Takimi i Ministrave të Integrimit të Evropës Juglindore

Më 4 tetor 2018, Shqipëria dhe Presidenca austriake e Bashkimit Evropian organizuan në Tiranë takimin e ministrave përgjegjës për integrimin evropian të vendeve të rajonit tonë.

Takimi u drejtua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati dhe nga Ministrja austriake për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme Karin Kneissel. Morën pjesë Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Kroacisë Marija Pejčinović Burić, Zëvendëskryeministri dhe Ministri për Çështjet Evropiane i Maqedonisë Bujar Osmani, Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës Dhurata Hoxha, Kryenegociatori i Malit të Zi për anëtarësimin në BE Aleksandar Drljević, përfaqësues të Bullgarisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe ekspertë ndërkombëtarë.

Takimi hodhi bazat për thellimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjellë në rrugën e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE.

Në fjalën e tij Ministri Bushati theksoi se ‘lançimi i një procesi bashkëpunimi të strukturuar sa i përket reformave të integrimit evropian tregon që jo vetëm i qëndrojmë zotimit të Samitit të Vjenës në vitin 2015 për të mos krijuar pengesa për përparimin drejt integrimit në BE të secilit prej vendeve tona, por kemi vullnetin konkret për të mbështetur njëri-tjetrin në procesin e integrimit’.

Duke nënvizuar se ‘edhe pse vendet e rajonit janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit, përballemi me sfida të përbashkëta’, Ministri nënvizoi se ‘progresi i gjithsecilit prej vendeve tona ndikon tek vendet e tjera’.

Ministri Bushati theksoi gjithashtu nevojën për të përmirësuar kapacitetet e institucioneve tona për t’u angazhuar në shkëmbime përvojash midis vendeve dhe për të zbatuar praktikat e mira nga rajoni në sistemet kombëtare respektive. Ai argumentoi gjithashtu se ka hapësirë edhe për fuqizim të mëtejshëm të përpjekjeve tona të përbashkëta për të bërë të njohura arritjet e rajonit tonë, në mënyrë që të luftohen bashkërisht perceptimet paragjykuese mbi rajonin tonë.

Deklarata ë përbashkët e takimit shprehu angazhimin për:
• Ofrimin e mbështetjes së ndërsjellë në fazën e para–aderimit, përfshirë aspektet teknike, financiare, organizative dhe komunikuese të saj me qëllim që të përshpejtojë perspektivën evropiane të të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe mos-krijimin e pengesave për anëtarësim ndaj njeri-tjetrit,
• Forcimin e bashkëpunimit të strukturuar nëpërmjet një rrjeti rajonal të integrimit në BE dhe detyrimin e institucioneve relevante të vendeve pjesëmarrësve për të zhvilluar dhe përmirësuar aktivitetet me qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal, mbështetjen e ndërsjellë dhe shkëmbimet e praktikave më të mira në të gjitha aspektet e procesit të para-aderimit.
• Takimet e rregullta në nivel Ministror për të ofruar udhëheqje politike për këtë bashkëpunim dhe për të shkëmbyer pikëpamje mbi aspektet e procesit të para-aderimit.
• Kërkimin e mbështetjes së mëtejshme nga Komisioni Evropian brenda kuadrit financiar ekzistues, si dhe nga donatorë, për të forcuar bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00