Ministri Bushati mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që u zhvillua më 31 mars në Bruksel.
Punimet e Ministerialit i’u dedikuan përgatitjeve të Samitit Special të NATO-s që do të mbahet në muajin maj të këtij viti në Bruksel. Përgjatë bisedimeve, Ministrat e Jashtëm të Aleancës trajtuan një sërë tematikash të rëndësishme për sigurinë euro-atlantike, si nevojën për një angazhim të rritur të Aleancës në luftën kundër terrorizmit, progresin e bërë në kuadër të rritjes së buxheteve të mbrojtjes të vendeve aleate, si dhe mënyrat për t’iu përgjigjur kërcënimeve dhe sfidave të sigurisë nga Lindja dhe Jugu. Ministrat trajtuan gjithashtu situatën aktuale të sigurisë në rajonin tonë dhe rolin e aktorëve të tretë në Ballkanin Perëndimor.
Në ndërhyrjet e tij, Ministri Bushati shprehu mbështetjen e Shqipërisë për një angazhjim të rritur të Aleancës në luftën kundër terrorizmit, në bashkëpunim dhe koordinim me Bashkimin Europian dhe vendet partnere, si dhe evidentoi hapat e ndërmarra nga vendi ynë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Në kuadër të përpjekjeve për një shpërndarje më të drejtë të përgjegjësive brenda aleancës, sidomos në rrafshin buxhetor, Ministri Bushati ilustroi hapat pozitivë që ka ndërmarrë vendi ynë duke vendosur rritjen e buxhetit të Mbrojtjes në vitet 2016-2017, si dhe rritjen e investimeve për modernizimin e forcave të armatosura.
“Shqipëria vjen në këtë Ministerial me një seri kontributesh konkrete dhe në rritje, të cilat e rendisin vendin tonë në krah të aleatëve dhe partnerëve më aktivë në misionet dhe operacionet e NATO-s, duke përfshirë Afganistanin, Kosovën, detin Egje dhe së shpejti Letoninë” u shpreh Ministri Bushati.
Në këtë kontekst, Minitri Bushati nënvizoi vlerën e shtuar që ofron kontributi i Shqipërisë në përballimin e sfidave të sigurisë në kufijtë e Aleancës, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë që ka një vëmendje e shtuar e NATO-s në përgjigje të sfidave të sigurisë me të cilat po përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Gjatë Ministerialit, Aleanca shprehu sërish përkrahjen e saj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës si dhe nënvizoi rëndësinë e një zgjidhje paqësore nëpërmjet zbatimit të plotë të marrëveshjeve të Minskut.
Në këtë ministerial ishin të ftuar Ministri i Malit të Zi, vend i cili pritet të anëtarësoht zyrtarisht së shpejti, Përfaqesuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini, si dhe Ministrat e Finlandës dhe Suedisë.
Në kuadër të punimeve të Aleancës, Ministri Bushati pati dhe një serë takimesh të vecanta me homolgët e Kanadasë, Christia Freeland, të Greqisë, Nikos Kotzias, dhe të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.
Zhvillimet e fundit në rajon dhe përkeqësimi i mjedisit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor ishin disa prej temave të trajtuara në takimet e Ministrit Bushati me kolegët Kotzias dhe Çavuşoğlu .
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Komisionerin Johannes Hahn, me të cilin biseduan për rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, vecanërisht për ligjin e vetting-ut, si elementi thelbësor drejt çeljes së bisedimeve për anëtarësim me BE-në.