Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Selinë Qendrore të NATO-s, ditën e enjte, 28 prill 2016. Në bisedimet e tyre, Presidenti Nishani dhe Sekretari i Përgjithshëm diskutuan mbi çështjet kyçe në axhendën e NATO-s në prag të Samitit të Varshavës, kontributin e Shqipërisë në NATO-s situatën e sigurisë në rajonin Euroatlantik, përfshirë Ballkanin Perëndimor.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg, Presidenti Nishani nënvizoi rëndësinë që Shqipëria i kushton përballjes së sfidave të sigurisë në hapësirën Euroatlantike në të gjitha drejtimet, përfshirë ato që vijnë nga krahu lindor e jugor i saj. Presidenti Nishani vuri në dukje se Shqipëria është e vendosur të modernizohet për t’iu përgjigjur në mënyrën e duhur sfidave të kohës dhe, në zbatim të angazhimeve të marra në Uells, Shqipëria do të vijojë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.
Presidenti Nishani nënvizoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen euro-atlantike.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vlerësoi Shqipërinë për kontributin e saj për sigurinë e Aleatëve dhe për rolin e saj në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Duke theksuar rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në këtë rajon, z. Stoltenberg shtoi se bashkëpunimi i Tiranës me fqinjët e saj ndihmon " për të ndërtuar stabilitetin pranë shtëpisë."
Sekretari i Përgjithshëm vlerësoi lart Shqipërinë për kontributin e vazhdueshëm të Shqipërisë në misionet e NATO-s në Afganistan dhe Kosovë, si dhe për mbështetjen e saj të fortë për partnerët e NATO-s, duke përfshirë Ukrainën. Ai gjithashtu përshëndeti kontributin e Shqipërisë në Koalicionin Global kundër ISIL, me pajisjet dhe forcave speciale trajnerëve në Irak.