Ministrja Kodheli në Ministerialin e Mbrojtjes në Bruksel

Takimi i ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO ka nisur sot në Bruksel, ku kanë përcaktuar dhe piketat kryesore mbi të cilat do të diskutohet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Aleancës. Gjatë kësaj dite, ministrat trajtuan dhe hodhën hapa konkretë mbi forcimin e mbrojtjes kolektive të NATO. Në veçanti, ata diskutuan mbi konceptin e NATO për frenimin e rreziqeve dhe mbrojtjen (Deterrence and Defense). Në këtë pikë, u ra dakord mbi vendosjen dhe madhësinë e forcës të përparuar të NATO në kufijtë lindorë të saj, si dhe vijimi i punës për të shqyrtuar propozimet për të shtrirë këtë vendosje dhe në zonën e Detit të Zi.

Ministrja e Mbrojtes znj. Mimi Kodheli, e cila po merr pjesë në këtë takim, nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për të dhënë kontributin e vet në ndërtimin e një mbrojtje moderne dhe efikase të NATO. Ministrja shprehu mbështetjen e vendit tonë për vendosjen e trupave në kufijtë lindorë të Aleancës ku Shqipëria mbetet e angazhuar të konsiderojë pjesëmarrjen e saj, në të ardhmen. Ajo, gjithashtu, nënvizoi se vendi ynë do të vijojë të luajë një rol aktiv në Aleancë duke mbështetur kontributet në kuadër të Planit të Veprimit të Gatishmërisë Shumë të Lartë. Tregues i kësaj është fakti se Shqipëria mori pjesë në stërvitjen që sapo përfundoi “Brilliant Jump 2016”, ndërkohë vijon stërvitjen “Anakonda 2016” në Poloni. 

Duke u ndalur tek rreziqet dhe sfidat që burojnë nga Jugu i Aleancës, znj. Kodheli theksoi se vendi ynë mbështet hapat e ndërmarrë deri në këto momente, megjithatë, vijoi ajo, ne duhet të krijojmë kushtet më të mira për të kuptuar rrënjët e problemit, ndaj në këtë drejtim vendi ynë po përshpejton përpjekjet për vendosjen në Tiranë, të Qendrës së Ekselencës së NATO kundër rrezikut të luftëtarëve të huaj.

Së fundmi, ministri i Mbrojtjes nënvizoi se Shqipëria, si vend aspirant për në BE, është e gatshme të mbështesë çdo axhendë që forcon bashkëpunimin NATO - BE, në Samitin e Varshavës.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00