Shqipëria dhe Mali i Zi : partneritet për zhvillim

Më datë 3 prill, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Mal të Zi me ftesë të homologut të tij, Kryeministrit Dusko Marković. Në këtë vizitë, Kryeministri Rama shoqërohej nga Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.

Në bisedimet e zhvilluara me këtë rast, dy Kryeministrat nënvizuan marrëdhëniet shumë të ngushta fqinjësore mes dy vendeve tona, si dhe rëndësinë e thellimit të tyre të mëtejshëm si në rrafshin dypalësh, ashtu edhe atë rajonal dhe të perspektivës së përbashkët euro-atlantike. Kryeministri Rama përshëndeti Marrëveshjen e arritur mes partive të koalicionit qeveritar në Malin e Zi, ku përfshihet edhe plotësimi i disa kërkesave të popullsisë shqiptare. Në këtë kontekst, ai shënoi ndjeshmërinë e rritur të palës malazeze për një shqyrtim serioz e gjithëpërfshirës të kërkesave të shqiptarëve të Malit të Zi, në drejtim të përmbushjes së të drejtave të tyre legjitime përfaqësuese, të drejtave ekonomike e kulturore, një integrimi më të mirë të tyre në shoqëri, në përputhje me termat e kësaj marrëveshjeje.

Kryeministri vlerësoi posaçërisht hapat e marra deri tani me finalizimin e planit hapësinor të Komunës së Ulqinit dhe miratimin e plotësimeve ligjore, për të organizuar territorin në funksion të hapjes së rrugës së krijimit të Komunës së Tuzit, si komunë e pavarur.

Me iniciativën e dy Kryeministrave, në muajin tetor do të mbahet mbledhja e përbashkët e të dy qeverive në Shkodër, me synimin për të fuqizuar e intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe, në funksion të përmirësimit të jetës ekonomike dhe sociale të qytetarëve të dy vendeve, veçanërisht përmes konkretizimit të projekteve ndërkufitare, me impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm, rritjen ekonomike dhe përmirësimin e jetesës së popullsisë në dy anët e kufirit.

Në kuadër të kësaj vizite, Ministrat e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Srdan Darmanovic nënshkruan Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë, e cila parashikon shkëmbime në fushën mjekësore, përforcim kapacitetesh e ekspertizë të ndërsjellë.

Në përfundim të vizitës, Kryeministri Rama dhe Ministri Bushati patën një takim të posaçëm në qytetin e Ulqinit me përfaqësues të faktorit politik shqiptar në Malin e Zi. Bashkëbiseduesit u ndalën mbi pritshmëritë e shqiptarëve në Malin e Zi për sa i përket përmbushjes së të drejtave të tyre, zhvillimit kulturor dhe ekonomik, si dhe mbi ecurinë e projekteve të ndërsjellta në zonat ndërkufitare.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00