Me pjesëmarrjen e veçantë të tre gjeneralëve më të lartë të Aleancës së NATO, por edhe të mjaft autoriteteve të larta nisi nga Durrësi stërvitja më e madhe ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor, “Defender Europe 2021”.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi teksa shprehu mirënjohjen që u zgjodh Shqipëria si një ndër 12 vendet host për këtë stërvitje, siguroi drejtuesit e lartë të Aleancës se vullneti për të qëndruar në krah të NATO në çdo rrethanë, sfidë dhe përpjekje është i palëkundur.
“Defender Europe 21 dëshmon për vëmendjen dhe përkushtimin që Aleanca dhe në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara kanë për rajonin tonë. Kjo stërvitje është një mesazh i qartë për popujt e Ballkanit. E ardhmja e tyre e vetme është integrimi i plotë në strukturat euroatlantike. Çdo hezitim, devijim, ndikim përtej kësaj rruge është thjesht humbje kohe. Por, kjo është dhe një mesazh për ato vende dhe forca “dashakeqëse” dhe rivale të vlerave tona të përbashkëta. Falënderoj Shtetet e Bashkuara që zgjodhën Shqipërinë si përçuese e këtyre mesazheve të shumëfishta strategjike”, u shpreh ministri Niko Peleshi në ceremoninë e nisjes së stërvitjes.
Kryeministri Edi Rama, i cili përshëndeti këtë ceremoni e cilësoi një moment historik dhe një stërvitje unikale Defender Europe 2021. “Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë besnikërisht krah për krah jush si një vend që ndoshta nga pikëpamja numerike nuk i ofrojmë shumë kësaj Aleance, por nga pikëpamja e vlerave që e bëjnë këtë Aleancë unikale për botën tonë, ne dëshirojmë të jemi gjithmonë më të denjë e të vyer brenda kësaj Aeance”, - u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.
Gjenerali amerikan dhe komandanti i Komandës Europiane të SHBA, Tod D. Wolters në fjalën e tij përshëndetëse me rastin e nisjes së stërvitjes së NATO Defender Europe 21 në Shqipëri vlerëson vendin tonë si një komb që ka luajtur rol të madh për paqen në rajon. “E gjithë logjistika e anijeve është e përbashkët. E bëjmë në mënyrën tipike të NATO, me forca të armatosura të shëndosha: marinsa, forca tokësore, forca ajrore, forca detare, për të provuar e dëshmuar se nga kjo stërvitje do jemi më shumë përgjegjës, do të reagojmë më mirë. Falënderoj këtë komb, që është eksportues i sigurisë. Mënyra si e kuptojmë këtë, momenti kur ju e keni treguar këtë nga pranimi në NATO, na ka dhënë një Shqipëri më të sigurt, pjesë perëndimore më të sigurt, një Mesdhe dhe Europë më të sigurt. Ndihemi më të sigurt, jemi më të fortë së bashku’’- tha gjeneral Tod D. Wolters.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri Yuri Kim, në fjalën përshëndetëse përgëzoi Forcat e Armatosura shqiptare dhe Ministrinë e Mbrojtjes për organizimin e ceremonisë së jashtëzakonshme. Diplomatja amerikane tha se Shqipëria është pritësja e më shumë aktiviteteve se çdo vend në rajon dhe kjo për një arsye. “Së pari roli i Shqipërisë në Aleancë është më i rëndësishëm se kurrë. Shqiptarët kanë luftuar pranë nesh krah për krah në konflikte të shumta përreth globit. Kurrë nuk do të harrojmë sakrificat tuaja, e gjithmonë do t’ju jemi mirënjohës që kur Amerika ka nevojë për ju, kur aleatët kanë nevojë për ju, NATO është aty dhe Shqipëria gjithmonë është krah nesh. E njohim trimërinë tuaj dhe jemi të nderuar t’ju quajmë aleatët tanë”, - u shpreh ambasadorja Kim.
Nisja e stërvitjes “Defender 2021” u përshëndet edhe nga presidenti Ilir Meta, i cili tha se kjo stërvitje është një garanci e fortë që Shqipëria është e gatshme të mbrojë vlerat e demokracisë në Evropë dhe në të gjithë hapësirën euroatlantike.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Bajram Begaj, në fjalën e tij tha se zhvillimi i kësaj stërvitjeje të trupave të NATO në Shqipëri është e një rëndësie të lartë jo vetëm për përmasat, por edhe për mesazhet e sigurisë që përcjell. Sipas tij, prania e gjeneralëve të nderuar amerikanë është dëshmi e qartë e mbështetjes së SHBA për Forcat tona të Armatosura dhe Shqipërinë. "'Shqipëria godet më fort, se sa pesha e saj'. I siguroj gjeneralët amerikanë se nuk do të gjejnë zhgënjim te ne”, - tha gjeneralmajor Begaj.
Stërvitja ushtarake, e organizuar nga Ushtria Amerikane në Europë dhe Afrikë, ku marrin pjesë rreth 28 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere, do të zhvillohet në 7 baza të ndryshme në vendin tonë.
“Defender Europe 21” që u çel sot do të zgjasë deri më 9 qershor. Shqipëria është një nga 16 vendet mirëpritëse në zhvillimin e kësaj stërvitjeje ushtarake. Forcat tona të Armatosura, do të përfaqësohen me rreth 1.000 trupa. Ndërkohë 28.000 trupa shumëkombëshe do të kryejnë aktivitete pothuajse në të njëjtën kohë në më shumë se 30 zona trajnimi, të shtrira në 12 vende.