Ministeriali i Mbrojtjes i NATO-s, Koçi: Shqipëria i përmbahet zotimit për të investuar në mbrojtje

Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s u takuan virtualisht nëpërmjet telekonferencës së sigurtë datë 17-18 shkurt 2021, për të adresuar disa çështje kyçe të sigurisë: përshtatjen e Aleancës nëpërmjet iniciativës “NATO 2030”, progresin drejt ndarjes së drejtë të barrës “fair burden-sharing”, Shkurajimin dhe Mbrojtjen “Defence and Deterrence” e përforcuar të NATO-s, operacionet dhe misionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak, etj.

Ministeriali u zhvillua sipas programit me dy sesione formale vetëm me vendet e NATO-s dhe një sesion i veçantë me vendet partnere të NATO-s, ku morën pjesë ministrat e Mbrojtjes së Finlandës, Suedisë dhe përfaqësuesi Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Sigurinë dhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian z. Josep Borrell.

Për shkak të infektimit nga Covid-19, ministri i Mbrojtjes z. Niko Peleshi nuk mund të merrte pjesë në këtë takim dhe u përfaqësua nga zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi.

Në fjalën e tij, z. Koçi përshëndeti Raportin NATO 2030 dhe e konsideroi atë si një bazë e fortë për diskutime të mëtejshme. Ai theksoi rëndësinë e madhe të parimeve kryesore të unitetit, solidaritetit dhe kohezionit ndërmjet vendeve anëtare të Aleancës si dhe rëndësinë e lidhjes transatlantike. Për Raportin NATO 2030, z. Koçi vlerësoi gjetjet dhe rekomandimet dhe siguroi vendet anëtare se Shqipëria do të japë kontributin e saj në përmbushjen e detyrimeve dhe përballjen me sfidat që e presin Aleancën. Për sa i përket Zotimit për Investime në Mbrojtje (DIP), z. Koçi siguroi se Shqipëria do të mbajë këtë zotim dhe se është në rrugë të mbarë për implementimin e tij, pavarësisht impaktit financiar të krijuar nga tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia Covid-19. Ndërsa, për kontributet në operacione dhe misione të NATO-s, Z. Koçi pasi vlerësoi kontributin e trupave ushtarake në operacione dhe misione dhe aktivitete të NATO-s në këtë kohë pandemie, konfirmoi ruajtjen e angazhimeve aktuale të Shqipërisë në Kosovë dhe Letoni, si dhe vijimin e kontributit shqiptar në Afganistan në përputhje me vendimmarrjen kolektive të Aleancës sipas parimit “In together – out together”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg theksoi se ky takim është një moment i rëndësishëm dhe bazë për përgatitjet për samitin e krerëve të shteteve të Aleancës në fund të këtij viti.

Z. Stoltenberg në fjalën e tij përmendi punën e bërë në hartimin e dokumentit “NATO 2030”, që do të shërbejë si bazë për hartimin e Konceptit të ri Strategjik të Aleancës. NATO 2030 ka për qëllim të bëjë Aleancën transatlantike më të përshatshme për të ardhmen nëpërmjet disa propozimeve ambicioze për përgatitjen e samitit të ardhshëm të krerëve të vendeve të NATO-s, ku ndër të tjera përmendim: rritjen e angazhimit për shkurajimin dhe mbrojtjen, duke inkurajuar Aleatët për të ofruar më shumë kapacitete duke ruajtur parimin e ndarjes së drejtë të barrës; rritjen e nivelit të ambicies për rimëkëmbjen (resilience), e cila është vija e parë e mbrojtjes; promovimi i bashkëpunimit transatlantik për inovacionin në fushën e mbrojtjes duke ruajtur nivelet më të larta të teknologjisë; përmirësimin e aftësive trajnuese dhe ngritja e kapaciteteve në vendet pratnere të NATO-s; përditësimi i Konceptit Strategjik të NATO-s; etj.

Ky ishte Ministeriali i parë i Mbrojtjes me administratën e re të presidentit Biden dhe u vlerësua për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis Evropës dhe Amerikës së Veriut.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00