Ministri Bushati zhvilloi një vizitë në Francë, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky Samit do të mbahet në Paris në fillim të muajit korrik, si etapa e radhës e Procesit të Berlinit, në vazhdën e samiteve të organizuara në Berlin (2014) dhe Vjenë (2015).
Gjatë takimit me homologun francez Jean-Marc Ayrault, u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Francës.
Dy ministrat shprehën angazhimin e përbashkët për ta intensifikuar më tepër bashkëpunimin dypalësh në sektorë strategjikë, bazuar në historitë e suksesit në fushën energjetike dhe atë të mbrojtjes.
Ministri Bushati e njohu Ministrin Ayrault me ecurinë e reformave shtet-konsoliduese që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Duke u ndalur mbi rëndësinë e përmbushjes së reformës në drejtësi, Ministri Ayrault përshëndeti vendosmërinë e qeverisë shqiptare për miratimin e kësaj reforme parësore për ecurinë e vendit në procesin e anëtarësimit në BE. “Në këtë proces, Shqipëria do të ketë mbështetjen dhe inkurajimin e Francës”, u shpreh Ministri Ayrault.
Ministri Bushati e siguroi Ministrin Ayrault për angazhimin e qeverisë shqiptare për forcimin e shtetit ligjor në ekonomi. Në këtë kontekst, Ministri Bushati vlerësoi përfshirjen e kompanive franceze në investime strategjike në Shqipëri dhe rajon, siç është gazsjellësi TAP. Duke iu referuar sfidave që po përjeton sot Evropa nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, dy ministrat rikonfirmuan nevojën e koordinimit të agjencive të specializuara në përballimin e tyre.
Takimi i Ministrave të Jashtëm të rajonit me Ministrat Jean-Marc Ayrault dhe Harlem Desir, Komisionerin Hahn dhe përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, shprehu angazhimin e përbashkët që Samiti i Parisit të afrojë më tej vendet e rajonit me Bashkimin Evropian, nëpërmjet projekteve konkrete në transport dhe energji, si dhe duke krijuar mundësi reale për të rinjtë e rajonit.
Në këtë kuadër, Ministri Bushati informoi mbi projektin e paraqitur nga Shqipëria për rehabilitimin e Hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e degëzimit për në Rinas, si dhe masat e marra për financimin e linjës së Interkonjeksionit elektrik me Maqedoninë.
Ministri informoi gjithashtu për përgatitjet e udhëhequra nga Shqipëria për nënshkrimin gjatë Samitit të Parisit të marrëveshjes për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor që do të ngrihet në Tiranë për të financuar projekte që rrisin mobilitetin e të rinjve në rajon, mundësitë për kualifikime profesionale dhe shkëmbimet kulturore. “Samiti i Parisit duhet të ofrojë mundësi të reja për rininë, veçanërisht në bashkëpunimin midis universiteteve dhe njohjen e ndërsjellë të diplomave”, u shpreh Ministri Bushati.
Duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes që jep procesi i integrimit evropian për reformat që konsolidojnë shtetin ligjor, Ministri u shpreh se “reforma e sistemit gjyqësor, përbën sfida të përbashkëta për të gjitha vendet e rajonit”. Ministri Bushati theksoi në këtë kuadër nevojën për të pasur një qasje rajonale edhe në këtë fushë.
Pjesëmarrësit në takim u angazhuan për përshpejtimin e zbatimit të angazhimeve të marra lidhur me masat administrative dhe ligjore në fushën e transportit dhe energjisë, për të paraqitur arritje të mëtejshme konkrete në samitin e Parisit.
Gjatë vizitës në Francë, Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu takime me Kryetaren e Komisionit të Jashtëm në Asamblenë Kombëtare të Francës, znj. Elisabeth Guigou, dhe me Sekretarin e Përgjithshëm për Çështjet Evropiane, z. Philippe Léglise-Costa.