Ministri Bushati zhvillon takim me përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Malin e Zi

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti sot në takim përfaqësuesit e koalicioneve të partive politike shqiptare në Malin e Zi.

Biseda u fokusua mbi gjendjen e shqiptarëve në Malin e Zi, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi avancimin e të drejtave të tyre në funksion të përmirësimit të gjithanshëm të nivelit të jetesës.

Ministri Bushati vuri në dukje vëmendjen e madhe me të cilën Qeveria e Shqipërisë i kushton gjendjes se shqiptarëve në Malin e Zi dhe në rajon. Ai vlerësoi popullsinë shqiptare të Malit të Zi si një urë lidhëse mes dy vendeve, duke ndikuar ndjeshëm në afrimin e dy popujve si dhe evidentoi rolin e faktorit shqiptar në pavarësinë dhe avancimin e Malit të Zi në proceset e integrimit euro-atlantik. Në këtë kuadër, Ministri Bushati shprehu mbështetjen për proceset integruese të Malit te Zi, çka përbën interes për avancimin e mëtejshëm të shqiptareve të Malit te Zi, si dhe i shërben stabilitetit të rajonit tonë.

Bashkëbiseduesit e njohën Ministrin Bushati me disa nga sfidat me të cilat përballen, që lidhen kryesisht me të drejtat e tyre të përfaqësimit në institucionet lokale dhe qendrore, menaxhimin e resurseve sipas legjislacionit vendas, si dhe përdorimin e gjuhës dhe simboleve kombëtare. U theksua nevoja e përmirësimit të kuadrit ligjor në funksion të arritjes së standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.

Duke nënvizuar domosdoshmërinë e zgjidhjes së problematikave të ngritura, Ministri Bushati siguroi bashkëbiseduesit se Qeveria e Shqipërisë do të vijojë të ndjekë me vëmendje ecurinë e mëtejshme të pozitave të shqiptarëve në Malin e Zi.

Ministri Bushati përshëndeti angazhimin e ndërmarrë nga faktori politik shqiptar për t’u grupuar politikisht në 3 koalicione zgjedhore, si dhe inkurajoi vijimin e bashkëpunimit mes tyre për realizimin e një platforme të përbashkët në Parlamentin e ri në funksion të mbrojtjes së interesave të të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi.  “Ne besojmë se një kohezion më i madh i faktorit politik shqiptar në Malin e Zi, do të përkthehej në një përfaqësim më të madh në parlamentin e ardhshëm, dhe në ndërtimin e urave më të forta e më solide të komunikimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi”, u shpreh Ministri Bushati.

Ne këtë kuadër Ministri Bushati inkurajoi shqiptarët e Malit të Zi  të shprehin vullnetin për 3 koalicionet shqiptare për të siguruar një përfaqësim më të mirë.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00