Xhaçka në Ministerialin e NATO-s: Ballkani Perëndimor, shembull konkret i angazhimit shumëpalësh

Pak orë përpara fillimit të takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s që këtë vit mbahet në Letoni, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në forumin me temë “Perspektiva e NATO-s drejt vitit 2030 dhe më tej”. 

Në këtë Ministerial marrin pjesë gjithashtu edhe Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Antony Blinken dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. 

Ministrja Xhaçka theksoi se Koncepti strategjik i 2022, me fokus në unitetin, solidaritetin dhe vlerat e përbashkëta është rrugëzgjidhja e vetme ndaj kërcënimeve të vazhdueshme hibride me të cilat bota po përballet. 

Në këtë aspekt, Ministrja Xhaçka e cilësoi Ballkani Perëndimor si një nga historitë e mëdha të suksesit të NATO-s dhe angazhimit shumëpalësh. 

“Për sa i përket rimarrjes së iniciativës dhe mohimit të hapësirës dhe vakumit ndaj rivalëve, Ballkani Perëndimor është një fryt i arritshëm. Gjithçka që duhet është një përfshirje e përkushtuar, e fortë dhe e vendosur për të zgjidhur mosmarrëveshjet e mbetura dhe për të përfshirë Ballkanin Perëndimor në strategjinë e NATO-s. Çfarë roli mund të luajë Aleanca në fusha të tilla? Ballkani Perëndimor është shembulli i përsosur ku kërcënimet e sigurisë u adresuan jo vetëm përmes ndërhyrjes ushtarake, por përmes një kombinimi holistik të fuqisë së fortë dhe të butë, si dhe një angazhimi afatgjatë”, u shpreh ministrja gjatë fjalë së saj. 

Në fund të fjalës, Ministrja Xhaçka nënvizoi se investimi në Diplomacinë Publike dhe në Komunikim është po aq thelbësore për suksesin e NATO-s, sa edhe investimi në teknologji dhe armatime të reja. 

Vizita e Ministres Xhaçka në Letoni vjen pas pjesëmarrjes së saj në Forumin e Gjashtë të Unionit të Mesdheut që u mbajt në Barcelonë. 

Ndërkohë në datat 1 dhe 3 dhjetor, kryediplomatja shqiptare do të udhëtojë drejt Suedisë, ku do të mbahet Ministeriali i 28-të i Këshillit të OSBE-së.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00