Bushati vlerëson vëmendjen e Luksemburgut për Rajonin e Ballkanit Perëndimor

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane si dhe Ministër i Emigracionit dhe i Azilit të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Jean Asselborn.  Takimi i sotëm në Luksemburg rikonfirmon vullnetin e përbashkët të dy vendeve për të forcuar dhe intensifikuar bashkëpunimin.

Ministri Bushati e njohu homologun e tij me hapat konkretë të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fushën e reformave në përmbushje të prioriteteve të anëtarësimit, veçanërisht me reformën në sistemin e drejtësisë, e cila prek secilin prej prioriteteve, dhe mbi të gjitha jetën e çdo qytetari shqiptar. Shqipëria i është mirënjohëse Luksemburgut për mbështetjen që i ka dhënë në procesin e integrimit evropian që nga marrja e statusit e deri përgjatë procesit të vështirë të reformave të cilat do të na mundësojnë hapjen e negociatave për anëtarësim.

Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të qëndrueshme dhe të konsoliduara. Shqipëria dhe Luksemburgu bashkëpunojnë në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Ato kanë gjithashtu një ndërveprim si dy vende anëtare të NATO-s e shkëmbejnë pikëpamje edhe për sa i përket mjedisit të sigurisë në rajon. Në planin dypalësh, të dy homologët ndanë mendimin se më shumë duhet të angazhohemi me përpjekje të përbashkëta për intensifikimin e marrëdhënieve veçanërisht në fushën ekonomike, për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe thithjen e investimeve luksemburgeze në vend.

Ministri Bushati vlerësoi vëmendjen e Luksemburgut për rajonin e Ballkanit dhe qëndrimin e tij pro avancimit të vendeve tona drejt BE-së, në përgjithësi, dhe përpjekjeve të Shqipërisë në këtë proces, në veçanti. Të dy ndanë mendimin se bashkëpunimi rajonal është përmirësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, veçanërisht në drejtim të dialogut politik dhe rritjes së komunikimit mes vendeve në të gjitha dimensione. Gjatë këtij takimi ministrat firmosën marrëveshjen mbi mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar mes dy shteteve.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00