Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në Ministerialin e Kartës SHBA-Adriatike apo siç njihet ndryshe A5, i cili zhvillohet në Podgoricë të Malit të Zi, vendi që mban kryesinë për vitin 2018.
Në takim, ministrat e Jashtëm Të vendeve anëtare dhe vëzhguese të saj diskutuan mbi situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve anëtare dhe vëzhguese të A5-ës në funksion të integrimit euro-atlantik të rajonit.
Gjatë takimit, Ministri Bushati krahas vlerësimit të kontributeve të vendeve pjesëmarrëse në operacionet e drejtuara nga NATO, veçanërisht në Afganistan, theksoi edhe domosdoshmërinë e zgjerimit të Kartës me vendet e tjera të rajonit, gjë që do i shërbejë integrimit të plotë euro-atlantik të tij, në funksion të konsolidimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.
Ministri Bushati në cilësinë e kryesuesit kësaj nisme për vitin 2019, vuri në dukje se: “Ndërkohë që kjo platformë i ka shërbyer plotësisht qëllimit të saj fillestar, për të mbështetur përpjekjet tona drejt integrimit euro-atlantik, besojmë se është koha për ri-adresimin e fokusit të Nismës. Fokusi i kryesisë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike do të jetë forcimi i mëtejshëm i koordinimit dhe mbështetjes reciproke, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, në luftën aktive dhe me efektivitet kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.
Ministri Bushati u ndal veçanërisht edhe tek domosdoshmëria për të marrë parasysh kërkesën legjitime të Kosovës për t’u përfshirë si vend anëtar në këtë Nismë në përputhje me aspiratat euro-atlantike të vetë Kosovës.
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, miratuan edhe Komunikatën e Përbashkët, e cila avancon më tej rrugët e rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe rëndësinë e zgjerimit të Kartës në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.