Ministrja Xhaçka pret dy avionët e tjerë me qytetarë afganë: Bujaria e shqiptarëve i dha atyre mundësinë për një jetë më të mirë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në aeroportin e Rinasit dy avionët e tjerë me 154 qytetarë afganë që mbërritën në Shqipëri. 

Përmes një postimi në Twitter, Xhaçka shprehet se falë bujarisë së shqiptarëve, qytetarët afganë i shpëtuan një fati të tmerrshëm në vendin e tyre dhe iu dha mundësia për të filluar një jetë të re. 

"Mbërritën në Rinas edhe 154 qytetarë afganë, burra, gra, fëmijë. Njerëz të traumatizuar nga lufta, çdonjëri një jetë e shpëtuar nga një fat i tmerrshëm në vendin e tyre, që falë bujarisë së shqiptarëve fillojnë sot një jetë të re. Krenare!", shkruan ministrja në postimin e saj. 

Në pritjen e tyre mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim. 

Të ardhurit gjatë natës së djeshme janë akomoduar në Tiranë. Në total, numri i qytetarëve afganë të mbërritur në Shqipëri në 48 orët e fundit është 275.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00