Samiti i NATO-s në Bruksel rikonfirmon rolin e Aleancës si garantuese e sigurisë në hapësirën euroatlantike

Samiti i 29-të i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut u mbajt në selinë e re të NATO-s, më 11-12 korrik 2018. Si vend aleat, Shqipëria u përfaqësua me një delegacion të kryesuar nga Kryeministri, Edi Rama, me pjesëmarrjen e Ministrit për Evropën dhe Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Ashtu siç pritej, ky Samit u karakterizua kryesisht nga diskutimet e hapura dhe të drejtpërdrejta mbi domosdoshmërinë për të përmbushur vendimin e marrë në Samitin e Uellsit të katër viteve më parë, ku aleatët u zotuan që deri në vitin 2024 do të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në nivelin 2% të prodhimit të brendshëm bruto.

Pavarësisht mendimeve të ndryshme mes aleatëve për çështje të veçanta, u rikonfirmua solidariteti dhe uniteti transatlantik i Aleancës, e cila do të vijojë të prodhojë dhe të jetë garantuese e sigurisë në hapësirën euroatlantike.Për t’iu përgjigjur në mënyrë adeguate kërcënimeve e sfidave serioze e komplekse të sigurisë, si nga Lindja, ashtu dhe nga Jugu, Aleanca mori vendime të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kolektive dhe të shkurajimit, si dhe projektimin e stabilitetit dhe luftën kundër terrorizmit në hapësirën euro-atlantike dhe rreth saj. Samiti i kushtoi rëndësi të posaçme mbështetjes dhe ndihmës ndaj partnerëve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, për aftësimin e tyre në përballimin e sfidave aktuale të sigurisë. Vendet aleate miratuan inicimin e Misionit të ri stërvitor jo-luftarak të NATO-s në Irak dhe vendosën paketat e reja të ndihmës për Jordaninë dhe Tunizinë.

Në kontekstin e Samitit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e veçantë të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Koalicionit Global kundër të ashtuquajturit “Shtet Islamik”, thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Mposhtja e terrorizmit në të gjitha format e tij, duke u përqendruar në parandalim dhe në adresim të faktorëvve ideorë mbetet një objektiv kyç për të gjitha vendet tona dhe një sfidë për stabilitetin e rajonit” – vuri në pah, Ministri Bushati.

Thellimi i bashkëpunimit mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ishte gjithashtu në fokus të Samitit. Ky angazhim u rikonfirmua me nënshkrimin e një deklaratë të përbashkët mes këtyre dy organizatave, ku ritheksuan partneritetin e tyre strategjik si dhe angazhimin reciprok për jetësimin e bashkëpunimit në një numër të konsiderueshëm drejtimesh në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, në përballjen e kërcënimeve hibride, sulmeve kibernetike dhe për të lehtësuar lëvizjen e trupave dhe mjeteve ushtarake në të gjithë hapësirën euroatlantike.

Në Samit u rikonfirmua rëndësia strategjike e rajonit të Ballkanit Perëndimor për sigurinë e Aleancës, si dhe e peshës në rritje të Shqipërisë, e shprehur si nëpërmjet shumëfishimit të kontributeve për operacionet e NATO-s, ashtu dhe politikisht, në vendimmarrje dhe në politikë-bërjen e Aleancës, sidomos në kontekstin e rajonit dhe Politikës së Dyerve të Hapura.
Rikonfirmimi i Politikës së Dyerve të Hapura të NATO-s ishte një nga elementët kryesorë të Samitit dhe me shumë rëndësi për rajonin tonë. Në emër të Aleancës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i dorëzoi Kryeministrit Zoran Zaev ftesën zyrtare për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, në vijim të arritjes të pak kohëve më parë së marrëveshjes për emrin mes Shkupit dhe Athinës.Gjatë Samitit, liderët e vendeve aleate u takuan me Presidentët e Ukrainës dhe Gjeorgjisë dhe riafirmuan mbështetjen e plotë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të Aleancës dhe këtyre partnerëve.

Samiti rikonfirmoi vijimin e angazhimit të NATO-s në Afganistan lidhur me trajnimin, këshillimin dhe asistencën për Forcat Kombëtare Afgane të Sigurisë (ushtri dhe polici), përfshirë edhe angazhimin financiar të vendeve pjesëmarrëse në Misionin “Resolute Support”.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00