Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, mori pjesë në Konferencën për Afganistanin, të zhvilluar në Bruksel me datë 5 tetor 2016.
Në këtë takim të nivelit të lartë, morën pjesë mbi 67 vende, përfshirë të gjitha vendet e rajonit tonë dhe ato të BE-së, dhe rreth 25 organizata dhe agjenci të rëndësishme ndërkombëtare.
Konferenca u bashkë-organizua nga BE-ja dhe qeveria afgane, me qëllim vazhdimin e mbështetjes aktuale politike dhe financiare për Afganistanin nga vendet patnere deri në vitin 2020.
Në vijim të angazhimeve të marra në Samitin e NATO-s në Varshavë, Shqipëria do të dyfishojë prezencën e saj ushtarake në kuadër të misionit trajnues të NATO-s Resolute Support, i cili ka për qëllim stabilizimin e plotë dhe eliminimin e rrezikut që Afganistani të rikthehet në një strehë të terrorizmit ndërkombëtar.
Në fjalën e tij, Ministri Bushati shprehu mbështetjen e Shqipërisë për procesin e paqes dhe pajtimit kombëtar në Afganistan dhe përpjekjeve të autoriteteve vendore për garantimin e sigurisë në vend, në mënyrë që progresi i arritur gjatë dekadës së fundit dhe investimi afatgjatë i bashkësisë ndërkombëtare të jetë i pakthyeshëm.
Ministri Bushati deklaroi se “si vend anëtar i NATO-s dhe në mbështetje të politikave të BE-së, në cilësinë e vendit kandidat, Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në Afganistan, për sa kohë të jetë e nevojshme”.
Konferenca e Brukselit inkurajoi qeverinë afgane të Pajtimit Kombëtar në rrugën e reformave, duke kushtëzuar vijimin e përkrahjes financiare për këtë vend, me progres të matshëm për sa i përket luftës ndaj korrupsionit dhe respektimit të drejtave të njeriut dhe veçanërisht atyre të grave dhe fëmijëve.