjatë viteve të fundit, Evropa gjendet sot në një periudhë hezitimi, dyshimi dhe pasigurie, çka ndihet edhe më tepër në Evropën Jug-Lindore. Për Shqipërinë, vëmendja dhe lidershipi i Gjermanisë në këto kohë të turbullta, përbën faktor sigurie dhe qëndrueshmërie".

Më tej, Ministri Bushati u ndal në vendosmërinë dhe hapat konkrete që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për të arrirë një progres të vazhdueshëm në procesin e  integrimit duke u ndalur veçanërisht në nevojën për zbatimin e ligjit të Vetting-ut dhe për të vijuar me vendosmëri në çeljen e bisedimeve për anëtarësim.

Ministri Steinmeier vlerësoi ecurinë e Shqipërisë për reformat shtet konsoliduese duke e cilësuar zbatimin e plotë të reformës në drejtësi si një gur themel për rrugëtimin Evropian. Duke u ndalur në miratimin e reformës në drejtësi dhe rolin e Shqipërisë në rajon, Ministri Steinmeier u shpreh se "Miratimi i reformës është shprehje e një zhvillimi dhe e një konsolidimi të brendshëm politik dhe kjo çon në konstatimin se Shqipëria, çka nuk pritej nga shumë persona në Gjermani, është shndërruar në një spirancë stabiliteti në vitet e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe është një partner i ngushtë jo vetëm i të gjithë evropianëve së bashku, por edhe për Gjermaninë". Dy Ministrat evidentuan impaktin pozitiv të Procesit të Berlinit, i cili ka jetësuar një bashkëpunim të përforcuar mes vendeve të rajonit.

Në kuadër të vizitës në Gjermani Ministri Bushati do të zhvillojë takime në Kancelari dhe do të ketë një seancë dëgjimore në Bundestag me Komisionin për Çështjet Evropiane. Në fokus të këtyre takimeve do të jenë zhvillimet më të fundit në rajon, bashkëpunimi dypalësh dhe agjenda integruese e vendit.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00