Me ftesë të homologut të tij kroat, Davor Ivo Stier, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Kroaci. Kjo vizitë vjen në një moment të rëndësishëm për raportet dypalëshe sepse dy vendet shënojnë 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Gjatë takimit mes dy ministrave të jashtëm u vlerësua dialogu i qëndrueshëm politik si dhe bashkëpunimi në rritje në një sërë fushash si premisat më të mira për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në këtë kuadër, theks i veçantë iu kushtua eksplorimit të mundësive për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, pasurimin e kuadrit ligjor me marrëveshje të reja, finalizimin e projekteve në proces siç janë Korridori Adriatiko - Jonian, gazsjellësi Jonian-Adriatik (IAP) dhe projekte të ndërlidhjes rajonale, si edhe identifikimi i iniciativave të reja zhvillimore me impakt në prosperitetin e dy vendeve.
Ministri Bushati dhe Ministri Stier shprehën besimin se vlerat dhe parimet që ndajnë së bashku dy vendet tona do t’i shërbejnë fuqizimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe nxitjes së perspektivës euro-atlantike të rajonit tonë. "Me vjen mirë që konstatojmë se partneriteti ynë ka karakter strategjik për vetë përkatësinë tonë euro-atlantike dhe rakordimin që kemi për një sërë çështjesh të rëndësishme të bashkëpunimit, sigurisë në rajon dhe punës së përbashkët në kthimin e hapësirës sonë në një zonë zhvillimore", u shpreh Ministri Bushati.
Ministri Stier vlerësoi angazhimet që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në përmbushjen e reformave kyç në vend duke u ndalur veçanërisht tek reforma në drejtësi, si dhe shprehu mbështetjen e qeverisë kroate për hedhjen e hapit të radhës, atë të çeljes së negociatave për anëtarësim. Në këtë kontekst, Ministri Bushati falënderoi Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e përafrimit të vendit tonë me BE-në dhe shprehu interesin e palës sonë për përfitimin e eksperiencës kroate në çeljen e negociatave të anëtarësimit.
Dy Ministrat vlerësuan se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kroacisë janë konsoliduar edhe falë rolit të diasporës shqiptare në Kroaci, e cila gjithashtu është vlerësuar lart nga autoritetet kroate si një urë miqësie, lidhjesh të forta dhe bashkëpunimi të frytshëm midis vendeve tona.
Lidhur me zhvillimet e fundit në rajon, bashkëbiseduesit ndanë qasjen se dy vendet tona anëtare të NATO-s kanë një peshë specifike dhe kontribut të vyer në forcimin e stabilitetit, sigurisë, konsolidimin e progresit demokratik të Ballkanit, duke u shprehur të bindur se kjo frymë besimi e bashkëpunimi të ngushtë do të vijojë edhe në të ardhmen, në dobi të rajonit ku jetojmë dhe popujve tanë.
Ministri Bushati u prit në takime të veçanta nga kryeministri Andrej Plenković dhe Kryetari i Parlamentit, Božo Petrov. Gjatë takimeve u diskutua mbi thellimin e miqësisë tradicionale mes dy vendeve tona, intensifikimin e shkëmbimeve tregtare, ndërlidhshmërinë në Europën Adriatike dhe zhvillimet më të fundit në rajon. Palët evidentuan rolin e veçantë që kanë Shqipëria dhe Kroacia si vende anëtare të NATO-s dhe kontributin që japin në perspektivën euro-atlantike të vendeve të rajonit tonë.