Cakaj-Darmanovic: Partneriteti midis dy vendeve, garanci për stabilitetin dhe orientimin perëndimor të rajonit

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, gjatë vizitës së tij në Malin e Zi, zhvilloi një takim me homologun malazez, Srdan Darmanovic. Në këtë takim ai vlerësoi bashkëpunimin intensiv me Malin e Zi, si një partner të rëndësishëm, aleat në NATO dhe në procesin e anëtarësimit në BE.

“Partneriteti dhe bashkëpunimi me Malin e Zi janë një shembull inkurajues për rajonin e Ballkanit Perëndimor duke shënuar kështu edhe një garanci për stabilitetin dhe orientimin perëndimor të rajonit.” u shpreh Cakaj në fjalën e tij.

Gjatë takimit u vlerësua niveli shumë i mirë i bashkëpunimit politik, si dhe u diskutua për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në kuadër të mekanizmit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive dhe angazhimeve të ndërmarra në kuadër të bashkëpunimit rajonal, si projektet e përbashkëta ndërkufitare, masat për Zonën Ekonomike Rajonale, si dhe përfundimin e korridoreve infrastrukturore, të energjisë dhe infrastrukturës.

“Bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare”, theksuan bashkëbiseduesit “duhet të pasqyrojnë dhe të ndjekin tendencat e bashkëpunimit politik midis dy vendeve”.

Kryediplomati shqiptar, nënvizoi rolin konstruktiv, moderues dhe aktiv të faktorit politik shqiptar në Malin e Zi, si në proceset integruese euro-atlantike, ashtu edhe në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Po ashtu, bashkëbiseduesit diskutuan mbi fuqizimin e zhvillimin ekonomik në zonat ku jetojnë shqiptarët, veçanërisht ato ndërkufitare, për përfaqësimin më të mirë të shqiptarëve në institucionet qendrore e lokale, si dhe për masat në drejtim të arsimimit dhe ruajtjes së identitetit të tyre.

“Ne kemi mbështetur koalicionin e partive shqiptare në Tuz dhe jemi jashtëzakonisht të lumtur për fitoren e tyre. Qasja jonë është natyrshëm ajo e kujdesit për shqiptarët dhe në këtë kuadër diskutuam edhe me Ministrin se është e nevojshme që bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërshtetëror ta përkthejmë në një bashkëpunim në një frymë gjithnjë më pozitive në nivel ndër-komunitar.

Do të takohemi sot edhe me partitë shqiptare, me këtë rast do të ofrojmë gatishmërinë e plotë për bashkëpunimin tonë dhe konsiderojmë që fitorja e tyre ka qenë skajshmërish e merituar dhe mbase është një shembull inkurajues për domosdoshmërinë e ndërtimit të unitetit të faktorit shqiptar.” – tha Ministri në Detyrë Cakaj në fjalën e tij në konferencë për shtyp me Ministrin e Jashtëm, Srdan Darmanovic, menjëherë pas takimit dypalësh.

Kryediplomati shqiptar vlerësoi bashkëpunimin me Malin e Zi në kuadër të organizatave ndërkombëtare dhe posaçërisht mbështetjen e Malit të Zi për marrjen e Kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020, duke theksuar se rajoni do të jetë në qendër të prioriteteve shqiptare për organizatën.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00