Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini dhe Zëvendës Kryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së (Gymnich), që u zhvillua në Sofie.
Në këtë takim ishin të ftuar edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve kandidate. Diskutimet u përqendruan në sfidat e përbashkëta të sigurisë në Europë, dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Ministri Bushati vuri në dukje masat dhe arritjet e Shqipërisë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe nënvizoi mbështetjen e vazhduar dhe linjëzimin e plotë të Shqipërisë me politikën e BE-së, për adresimin e sfidave të sigurisë.
Ministri ritheksoi nevojën për një prani të shtuar të BE-së në Ballkanin Perëndimor, në kuadrin e një partneriteti të përforcuar në përballjen me sfidat e përbashkëta.
Ministri Bushati nënvizoi rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe të ofrimit të mundësive të punësimit për të rinjtë, si instrumentat më efikase për parandalimin e përhapjes së ideologjisë ekstremiste. Në këtë kuadër, Ministri theksoi nevojën për të ngushtuar hendekun në zhvillimin ekonomik midis vendeve të BE-së dhe rajonit tonë edhe përmes instrumenteve financiarë të procesit të zgjerimit të BE-së, në zbatim të Komunikatës së Komisionit Evropian mbi perspektivën e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë një interviste të shkurtër, menjëherë pas mbërritjes së tij në Sofje, ministri Bushati ka deklaruar se, edhe pse do të dëshironte që Strategjia e Zgjerimit të Komisionit Evropian të ishte më e detajuar mbi hapat që duhet të ndërmerren nga vendet kandidate, ajo është një hap i mirë dhe në drejtimin e duhur, sidomos pas vitesh të vështira që ky proces ka kaluar. Ministri përsëriti dëshirën për të punuar me Komisionin dhe vendet anëtare për materializimin e 6 nismave madhore që do ta afronin më shumë vendin tonë me BE-në.