Ministri Bushati zhvillon vizitë pune në Athinë

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë pune në Athinë me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Nikolaos Kotzias.

Kjo vizitë vjen në vazhdën e një dialogu të ngushtë dhe periodik, në kuadër të mekanizmit të nivelit të lartë midis dy ministrive për trajtimin e mosmarrëveshjeve dypalëshe. 

Bisedimet trajtuan gjithë spektrin e bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve, zhvillimet në rajon, sfidat aktuale të sigurisë si dhe nevojën për një ndërveprim më të mirë në përballimin e tyre në planin rajonal dhe më gjerë. 
 
Dy ministrat i kushtuan vëmendje të posaçme trajtimit të çështjeve me karakter historik, çështjeve të së tashmes dhe të së ardhmes, të cilat tashmë janë vendosur në tryezën e diskutimit mes palëve, me synim gjetjen e modaliteteve të qëndrueshme për adresimin e tyre përfundimtar. 

Palët shqyrtuan gjithashtu progresin e arritur deri tani përmes mekanizmit të nivelit të lartë, si dhe dakordësuan një kaledar të përbashkët për adresimin e të gjitha çështjeve. Ministrat shprehen vlerësimin për progresin e arritur në disa prej komisioneve dypalëshe të cilat kanë efekte praktike dhe impakt direkt në jetën e qytetarëve, si dhe shprehen angazhimin për të vijuar më tej me rezultate konkrete që do t’u japin frymëmarrje të re marrëdhënieve tona dhe do t’i kontribuojnë forcimit dhe thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Ministrat ndanë vlerësimin e përbashkët se fuqizimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve me rëndësi strategjike ndërmjet vendeve tona fqinje të mira, anëtarë të NATO-s dhe gjithnjë e më afër në planin europian, është me rëndësi jo vetëm në planin dypalësh, por i shërben edhe të ardhmes europiane të rajonit. 

Ministri Bushati dhe Ministri Kotzias diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në rajon, veçanërisht mbi situatën në Maqedoni, duke shprehur shqetësimin për thellimin e krizës dhe evidentuan nevojën për një reflektim të shpejtë në funksion të stabilitetit të vendit dhe të ardhmes europiane të Maqedonisë

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00